Të martosh të varfërit

Opoja.net Opoja.net Artikuj

Siç dihet, njësitë më të vogla të shoqërisë, përbëhen nga familjet. Sa të shëndetshme, të qeta dhe të lumtura të jenë familjet, aq e shëndetshme, e qetë dhe e lumtur është shoqëria.

Në formimin e një familjeje myslimane, gjëja më kryesore fillon me nikahun (kurorën). Lidhja e dashurisë midis djemve dhe vajzave të reja, të cilët kanë arritur moshën e martesës, perçinoset me anë të nikahut. Nëse këta të rinj ushqehen me kafshatë hallall, edhe fëmijët që do të vijnë në jetë prej tyre do të jenë po aq të pastër, të shëndetshëm dhe me karakter të fortë.

Në ditët tona, veçanërisht nëpër fshatra, të rinjtë me moshë shumë të vogël po martohen nga familjet e tyre me pretekste ekonomike, pa e njohur ende mirë rëndësinë e martesës dhe delikatesën e saj. Ndërsa nëpër qytete, mosha e martesës është shtyrë shumë me pretendimin, se “po studioj” apo “do të gjej punë”.

Në fakt, nuk është e drejtë që çështja e martesës të lihet, as shumë herët, por as shumë vonë. Në sajë të institucionit të martesës, të rinjtë ruhen nga haramet (amoralitetet). Në lidhje me këtë, Pejgamberi ynë (a.s.), thotë:

“Kush martohet, ka ruajtur gjysmën e fesë.”

“Kush arrin moshën e martesës dhe ka mundësi të martohet, le të martohet. Kush nuk ka mundësi, le të agjërojë.”

Për fat të keq, në vendet tona, gjatë ceremonive të martesave bëhen shumë gjëra të gabuara, të cilat nuk duhet të ndodhin në një shoqëri islame, si luksi i tepruar, shpërdorimi, veprime të papëlqyeshme, madje edhe gjëra të ndaluara nga feja. Me pretendimin, se “ç’thotë bota?” apo “kjo është ditë e veçantë”, etj., po shohim gjithandej dasma me orkestër, me alkool dhe argëtime të përziera me gra e burra bashkë.

Ndërsa në lidhje me mobiliet e shtëpisë, të rinjtë e sotëm duan gjithçka të plotësuar, që nga A-ja deri tek Zh-ja. Ata nuk duan të qëndrojnë pranë prindërve, por duan të jetojnë në shtëpi të veçanta. Madje, duke u munduar t’u ngjajnë të pasurve, dëshirojnë që pas dasmës të shkojnë edhe për muajin e mjaltit.

Pikërisht këto fenomene e vështirësojnë jashtëzakonisht shumë martesën e të rinjve të varfër. Në fakt, pjesa e pasur e shoqërisë është më e vogël se pjesa e varfër. Por, edhe pse janë të varfër, të gjithë duan të imitojnë të pasurit. Dhe për këtë arsye, familjet hyjnë nën barrën e borxheve, aq sa nuk mund t’i mbajnë. Jeta martesore e të rinjve që fillon me borxhe, shkatërron harmoninë familjare. Vështirësitë ekonomike bëhen shkak që me kalimin e kohës të pakësohet edhe dashuria midis bashkëshortëve, madje ndonjëherë edhe e eliminon fare atë. Për këtë arsye, ndodhin edhe shumë divorce të çifteve të reja.

Sa mirë do të ishte sikur të pasurit t’i shpenzonin paratë e tyre, të cilat normalisht i shpërdorojnë në luks e gjëra të tjera, për të martuar të rinjtë që dëshirojnë të formojnë familje. Martesa për hir të Allahut e të rinjve, që nuk mund të martohen për pamundësi ekonomike, është një adhurim më i mirë se adhurimet vullnetare. Martesa e të rinjve të varfër, është shumë e rëndësishme në mbrojtjen e nderit, turpit, edukatës dhe moralit të mirë në shoqëri.

Të pasurit që martojnë të varfrit, shpëtojnë nga përgjegjësia duke e përdorur pasurinë në rrugë të Allahut, marrin duatë e të rinjve përgjatë gjithë jetës dhe kontribuojnë në mbrojtjen e shoqërisë nga haramet dhe edukatës shoqërore. Ndërsa të varfrit që duan të martohen, duhet të kënaqen me mobilie të mjaftueshme dhe një dasmë të lehtë. Nëse një pjesë të mobilieve e marrin pas dasmës, duke i paguar pak nga pak sipas radhës së nevojës që kanë, do të dinë edhe vlerën e pajisjeve shtëpiake që marrin, por do të ndjejnë edhe një lumturi të veçantë për çdo pajisje të re që marrin në shtëpinë e tyre. Thesari i Zotit është i pashtershëm; me kalimin e kohës Ai jep çdo gjë.

Allahu e mëshiroftë, i nderuari Musa Efendiu, çdo vit martonte me ceremoni dasme dhjetë apo njëzet çifte të rinjsh që mbaronin kursin e Kuranit. Pas një dreke në Vakëfin Aziz Mahmud Hydaji, kjo ceremoni mbyllej me një bisedë fetare dhe dua. Në fund, të ftuarit ofronin dhuratat e tyre për çiftet e rinj dhe largoheshin prej aty. Sa bukur, për të gjithë bëhej një ceremoni. Padyshim se edhe sot, ka ende bamirës që e vazhdojnë këtë traditë të mirë, pra martesën e të varfërve që nuk kanë mundësi të martohen. Mirëpo, ne dëshirojmë që këta njerëz të shtohen edhe më shumë.

Zinaja (amoraliteti), të cilën Zoti ynë në Kuran e ka ndaluar madje edhe afrimin tek ajo, në kuadër të përputhjes me ligjet e Evropës, nuk konsiderohet më si faj as në ligjet e shtetit. Për më tepër, duke filluar që nga televizioni, interneti, shtypi i përditshëm, e deri tek reklamat e ndryshme, seksualiteti është një fenomen që po nxitet shumë dhe në mënyrë të vazhdueshme. Një gjendje e tillë e vështirëson shumë punën e të rinjve që nuk mund të martohen.

Zoti na ruajttë sytë, zemrat, duart dhe belin prej harameve. Gjithashtu, u faltë fëmijëve tanë bashkëshortë/e dhe pasardhës që do të jenë drita e syve tanë.

Amin!..

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-