Të mësuarit përmendsh në menyrë efektive

Opoja.net Opoja.net Artikuj

Rejhan Neziri

(Sidomos për ata që e mësojnë tërë Kur‘anin
përmendsh, hifz)

Edhe pse mësimi përmendsh nëpër shkollat
perëndimore dhe në ato që mëtojnë t’i imitojnë ato, është nxjerrë nga plani
mësimor, me pretekstin se është pa efekt, megjithëkëtë ne gjatë gjithë jetës
mbetemi të detyruar që gjëra të caktuara t’i mbajmë në mend, respektivisht
fillimisht t’i mësojmë përmendsh, si p.sh. numrin PIN të telefonave,
passwordat, fjalët e një gjuhe të huaj, eventualisht të recitojmë ndonjë poezi
ose të luajmë ndonjë rol teatral. Për ne muslimanët vjen në pyetje
drejtpërdrejt edhe mësimi përmendsh i sureve të Kur’anit dhe i lutjeve a duave
të tjera të cilat na duhen për kryerjen e namazit, të haxhit dhe të ibadeteve
të tjera.

Edhe pse truri njerëzor nuk është i prirë të mësojë
përmendsh, prapëseprapë kjo nuk është e pamundur, madje nëse përdoren metoda a
teknika të caktuara, kjo mund të zhvillohet shumë mirë dhe kështu që madje edhe
tekste të gjata të mbahen mend sa jeta. Arti i të mësuarit përmendsh qëndron në
përsëritjen e drejtë dhe në trajnimin e vazhdueshëm të trurit. Kjo është
dëftuar edhe nga studimet e ndryshme të neurologëve. Kur ne dëshirojmë të
mësojmë diçka përmendsh, atëherë qelizat nervore bëjnë përpjekje të krijojnë
lidhje me njëra-tjetrën. Ato tkurren e zgjerohen për të vënë kontakt me
njëra-tjetrën. Ky efekt ndërkaq zgjat vetëm për disa minuta. Në qoftë se duam
që diçka ta mbajmë në kujtesë për një kohë më të gjatë, atëherë duhet t’i
stimulojmë a t’i ngacmojmë nervat në mënyrë të vazhdueshme, në veçanti të
përsëritshme. Kështu në mënyrë të përshkallëzuar krijohet një lidhje e qëndrueshme
midis këtyre qelizave nervore, rezultati – e mbajnë në kujtesë tanimë të
mësuarën.

Fjala magjike në këtë proces është “përsëritja”,
edhe atë në kohë e mënyrë të drejtë. Ndofta nga përvoja jonë ose e të tjerëve
kemi vënë re se si një njeri e mëson orë të tëra rresht një tekst të caktuar
dhe përsëri dështon në provim ose test. Kjo s’është për t’u habitur. Pa marrë
parasysh, nëse njeriu mëson vetëm dhjetë minuta apo tri orë mbi një tekst,
truri e shënon këtë si mësim të njëhershëm. Vetëm pasi të jetë përsëritur
leximi i tekstit, nga truri do të njihet si i rëndësishëm – andaj me këtë rast
më me kuptim do të ishin nga dhjetë minuta në katër ditë sesa dyzet minuta në
një ditë.

Mësimi i drejtë përmendsh në pesë hapa

E pra, si duhet vepruar, nëse dëshiron ose je i
detyruar të mësosh diçka përmendsh? Fillimisht merru me tekstin në mënyrë
sipërfaqësore, pa mos hyrë në thellësi e në detaje. Lexoje me kujdes dhe me
ngadalë dy herë tekstin, që të njihesh e të familjarizohesh me të. Pastaj
mbylle tekstin dhe përpiqu t’i përkujtosh pikat më të rëndësishme të tij.

Me këtë ti i vë bazat për një mësim të suksesshëm.
Nga arsyeja se truri më me dëshirë merret me një tekst me të cilin tanimë është
njoftuar dhe mësuar sesa me një tekst krejt të panjohur.

Më pastaj ndiqi pesë hapat në vijim, nëse vërtet
dëshiron të mësosh diçka përmendsh:

1. Mëso pjesë-pjesë

Merre p.sh. një strofë poezie apo një sure të
shkurtër kur’anore. Fillimisht mësoje vetëm rreshtin ose ajetin e parë
përmendsh, edhe atë copë-copë, nëse rreshti apo ajeti është i gjatë. Pastaj
kalo në rreshtin apo ajetin e dytë dhe mësoje përmendsh. Tani përsërite disa
herë rreshtin apo ajetin e parë me të dytin përnjëherë, sikur të ishin një
tekst i vetëm. Më pastaj kalo në rreshtat apo ajetet e ardhshëm me të njëjtën
procedurë, copë-copë. Më pastaj përsërite disa herë tërë strofën apo suren. Me
këtë mënyrë ti mund të mësosh edhe tekste të gjata ose fjalë të një gjuhe të
huaj, pra gjithçka që të duhet ose dëshiron ta mësosh përmendsh.

Një shembull si do të dukej kjo te duaja/lutja
“Subhanek”, të cilën ne me ëndje ua mësojmë fëmijëve tanë në fillim të mësimit
fetar islam në familje ose në mejtepin e xhamisë, e gjen në foton e
bashkëngjitur këtij teksti.

2. Lëre të piqet

Kur mëson diçka përmendsh për herë të parë, kapaciteti
yt për ruajtje është i kufizuar. Me këtë rast ti ke arritur të mësosh disa
strofa, një sure ose një gjysmë faqe Kur’an, varësisht se prej kur ke filluar
me trajnimin e trurit tënd në mësimin përmendsh. Ndryshe thënë, ti duhet të
supozosh se nuk mund të mësosh përmendsh më shumë se 20 minuta në ditë. Pastaj
përfundoje ushtrimin dhe mësimin përmendsh, rinise në ditën e ardhshme.

3. Bëj pauza

5 minuta nga 20, që i ke ndarë për mësim përmendsh,
duhet t’i investosh në një pauzë mësimi. Ti duhet ta ndërtosh njësinë e të
mësuarit ashtu që 10 minuta t’ia kushtosh tekstit e pastaj – dhe kjo është
shumë me rëndësi – të bësh një pauzë prej 5 minutash. Gjatë kësaj kohe merru me
diçka krejt tjetër, p.sh. ziej një kafe, dil në ballkon ose në oborr, luaj me
fëmijët…, thjesht merru me diçka që s’ka të bëjë me mësimin përmendsh.
Ndryshe thënë, për nja 5 minuta “harroje” atë që e mësove përmendsh para 10
minutave.

Pas kësaj pauze merru sërish me tekstin: përsërite
në kokë. S’ka dyshim se me këtë rast ti disa pjesë të tekstit vërtet i ke
harruar. S’prish punë. Për t’i rikujtuar këto pjesë, shiko një herë në tekst.
Pastaj provo ta thuash përmendsh edhe një herë tërë tekstin. Sepse nëse e
përsërit në këtë mënyrë, do ta kesh mësuar më mirë përmendsh sesa ta kishe
lexuar 4-5 herë.

4. Përsëriti njësitë që i ke mësuar

Me rëndësi gjatë të mësuarit përmendsh është
distanca e drejtë e përsëritjes. Përsëritjen e parë nise saktësisht 8 orë pas
mësimit të parë. Pra, në mëngjesin e ditës së nesërme, nëse e ke mësuar pak
para se të shkosh në shtrat për të fjetur. Ose pas dite, nëse e ke mësuar herët
në mëngjes. Të mësuarit përmendsh në mëngjes ka përparësinë e pamohueshme, pasi
atëherë truri i njeriut zakonisht është i çlodhur dhe jo i ngarkuar me
angazhimet e ditës.

Përsëritja e dytë bëhet saktë pas një dite, kurse
përsëritja e tretë saktë pas dy ditësh nga përsëritja e dytë. Pas kësaj ti do
të vëresh se teksti yt tanimë ka zënë vend aq mirë në trurin tënd, saqë mund ta
thuash apo recitosh pa shikuar në letër.

Kjo bëhet falë pauzave të mësimit që i bën brenda
kësaj kohe, gjatë së cilës nënvetëdija jote merret vazhdimisht dhe pa ndërprerë
me tekstin, ajo ndërlidh informacione të reja me ato të mëparshmet dhe krijon
lidhje të reja të qelizave nervore. Kjo mundëson që e mësuara të zërë vend në
trurin/kujtesën tënde.

5. Ruaje tekstin në kujtesë gjithë jetën

Në qoftë se dëshiron që tekstin e mësuar përmendsh
ta kesh në kujtesë gjithë jetën, për shembull fjalët e një gjuhe të huaj,
ndonjë poezi të mrekullueshme që të ka pëlqyer shumë ose për ne muslimanët
suret kur’anore apo duatë e tjera, ti thjesht duhet t’i përsëritësh ato.
Hapësirën kohore për këto përsëritje mund ta caktosh vetë, duke e dyfishuar
distancën e përsëritjes paraprake. P.sh. përsëritja e radhës do të ishte pas
katër ditësh, pas tetë ditësh, pas gjashtëmbëdhjetë ditësh, pas një muaji, pas
dy muajsh e kështu me radhë. Natyrisht se këtë përsëritje mund ta bësh edhe
ndërmjet këtyre kohëve, pasi tanimë ti e di tekstin përmendsh dhe nuk ke nevojë
për libër apo letër. Raste të mira për këto përsëritje të ndërmjetme janë për
shembull kur je duke pritur në rresht për diku, kur je duke bërë sport etj.

Natyrisht një përsëritje në çdo gjashtë muajt e
mëtejmë është e preferuar për një kujtesë të freskët.

Përshtatur për nevojat tona islame nga: www.experto.de

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-