Njeriu që është larg urtësive dhe të vërtetave të Islamit, valëvitet midis shpirtërores dhe materiales, si pasojë e ndryshimit të vazhdueshëm të kushteve në sprovat e jetës së kësaj bote. Ai i ngjan një anijeje me timon të thyer, e cila ndodhet në një oqean të errët me furtunë dhe vorbulla. Prej se e ka humbur orientimin shpirtëror, për të cilin ka nevojë shpirti i tij, ndodhet në një gjendje ku nuk e di se në cilën vorbull të nefsit do të shkatërrohet.
Njeriu, i cili lëviz nëpër korridoret tepër të ngatërruara të jetës, e ka të pamundur që vetëm me mendjen e tij të dobët të gjejë rrugën e duhur, që të mos humbë ndjenjën e devotshmërisë dhe nderit, që të mos shkatërrojë lumturinë e përjetshme dhe që të kuptojë mirësinë dhe butësinë e Islamit. Në rrugëtimin drejt përjetësisë, ai ka nevojë të madhe për udhëzimin dhe nënshtrimin ndaj ligjeve hyjnore.
Që të mund të jetojnë, gjallesat janë të detyruara të ushqehen. Po kështu edhe njeriu që të qëndrojë gjithmonë në rrugën e drejtë, duhet që jeta e tij të jetë në ekuilibër mes materiales dhe shpirtërores. Ai duhet të ushqejë mendjen dhe zemrën e tij me nurin e Kuranit dhe Sunetit, pra me një fjalë, t’i nënshtrohet edukimit hyjnor.
DASHURIA DHE BINDJA
Në një hadith fisnik thuhet:
“Njeriu është bashkë me atë që do.”(Buhari, Edeb, 96.)
Dashuria ndaj të Dërguarit të Allahut (a.s.), kërkon bindje dhe lidhje shpirtërore, sepse dashuria është si një linjë elektrike midis dy zemrave dhe intensiteti i dashurisë varet nga gjendja e kësaj lidhjeje. Kjo lidhje zemrash bëhet e mundur me thellimin e ndjenjave, duke përfituar nga morali profetik dhe duke i parë krijesat me syrin e mëshirës, ashtu siç i sheh Krijuesi i tyre.
Shpirtrat mund të marrin ushqim dhe begati shpirtërore prej të Dërguarit të Allahut (a.s.), aq sa janë të lidhur me të dhe aq sa i ngjajnë atij në moral. Dashuria për të varet nga bindja ndaj tij dhe nga sakrifica e përpjekja që tregohet për t’i ngjarë atij. Ndërsa dashuria ndaj Allahut kërkon besim dhe bindje ndaj të Dashurit të Tij fisnik (a.s.). Në një ajet urdhërohet:
Thuaju (o Muhamed): “Nëse ju e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua, që Allahu t’ju dojë dhe t’jua falë gjynahet!..” (Al‘Imran, 31.)
“Ka njerëz që e flijojnë veten, për të fituar pëlqimin e Allahut…” (el-Bekare, 207.)
Në fakt, njeriu duhet t’i bëjë të panjohurat, të njohura, duhet t’i ndriçojë shtigjet e errëta, si edhe të vëtëdijësohet për të papriturat e botëve, që janë jashtë fushës së perceptimit të tij, si varri dhe jeta e përtejme. Gjithashtu, duhet t’i bindet me nënshtrim të plotë dhe dashuri të madhe Allahut Teala, i Cili do t’i falë paqe shpirtit të tij. Vetëm në këtë mënyrë robi do të arrijë pjekurinë shpirtërore, me të cilën Allahu do të jetë i kënaqur.
Në këtë pikë, rruga më e saktë për t’u ndjekur, është rruga e gjurmëve të ndritura të Profetit (a.s.), që Allahu Teala ia dhuroi të gjithë njerëzimit, si modelin e Njeriut të Përsosur.
PJEKURIA SHPIRTËRORE
Bota shpirtërore e atyre, që me besnikëri ia kanë kushtuar jetën rrugës së drejtë, shndërrohet në një det të gjerë mëshire, sepse Allahu, që është Rrahman dhe Rrahim, e ka dërguar Resulullahun (a.s.), si mëshirë për të gjithë njerëzit dhe e ka bërë atë shembull për njerëzimin, me cilësinë e kësaj mëshire.
Prandaj, ata që përfitojnë ashtu siç duhet prej moralit shpirtëror të Resulullahut (a.s.), arrijnë ta bëjnë shpirtin e tyre vend mëshire, i cili përqafon të gjitha krijesat. Ata tashmë janë liruar nga robëria e fiksimeve të nefsit dhe llogarive të interesave të tyre personale. Shpirtrat e tyre, duke dashur Allahun dhe Profetin (a.s.), kanë shijuar dashurinë e vërtetë. Për këtë arsye, çdo kënaqësi dhe shije e përkohshme e ka humbur ndikimin dhe rëndësinë në sytë e tyre. Tashmë, i gjithë mundi, mendimi, shqetësimi, halli dhe përpjekja i tyre është për paqen dhe lumturinë e të gjitha krijesave.
Si rezultat i edukimit hyjnor dhe profetik, ata kanë shpëtuar prej egoizmit, pra kanë ikur nga stacioni i “unit”, janë bërë altruistë duke hyrë në stacionin e “bashkësisë”. Ata që janë shqetësuar me shqetësimin e të tjerëve dhe janë qetësuar me qetësimin e të tjerëve, kanë arritur pjekurinë e një shpirti të butë dhe të ndjeshëm. Ata e kanë kuptuar shumë mirë se shpëtimi i tyre kalon nga përpjekja për shpëtimin e të tjerëve.
Sa bukur e shpreh ky tregim pjekurinë shpirtërore që kërkohet për takimin me Allahun:
Bejazid Bistami (Allahu e mëshiroftë), tregon:
“Në kohën tonë kishte me mijëra veli. Mirëpo, detyra e prijësit (në rrugën e drejtë) për atë shekull, i ishte besuar një hekurpunuesi me emrin Ebu Hafs. Për të mësuar më shumë rreth kësaj urtësie, shkova te dyqani i tij. Kur e pashë, vura re se ai ishte shumë i shqetësuar dhe i hidhëruar. E pyeta për arsyen e kësaj dhe ai m’u përgjigj me këto fjalë:
“Vallë, a ka dert më të madh se derti im, dhe njeri më me shumë derte se unë? Vallë, si do të jetë gjendja e umetit të Muhamedit (a.s.), në Ditën e Kiametit?”
Më pas filloi të qante dhe më bëri edhe mua të qaja. U bëra kureshtar dhe e pyeta:
“Përse të shqetëson kaq shumë fakti se njerëzit do të dënohen?”
Ebu Hafsi u përgjigj:
“Natyra ime është mbrujtur me mëshirë dhe dhembshuri. Nëse i gjithë dënimi që do t’u jepej njerëzve të shkujdesur do të binte mbi mua dhe ata do të faleshin, unë do të isha tepër i kënaqur prej kësaj dhe derti im do të merrte fund…”
Prej kësaj, kuptova se Ebu Hafsi nuk ishte nga ata që thoshin “unë, unë”, por duke qenë në rrugën e Profetit (a.s.), ishte nga ata që thoshin “umeti, umeti”.”
Siç shihet, gjendja e trashëgimtarëve të Profetit të mëshirës (a.s.), të cilët kanë përfituar prej moralit të tij shpirtëror, reflekton ndjenjat e larta të një shpirti që është bërë fole mëshire.
I nderuari Hasan Harakani ka thënë: “Nëse në gishtin e njërit prej vëllezërve të mi të fesë, që ndodhen midis Turkistanit dhe Shamit, ngulet ndonjë gjemb, është njësoj sikur ai gjemb të më ngulej në gishtin tim… Hidhërimi i zemrës së tyre, është derti im.”
I nderuari Serijji Sakati, tridhjetë vjet të jetës së tij, i kaloi duke bërë teube dhe duke kërkuar falje prej Allahut, sepse, për një shkujdesje të çastit nuk mendoi për fatkeqësinë që u kishte ndodhur vëllezërve të tij të fesë, por u gëzua që shpëtoi vetë. Këta dhe shembuj të tjerë prej të dashurve të Allahut, tregojnë qartë për ndjenjat e thella, që kishin këta njerëz në shpirtrat e tyre.
VIRTYT MBI VIRTYT
I nderuari Rabi ishte një prej të dashurve të Allahut, i cili tregohej i butë, bujar dhe i mëshirshëm me të tjerët, duke sakrifikuar edhe veten e tij. Në kohën kur u paralizua, një i varfër i erdhi te dera dhe i kërkoi diçka. Rabi tha:
“Jepini një ëmbëlsirë!” Sepse edhe vetë i pëlqente shumë ëmbëlsirat. Kështu e kuptonte ai ajetin: “Nuk keni për ta arritur përkushtimin e vërtetë, derisa të ndani (lëmoshë) nga ajo (pasuri) që e doni…” (Al‘Imran, 92.)
Njëherë, kur iu shtuan shumë dhimbjet, dëshiroi të hante mish pule. Mirëpo, duke e mbajtur veten për dyzet ditë me radhë, nuk hëngri mish pule. Një ditë i tha së shoqes:
“Kam dyzet ditë që dëshiroj të ha mish pule, por po e mbaj veten duke shpresuar se mund të heq dorë edhe nga kjo dëshirë.”
E shoqja ia ktheu:
“Fesubhanallah! Shiko se prej çfarë po e mban veten! Allahu ta ka bërë hallall atë ushqim!”
Pas kësaj, e shoqja shkoi në pazar dhe bleu një pulë, të cilën e preu dhe e poqi për bukuri. Pastaj gatoi bukë dhe përgatiti një sofër me ushqime të ndryshme. Të gjitha këto i mori dhe ia çoi përpara të nderuarit Rabi. Por në atë moment, një i varfër u afrua tek dera dhe tha:
-Më jepni ndonjë gjë për hir të Allahut, që Allahu t’u japë begati!
Rabi hoqi dorë nga pula dhe i tha së shoqes:
-Merre këtë pulë dhe jepja atij!
E shoqja iu përgjigj:
-Fesubhanallah!
Rabi këmbënguli:
-Bëj atë që po të them.
Këtë herë, e shoqja reagoi:
-Të paktën bëj diçka që do të jetë më e mirë për të.
-E çfarë të bëj?
-I japim paratë e pulës, ndërsa ti ha pulën që ke dëshiruar aq shumë!
I nderuari Rabi i tha:
-Një propozim shumë i bukur! Më sill aq para sa bën kjo pulë!
Kur e shoqja ia solli paratë, ai tha:
-Tani vendosi paratë pranë pulës dhe jepja atij nevojtari!
E shoqja, i mori edhe paratë edhe pulën dhe ia çoi nevojtarit. (Bursevi, Ruhu’l-Bejan)
Padyshim që kjo gjendje është edhe niveli më i lartë i bujarisë, pra virtyti “ISAR”[1]. Kjo është sakrifica e dhënies së pasurisë një vëllai të fesë, vetëm për hir të Allahut. Sa bukur shprehet Allahu Teala në lidhje me këtë virtyt të lartë:
“Ata i ushqejnë të varfrit, jetimët dhe të zënët rob, edhe pse vetë janë nevojtarë, duke thënë: ‘Ne ju ushqejmë vetëm për hir të Zotit. Për këtë, nuk duam shpërblim e as falënderim! Ne i frikësohemi Zotit tonë në një Ditë të ashpër, që do t’i bëjë fytyrat të jenë të vrenjtura.’ Por Allahu do t’i ruajë ata nga tmerret e asaj Dite e do t’u japë shkëlqim dhe gëzim”. (el-Insan, 8-11.)
HORIZONTI I MËSHIRËS
Ja pra, morali islam ka arritur të ndërtojë një shpirt me pjekuri të përsosur, i cili kur është nevoja, heq dorë nga nevoja e vet dhe qetësohet duke kënaqur shpirtin e një vëllai të fesë. Ata që arrijnë këtë pjekuri shpirtërore, i kanë kuptuar në mënyrën më të bukur fjalët e Profetit (a.s.), i cili ka thënë:
“Kush nuk shqetësohet për hallet e besimtarëve, nuk është prej tyre.” (Hakim, Mustedrek, IV, 352; Hejthemi, Mexhmau’z-Zeuaid, I, 87.)
“Kush shtrihet i ngopur, ndërkohë që komshiu i tij është i uritur, nuk është prej nesh.” (Hakim, II, 15/2166a.)
Pra, ata e kanë kuptuar shumë mirë se janë përgjegjës për çdo gjë, të cilën duart e tyre mund ta arrijnë. Gjithashtu, ata kanë kuptuar se uria nuk është vetëm ajo e stomakut, por edhe ajo e shpirtit njerëzor, e cila bëhet shkas për sëmundje edhe më të rrezikshme.
Personaliteti i pashoq dhe shembullor, Profeti Muhamed Mustafai (a.s.), një ditë u tha shokëve:
“Betohem në Allahun, në dorën e plotfuqishme të të Cilit ndodhet shpirti im, se nëse nuk mëshironi njëri-tjetrin, nuk do të hyni në xhenet.”
Sahabët e nderuar thanë:
-O Resulallah! Ne të gjithë jemi të mëshirshëm.
I Dërguari i Allahut (a.s.), thotë:
“Mëshira (për të cilën po flas), nuk është vetëm ajo që duhet të keni ndaj njëri-tjetrit, siç e kuptoni ju, por mëshira e cila përfshin të gjitha krijesat, po të gjitha krijesat!..” (Hakim, IV, 185/7310.)
Pra, mëshira dhe dhembshuria e Profetit (a.s.), kishte cilësinë që përfshinte të gjitha krijesat, sepse shpirti i tij i bekuar, i shihte krijesat ashtu siç i sheh Krijuesi i tyre.
Kjo është arsyeja që ai edhe armikun e tij e shihte me sy mëshire. Në luftën e Bedrit, kur dy ushtritë u vendosën përballë njëra-tjetrës, Resulallahu (a.s.), u dërgoi mushrikëve përfaqësuesit e tij, që të merreshin vesh pa luftë. Në atë çast, disa mushrikë, në mesin e të cilëve gjendej edhe Hakim bin Hizami, erdhën të pinin ujë tek pusi i myslimanëve. Myslimanët deshën t’i pengonin, por i Dërguari i Allahut (a.s.), tha:
“Lërini të pinë!”
Ata erdhën, pinë ujë dhe më vonë, përveç Hakimit, të gjithë mushrikët e tjerë nxorën shpatat kundër ushtrisë islame dhe të gjithë përfunduan të vrarë. Ndërsa Hakimi, më vonë do të nderohej me udhëzimin në rrugë të drejtë. (Ibën Hisham, II, 261.)
Në vitet kur mushrikët e Mekës, të cilët i torturuan myslimanët vite me radhë, i kapi zia e bukës dhe ngelën të uritur, Profeti (a.s.), dërgoi ushqime për ta. Në këtë mënyrë, ai u tregoi atyre, të cilët njëherë e një kohë kishin vendosur embargo ndaj myslimanëve duke i lënë të vdisnin urie, botëkuptimin e moralit të lartë që zotëron Islami.
Profeti (a.s.), sa herë që i jepej rasti, i këshillonte njerëzit të tregonin mëshirë ndaj krijesave për hatër të Krijuesit, dhembshuri, delikatesë dhe veçanërisht për të pasur kujdes që të mos thyenin askujt zemrën. Në sajë të këtyre këshillave, zbuteshin zemrat, delikatesa dhe butësia arrinin majat më të larta dhe ndërtohej një pjekuri shpirtërore, e cila do të përfaqësonte bukuritë e Islamit.
Resulallahu (a.s.), ka dhënë shumë këshilla edhe në lidhje me mirëmbajtjen dhe pastrimin e kafshëve. Veçanërisht, ka kërkuar që delet dhe dhitë të pastroheshin mirë nga papastërtitë dhe dheu. (Hejthemi, IV, 66-67.)
Ai na ka urdhëruar, që edhe kur vrasim ndonjë gjarpër ose ndonjë kafshë të rrezikshme, ta bëjmë me një të rënë dhe pa e torturuar.
Një prej sahabëve, Ebu Derda (r.a.), kishte parë disa njerëz që i ngarkonin shumë devetë e tyre, aq sa ato nuk mund të ngriheshin në këmbë prej ngarkesës së rëndë. Ebu Derda (r.a.), pasi ia hoqi ngarkesën e tepërt, e ngriti njërën nga devetë në këmbë dhe, duke iu drejtuar të zotit të kafshës, tha:
“Nëse Allahu Teala do t’ju falë për këtë keqtrajtim që u bëni kafshëve, do të tregohet shumë falës ndaj jush. E kam dëgjuar Resulallahun (a.s.), të thotë:
“Allahu Teala ju urdhëron të silleni mirë me kafshët, sepse ato nuk mund të flasin! Nëse kaloni në ndonjë tokë pjellore, lejojini kafshët të kullosin! Nëse kaloni në ndonjë tokë të shkretë, ecni shpejt…” (Ibën Haxher, el-Metalibu’l-Alije, II, 226/1978.)
Njëherë, Resulallahu (a.s.), pa një njeri i cili po milte delen e tij dhe i tha:
“O filan! Kur ta mjelësh kafshën, lër qumësht edhe për të voglin e saj!”(Hejthemi, VIII, 196)
Seuade bin Rebi (r.a.), na transmeton këtë shembull të mëshirës dhe delikatesës së pashoqe:
“Shkova tek Profeti (a.s.), dhe kërkova diçka prej tij. Ai urdhëroi që të më jepeshin disa deve. Pastaj më këshilloi me këto fjalë:
‘Kur të shkosh në shtëpi, thuaji familjes t’i mirëmbajë kafshët dhe t’u japë ushqim të bollshëm! Urdhëroje atë që t’ua lëmojë thundrat dhe, kur t’i mjelë, të mos i dëmtojë e t’u shkaktojë plagë!” (Ahmed, III, 484; Hejthemi, V, 168, 259, VIII, 196.)
Njëherë tjetër, kur Profeti (a.s.), ishte duke udhëtuar për në Mekë bashkë me sahabët, panë një gazelë që po flinte në rrugë. Profeti (a.s.), që ishte dërguar mëshirë për botët, urdhëroi njërin prej sahabëve të qëndronte pranë gazelës derisa të kalonin të gjithë, me qëllim që kafsha të mos trembej. (Muvatta, Haxh, 79; Nesai, Haxh, 78.)
Kur po shkonin për të çliruar Mekën me një ushtri prej dhjetë mijë vetash, në rrugë vuri re një qen, i cili ishte shtrirë dhe po u jepte gji këlyshëve të vet. Profeti (a.s.), caktoi Xhuajl bin Surakan (r.a.) rojë pranë qenit dhe këlyshëve të tij dhe e porositi atë të kujdesejpër të. (Uakidi, II, 804.)
Njëherë, Profeti (a.s.), pa një fole milingonash së cilës i ishte vënë zjarri. Ai u pezmatuanga një gjë të tillë. Foleja e djegur e milingonave ıa kishte hidhëruar aq shumë zemrën e tij të ndjeshme, prandaj dhe me hidhërim të madh tha:
“Kush e ka djegur këtë fole? Dënimin me zjarr, i takon ta japë vetëm Zoti i zjarrit.”(shih. Ebu Daud, Xhihad 112/2675, Edeb 163-164/5268.)
Njëherë tjetër, Profeti ynë (a.s.), pa një beduin, i cili kishte marrë një shkop dhe u binte degëve të një peme, duke u përpjekur të shkundte gjethet e saj për kafshët e tij. Pastaj u tha atyre që kishte pranë:
“Ma sillni këtu atë beduin, por silluni butë dhe mos e trembni!”
Kur beduini i erdhi pranë, Profeti (a.s.), me delikatesë të madhe i tha:
“O beduin! Gjethet shkundi me kujdes e butësi dhe jo duke gjuajtur e thyer degët!”((Ibnu’l-Esir, Usdu’l-Gabe, Bejrut 1417, VI, 378.)
Profeti ynë (a.s.), zemra e të cilit nuk duronte dot as thyerjen pa arsye të një dege të njomë, sa herë që i jepej rasti, e ftonte umetin e tij të sillej me delikatesë, butësi dhe mëshirë ndaj çdo gjëje. Në një hadith, Profeti (a.s.), në lidhje me mirëmbajtjen e bimëve, thotë:
“Nuk ka asnjë bimë e cila ka mbirë në tokë dhe të mos ketë një melek që e ruan me krahët e tij. Kjo vazhdon deri sa të vijë koha e korrjes së asaj bime. Atë që e shkel dhe prish atë bimë, ai melek do ta mallkojë.” (Ali el-Muttaki, Kenz, III, 905/9122.)
MOS I BËJ KEQ AS MILINGONËS!..
Në sajë të begatisë së moralit profetik, që ishte shembulli më i mirë i zemrave të besimtarëve, u edukuan njerëz me ndjenja të thella, të cilët nuk këpusnin as edhe një lule, e nuk u bënin keq as milingonave…
Kjo ngjarje që vijon më poshtë, është një nga shembujt më të përsosur të mëshirës:
Sulltani Kanuni Sulejman, me një bejte, kërkoi fetva prej Shejhu’l Islamit Ebu Suud Efendiut, që të vriste milingonat që kishin tharë pemët e dardhave të kopshtit të sarajit:
Nëse milingonat dëmtojnë të mbjellat,
A lejohet t’i vras, çfarë thotë feja?
Kërkesës për fetva të sulltanit, Ebu Suud Efendiu i përgjigjet me një bejte tjetër:
Nesër, kur para Hakut të dalë,
Prej Sulejmanit, milingona hakun do ta marrë!
Zemrat e besimtarëve të përsosur janë mbrujtur me një edukatë aq të lartë shpirtërore, saqë nuk mund t’i bëjnë keq as edhe një milingone. Në sajë të butësisë dhe mëshirës së tyre të gjerë, ata i gjallërojnë dhe i gjelbërojnë bahçet e zemrave.
PËR HATËR TË KRIJUESIT
Njëri nga të dashurit e Allahut, Ahmed er-Rufai, ishte shumë i mëshirshëm ndaj kafshëve. Një qen ishte sëmurë me zgjebe dhe kushdo që e shihte neveritej prej tij. Ai dëbohej nga çdo derë në të cilën shkonte, derisa arriti te dera e Ahmed er-Rufaiut. Ishte i rraskapitur dhe i mbushur me plagë. Kur e pa gjendjen e kafshës, e mori qenin dhe e çoi në një vend jashtë qytetit. I bëri një vend me hije dhe filloi ta kuronte. E pastroi mirë e mirë, ia leu plagët me melhem dhe pastaj e ushqeu.
Pas dyzet ditësh kurim, shëndeti i qenit u përmirësua dhe nuk i ngeli asnjë shenjë prej sëmundjes së zgjebes. Pastaj e lau mirë e mirë dhe e çoi në qytet. Kur arriti në qytet, ata që e panë, e pyetën:
-Zotëri! U kujdesët jashtë mase për këtë qen. A mund ta dimë urtësinë dhe arsyen?
Ahmed er-Rufai u përgjigj me këto fjalë:
-U frikësova se mos Ditën e Kijametit Zoti im, do të më pyesë: “Si s’të erdhi keq për atë qen? Përse nuk u mundove ta shëroje? Përse nuk mendove se edhe ti mund të sëmuresh një ditë në atë mënyrë?”
O njerëz! Mbushini zemrat tuaja me mëshirë ndaj krijesave të Allahut Teala! Kini frikë se mos Allahu ju sprovon me të njëjtat fatkeqësi si të tyret!”
Ja pra, të dashurit e Allahut, nuk cënonin askënd, nuk i hynin askujt në hak dhe nuk e zgjasnin dorën në atë që s’u takonte. Mirësitë që ata zotëronin i shihnin si amanete të Allahut dhe me një ndjenjë të thellë përgjegjësie, kanë vepruar me përpikmëri dhe delikatesë të veçantë.
Nuk duhet harruar se Allahu Teala, në çdo moment i fton besimtarët për në Daru’s-Selam, pra në Xhenet. Prandaj çdo besimtar:
– Duhet të jetë gjithmonë me Allahun dhe në çdo moment të kërkojë kënaqësinë e Tij.
– Duhet ta dojë dhe t’i bindet të Dërguarit të Allahut (a.s.).
– Nuk duhet të harrojë përgjegjësinë e vëllazërisë fetare.
– Duhet që çdo krijesë ta shohë me syrin e mëshirës.
Allahu Teala bëftë që këto ndjenja të mos mungojnë kurrë në shpirtin tonë! I bëftë zemrat tona fole ku çdo krijesë gjen paqen dhe qetësinë!
Amin!..
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.