Autor: Ibrahim Skenderi
Ishte 3 qershori i vitit 1990, kur një grup të rinjsh opojanë, që kishin prirje për letërsi, për herë të parë, të homogjenizuar në baza të idealit kombëtar, u mblodhën dhe formuan një Klub Letrar.
Ishte ky organizimi i parë që nuk i përkiste stereotipisë së bashkim – vëllazërimit. Ishte reagimi më i guximshëm i mundshëm për atë kohë. Për kohën kur dhuna serbe, e ushtruar nën ombrellën e shtetit jugosllav, mori përmasa të gjenocidit deri në etnocid ndaj shqiptarëve në ish-Jugosllavi.
Ishte kundërpërgjigje ndaj pushtetit okupues serb, i cili pas zhbërjes së autonomisë së Kosovës brenda federatës jugosllave, filloi shkatërrimin e institucioneve kosovare, duke filluar nga ato politike, administrative, ekonomike, arsimore, kulturore etj. Të gjithë shqiptarët u larguan nga puna. Shkolla e fakultete u mbyllën. Edhe ajrin që s’mundën të na ndalin, nëpër shumë shkolla të Kosovës e helmuan, përmes gazrave helmues. Krejt këto, formimin e Klubit Letrar “Luigj Gurakuqi” në Dragash e bëjnë ngjarje historike. Por, pa pretendime se historia fillon që këtu, anëtarët e Klubit Letrar, me krijimet e tyre e begatuan historinë.
U mbajtën qindra orë letrare, u botuan disa dhjetëra libra dhe, lirisht mund të thuhet se ishte ndër Klubet më aktive dhe më frytdhënëse në nivel të Kosovës së okupuar. Këtë e vërteton edhe fakti se, si rezultat i veprimtarisë brenda klubit, shtatë krijues letrarë opojanë u pranuan anëtarë të Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Ndërkaq, një nga aktivitetet më masovike, ku prezantoheshin vlerat letrare, vlerat artistike të folklorit burimor opojanë dhe vlerat shkencore, ishte manifestimi “Ora e Madhe e Ymer Prizrenit”. Fillimisht, si orë letrare, ky manifestim i organizuar për dhjetë vjet arriti nivelin e një festivali gjithëkombëtar. Me përkrahjen e qytetarëve të Zgatarit (vendlindjes së babait të të madhit Ymer Prizreni) dhe donatorëve vullnetmirë opojanë, ky Manifestim, përveç tjerash, i ngjasonte edhe një sofre të bujarisë, ku shtohej flija dhe specialitete origjinale opojane. Ndërkaq, në aspektin afirmativ, falë krijuesve, anëtarë të LSHK-së, manifestimi u përkrahë që të jetë pjesë e Programit të Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (LSHK-së), fillimisht me premtimin publik të kryetarit të parë të pasluftës, z. Tahir Desku, për tu vërtetuar nga kryetari i ardhshëm, z. Adem Demaçi.
Ndonëse brenda viteve janë shkruar poezi, dramë e monografi që afirmojnë personalitetin e Ymer Prizrenit, kur kemi parasysh nivelin e kulturës së leximit tek ne, ky manifestim ka reflektuar me efekte masivizimi, sensibilizimi, arsimimi dhe edukimi masiv.
Çfarë ndodhi më pas?
Pikërisht atëherë, kur Manifestimi arriti kulmin e suksesit, u ndërpre e bashkë me të ndërpret aktivitetin edhe Klubi Letrar. Me shkaqet e ndërprerjes, përveç shkapërderdhjes së anëtarëve, nuk ia vlen të merremi. Por, mendoj se është koha të reflektojmë përgjegjësi. E gjithë shqiptaria i kemi borxh Ymer Prizrenit. Por, më përgjegjës jemi ne bashkëvendësit e të parëve të Ymer Prizrenit. Prandaj duhet të mblidhemi, të organizohemi dhe ta aktivizojmë Manifestimin që ruan dhe kultivon vlerat historike e kombëtare të të madhit Ymer Prizreni.
Qytetarët e Zgatarit dhe mbarë Opojës janë të gatshëm të ndihmojnë. Intelektualët opojanë e vlerësojnë një angazhim të tillë. Prandaj, presim edhe përkrahjen morale dhe materiale nga të zgjedhurit tanë në pushtetin komunal, si dhe nga aktivistët e Klubit Letrar, pjesë programore e të cilit ishte Manifestimi, që të vazhdohet nga aty ku kishte ngelur.
Por, me qëllimin më të mirë që Manifestimi të marrë formë institucionale, në kuadër të Klubit, duhet ta ketë një bord udhëheqës nga një përbërje mikse; Klubi, fshati, Komuna. Të hartojë Rregulloren e Manifestimit dhe Programin vjetor të punës.
Duke pasur parasysh nivelin dhe mënyrën e realizimit të Manifestimeve të mëparshme, vlen të mendohet edhe për emërtimin e tij, sepse “Ora Letrare” tashmë mbetet vetëm një segment i Manifestimit. Në Manifestim (derisa mbahej) shpaloseshin vlera burimore folklorike, bëheshin promovime librash, mbaheshin tribuna shkencore dhe, krejt në fund, përfundonte me sofrën e bujarisë me specialitete ushqimore nga Opoja, shtruar nga nikoqirët në Zgatar. Të gjitha këto së bashku, do të mund t’i emërtonim me emrin simbolik “Sofra” përkatësisht “Sofra e Ymer Prizrenit”, e që brenda aktivitetit të tij do të përfshinte sofrën poetike, sofrën letrare, sofrën folklorike dhe sofrën e bujarisë. Të gjitha këto nuk janë risi, sepse i kemi realizuar edhe më parë, por modifikohet vetëm emërtimi. Për të gjitha formatizimet dhe modifikimet vendos Klubi Letrar “Luigj Gurakuqi”. Reflektimi pozitiv i krijuesve opojanë, na i hap shtigjet e angazhimit të mëtutjeshëm.
(Opoja.net)
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.