Matematikani dhe filozofi i famshëm Pascal (1623-1662), ka shprehur një të vërtetë të rëndësishme kur ka thënë: “Fuqia pa drejtësi është tiran, drejtësia pa fuqi, është e dobët”. Thelbi është të jesh në të drejtën, ndërsa vendosja dhe ruajtja e drejtësisë, është detyrë. Dhe mënyra e kësaj, është të jesh i fuqishëm në çdo aspekt. Nëse të drejtët janë të dobët, ata s’mund ta mbrojnë as veten dhe as të drejtat e tyre.
Kushti i suksesit, është të besosh dhe të shfaqësh vullnet të fortë. Dhe për ta realizuar këtë vullnet, më pas duhet të përgatiten plane, projekte dhe fuqi materiale. Pafuqia, gjithmonë i shton oreksin palës tjetër. Për të mos u bërë ushqim për të tjerët, duhet që çdo moment të kesh një forcë bindëse. Lidhur me këtë çështje, Allahu i Madhëruar na ka paralajmëruar duke thënë: “Përgatisni kundër tyre kuaj dhe forcë për luftë sa të mundni, që të tmerroni armikun e Allahut dhe armikun tuaj, si dhe të tjerë, përveç tyre, të cilët ju nuk i njihni, por që Allahu i njeh. Çfarëdo që të shpenzoni në rrugën e Allahut, do t’ju shpërblehet dhe nuk do t’ju bëhet padrejtësi.” (Enfal, 60)
Përgatitja e forcës ndryshon sipas vendit dhe kushteve. Dikur luftohej me shpatë, mburojë dhe heshta, ndërsa sot luftohet me armë moderne. Kur Profeti ynë (a.s.), po e lexonte në minber ajetin e mësipërm, tha: “Kini kujdes! Fuqi, do të thotë të hedhësh.”[1]Në atë kohë, “të hedhësh”, do të thoshte, të hedhësh shigjetë. Ndërsa sot, do të thotë të hedhësh apo të lëshosh predha, raketa, antiraketa, bomba atomike, hidrogjeni, neutroni etj.
Përgatitja e një fuqie bindëse është një urdhër hyjnor. Kjo përgatitje, nuk është diçka e lehtë, por një përgatitje që bëhet kur ke fuqi. Për këtë arsye, duhet të përdoret çdo mundësi. Nëse është nevoja, duhet përgatitur infrastruktura shkencore dhe teknike, duhet të arrihet forca ekonomike dhe, asgjë nuk i duhet lënë rastësisë dhe fatit. Profeti ynë (a.s.), në luftën për çlirimin e Hajberit dhe Taifit, përdori katapulta dhe në çdo betejë ka marrë të gjitha masat e duhura.
Megjithëse lufta është e padëshirueshme në Islam, që është edhe feja e mëshirës dhe paqes, Allahu ka urdhëruar që të zotërojmë fuqi bindëse, sepse zotërimi i kësaj force, siguron paqen. Siç e theksuam që në fillim, të jesh i papërgatitur dhe i pafuqishëm, shton oreksin dhe guximin e armikut. Prandaj, sidomos sot në ditët tona, është e domosdoshme të zotërosh një forcë bindëse.
Gjendja e dhimbshme dhe e mjerueshme e botës islame sot përballë fuqive imperialiste, buron prej neglizhimit të urdhrit hyjnor në lidhje me përgatitjen e forcës. Ajo që i ka hije myslimanit, është që ai të jetë i fuqishëm në çdo aspekt. Dhe kjo forcë, nuk duhet të jetë shkatërruese, por ndërtuese. Të fortët e ditëve tona, nuk e përdorin forcën e tyre për të ndërtuar, por për të shkatërruar, duke shtypur të dobëtit pa njohur asnjë kriter njerëzor dhe moral dhe duke i hapur rrugën vdekjeve, gjakut, lotëve, varfërisë dhe mjerimit. Për këtë arsye, forca nuk duhet të jetë në dorën e tiranëve, por në dorën e të drejtëve.
Një nga detyrat më të rëndësishme të myslimanëve është të urdhërojnë të mirën dhe të ndalojnë të keqen. Të urdhërosh dhe të ndalosh, është punë e të fuqishmëve. Atyre që nuk kanë fuqi dhe autoritet, nuk u dëgjohet fjala. Meqenëse përgatitja e forcës, urdhërimi në të mirë dhe ndalimi nga e keqja janë obligim, e tillë është edhe përgatitja e kushteve për të realizuar këto obligime.
Shkaku kryesor që vendet islame kanë rënë në kurthin e imperialistëve, është mos ndjekja e zhvillimit teknologjik në Perëndim dhe qëndrimi duarkryq përballë anijeve me avull, lokomotivave, makinave të tekstilit, armëve të zjarrit etj., që prodhoheshin në fillim në Perëndim. Ndërsa vendet perëndimore, jo vetëm që nuk u mjaftuan me grabitjen e burimeve tona ekonomike në sajë të avantazheve të forcës së re që zotëronin, por në të njëjtën kohë, ata u bën të fuqishëm edhe në fushën ushtarake. Ata i pushtuan fizikisht shumë vende islame. Edhe pse sot nuk bëhet më fjalë për këtë pushtim fizik, pushtimi kulturor dhe ekonomik vazhdon ende në mënyrë të qartë.
Një nga mendimtarët tanë të rëndësishëm, Vahiduddin Hani, i cili ka bërë disa evidentime realiste të shkaqeve të lumturisë dhe fatkeqësisë sonë, duke shkruar të vërtetat në mënyrë të ndershme, edhe pse neve mund të mos na pëlqejnë, në librin e tij, “E djeshmja, e sotmja dhe e nesërmja e myslimanëve”, shprehet:
“Sa herë që mposhtemi përballë Evropës, për shkak se nuk kemi ç’të bëjmë tjetër, priremi t’i bëjmë vetes një ligjëratë entuziaste dhe të kërkojmë arsyetime për të arritur njëfarë kënaqjeje psikologjike. Në vend që të shohim gjendjen tonë dhe të korrigjojmë të metat, kemi hyrë në një luftë fjalësh kundër ekzistencës imagjinare të armiqve tanë. Për shembull: Kur “heronjtë e fjalës”, flasin në lidhje me Palestinën, në përgjithësi fjalimin e tyre e përfundojnë me këto fjalë: “Padyshim se sot Palestina ka nevojë për një Salahudin Ejub të ri për të arritur lirinë e saj”. Kur këta “heronj” e thonë këtë, besojnë se i kanë dhënë hakun fjalimit të tyre. Mirëpo, kjo fjalë, është vetëm një evidencë e thjeshtë në lidhje me kauzën palestineze.”
Edhe sikur sot të lindë një person tjetër si Salahudin Ejubi, ai nuk mund ta zgjidhë çështjen palestineze, sepse ai ishte një komandant që u shfaq në kohën dhe kushtet e kryqëzatave. Omeri (r.a.), e ka çliruar Kudsin në vitin 634 dhe brenda katërqind viteve të ardhshme të krishterët nuk kishin tentuar ta rimerrnin Kudsin. Pas shekullit të njëmbëdhjetë, Papa Urbani i II, i bëri thirrje Francës të shpëtonin Kudsin. Në fund të luftës që zgjati dy vjet, në vitin 1098, ata arritën të rimerrnin Kudsin. Ndërsa Salahudin Ejubi, arriti ta rimerrte përsëri Kudsin në vitin 1190. Në këtë luftë, Salahudin Ejubi, u vu përballë Perandorisë Gjermane, Anglisë, mbretërve të Francës dhe Sicilisë, Leopoldit të Austrisë dhe shumë mbretërve, dukëve dhe kontëve të tjerë. Me fitoren e arritur, ai e bëri botën të pranojë madhështinë e Islamit dhe të myslimanëve.
Salahudin Ejubi ndërroi jetë në vitin 1195. Me fushatat e tij luftarake ai ia theu belin perëndimit. Aq sa perëndimorët tmerroheshin prej Salahudinit. Ata e kishin aq frikë atë, saqë për t’u përballur me të, vendosën një taksë të veçantë për popullsinë e tyre, që quhej “taksa e Salahudinit”. Sasia e kësaj takse ishte sa një e dhjeta e të ardhurave vjetore të një evropiani në atë kohë.
Padyshim se Salahudini luftonte me besim, guxim dhe trimëri. Besimi i fortë ishte një element i fuqishëm i fitoreve të tij. Mirëpo, nëse besimin dhe trimërinë e tij e shohim si burimin e vetëm të sukseseve të tij, do të mashtronim veten. Cilët janë faktorët e tjerë që luajtën rol të rëndësishëm në sukseset e Salahudinit? Le t’i dëgjojmë këto evidentime nga një historian perëndimor:“Myslimanët, me përpjekjet e tyre individuale ndërtonin baza ushtarake përgjatë kufijve për të parandaluar sulmet e armiqve. Ata siguronin çdo lloj ushqimi, pije dhe çdo nevojë tjetër të ushtarëve. Madje, myslimanët formuan edhe vakëfe për të mbështetur luftëtarët e tyre me kuaj, shpata, shigjeta dhe armë të tjera të nevojshme. Punimi i armëve në ato zona u zhvillua aq shumë, saqë në periudhën Bizantine, për të blerë armë shkohej deri në Damask dhe Egjipt. Kjo gjendje i detyroi dijetarët islamë të asaj kohe, të jepnin fetvanë: ‘Është haram t’u shesësh armë të huajve’.”
Salahudin Ejubi nuk zotëronte vetëm besimin dhe trimërinë, por në të njëjtën kohë, kishte edhe një forcë ushtarake që konsiderohet e madhe për kohën e tij. Kur myslimanët hidhnin mbi kokat e armiqve shigjeta zjarri me katapultë, francezët pandehën se ato ishin gjarpërinj fluturues prej zjarri. Kjo, sepse ata vetë luftoni me armë të modës së vjetër.
E vërteta është se, sado i guximshëm të jetë një njeri, ai “nuk mund ta ngulë me grusht gozhdën në mur”. Patjetër që ka nevojë për një çekiç.
Ndërsa sot ne mjaftohemi vetëm me fjalime për besimin dhe trimërinë. Ky mentalitet ka nxjerrë në pah ligjërues dhe poetë që entuziazmojnë ndjenjat me tufane fjalësh. Në vend që të lëmë pas trashëgimi triumfesh dhe çlirimesh, ne lavdërohemi vetëm me kujtimet e dëshmorëve dhe veteranëve.
Kur u shpik pushka, humbi burrëria. Gozhda nxjerr gozhdën, hekuri drejtohet me hekur. Nuk luftohet me thikë shalqiri. Pa u kapur fort pas shkaqeve të suksesit, nuk mund të arrihen fitore. Duaja/lutja nuk bëhet duke u shtrirë, por duke dalë në udhë dhe duke kërkuar ndihmë prej Allahut për sukses.
Problemi më i madh i myslimanëve sot është dobësia e tyre në fushën materiale dhe shpirtërore. Gjatë vizitës sime në Kuds, imami i Mesxhidit Aksa, tha se hebrenjtë janë shumë të fuqishëm. Ndërsa unë i thashë: “Dobësia jonë, është fuqia e tyre”. Të jesh gjithmonë në pozitë të drejtë, të zotërosh besim, vullnet të fortë dhe forcë bindëse për kohën, është çelësi i vetëm i lavdisë dhe nderit. Allahu i Madhëruar e ktheftë sa më shpejt në lavdi poshtërimin që po përjeton sot bota islame! Amin!
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.