Të saktë në iftar, kurse gjatë kthimit të borxhit, gjatë dhënies së provimit …

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Artikuj

Autor: Mensur Kerla

Muslimanët janë shumë të saktë kur bëhet fjalë për
pritjen e iftarit, por me të drejtë mund të pyesim, se a jemi të saktë kur
bëhet fjalë p.sh. për dhënien e provimit me kohë, për shlyerjen e borxhit, për përmbushjen
e detyrimeve… “O biri i Ademit! Ti nuk je asgjë tjetër përveç një grumbull
ditësh. Kur të kalojë një ditë, kalon edhe një pjesë e jotja.”

Koha nuk është para. Koha është jetë!

Ndër shumë begati të
panumërta që i janë dhuruar popullit tanë, për dy prej tyre veçanërisht duhet
ta falënderojë Allahun e Plotfuqishëm, dhe për të cilat do të japë llogari të veçantë.

Begatia e parë është
uji i freskët, i pijshëm, i pastër me bollëk, kurse begatia e dytë është
koha e lirë.

Për shkak të
begatisë së parë të përmendur do të zhvillohen luftëra në shekullin 21. Kështu,
të paktën parashikojnë analistët, por Allahu e di më së miri. Begatinë e dytë,
kohën e lirë, disa popuj të tjerë po përpiqen ta shndërrojnë në para, duke e
shfrytëzuar në mënyrë produktive dhe duke e maksimizuar fitimin. Benjamin
Franklin, burrë shtetas, filozof, shpikës, fizikan, ekonomist dhe shkrimtar
amerikan (nuk është rastësi që portreti i tij gjendet në monedhën prej 100 $), ka thënë një
fjali të thjeshtë, që sot është bërë thënie e njohur për të cilën mund të
diskutohet, që është: “Koha është para.”

Për njeriun, koha
duhet ta nënkuptojë vetë jetën, sepse me secilën sekondë që kalon, zhduket një
pjesë e njeriut. Hasan el-Basriu (r.h.), ka thënë: “O biri i Ademit!
Ti nuk je asgjë tjetër përveç një grup ditësh. Kur të kalojë një ditë, kalon
dhe një pjesë e jotja.”

Ekzistojnë tri
karakteristika kryesore të kohës: (1) kalon shpejt, (2) është e pakthyeshme dhe
(3) është gjëja më e vlefshme që njeriu posedon. Mund të thuhet se çdo person e
kupton dhe përjeton kohën në mënyrë të veçantë, ose shprehur më thjesht: secili
ka (ose nuk ka) bereqet në kohë. Bereqeti në kohë nënkupton gjerësi
dhe plotësim i nevojave në të.

Koha u është dhënë të gjithëve

Allahu i
Plotfuqishëm, në Kuran betohet për kohën: 1. Betohem në kohë, 2. – me të
vërtetë, njeriu është në humbje, 3. – përveç atyre që besojnë dhe punojnë vepra
të mira, dhe të cilët rekomandojnë njëri-tjetrit të vërtetën (fenë Islame), dhe
të cilët i rekomandojnë njëri-tjetrit durimin, (në zbatimin e urdhërave të Allahut).“
(el-Asr, 1-3)

Dëshmia më e madhe e
shkatërrimit dhe humbjes së njeriut pikërisht është koha. Është interesante se
kësaj sureje kuranore, i paraprijnë ajetet që flasin për përpjekjet njerëzore
për ta rritur pasurinë, duke përfunduar me ajetin: “Pastaj, atë Ditë, do
t’ju pyesin për kënaqësitë (e kësaj bote)!”

Pas sures el-‘Asr,
në mënyrë kronologjike pason surja e cila fillon me këto ajete: “Mjerë për
çdo përqeshës – shpifës, – që grumbullon pasuri dhe e ruan, (për ardhmërinë e
ëndërruar) – dhe mendon që ajo pasuri e tij, do ta bëjë të pavdekshëm!”

Surja el-Asr,
pra, është i pozicionuar midis tregimit të dy të vërtetave të lartpërmendura
për jetën e njeriut. Këtë lidhje midis sureve të përmendura, mund ta kuptojmë
edhe në këtë mënyrë: O njeri, ti do të pyetesh për të gjitha begatitë që i ke
shfrytëzuar, ku më e madhja syresh është koha që u është dhënë të
gjithëve në dispozicion, qoftë besimtar apo jobesimtar, i pasur apo i varfër, i
shëndetshëm apo i sëmurë, i ri apo plak.

Sipas disa
komentuesve të Kuranit, të cilët fjalën el-‘Asr e interpretojnë si një
periudhë të caktuar kohore, Allahu i Madhëruar betohet për jetën e Muhamedit
(savs), siç bëhet në suren el-Hixhr (ajeti i 72), kështu që nëse e marrim në konsideratë
këtë interpretim, ajeti i mësipërm mund të kuptohej: Pasha jetën tënde, o Muhamed,
që si mëshirë ke ardhë për të gjithë njerëzit, nëse ata (njerëzit) nuk e ndjekin
shembullin tënd, dhe nuk do ta kalojnë kohën ashtu siç ke vepruar ti – ata me
të vërtetë do të jenë në humbje.

Transmetohet se sa herë
që takoheshin dy nga shokët e Pejgamberit (savs), ata nuk shpërndaheshin derisa
t’ia lexonin njëri-tjetrit suren el-‘Asr, duke ia kujtuar humbjen e përjetshme atij
që nuk e shfrytëzon.

Ndjenja e muezinit për kohën

E kam dëgjuar një
profesor, i cili gjatë ligjëratës së tij tregonte se muslimanët humbin me miliarda
dollarë në vit, vetëm për shkak të vonesave në takime të rëndësishme dhe për mos
kryerje të detyrave me kohë. Saktësia, vetia e cila së pari do të duhej t’i
zbukuronte muslimanët, është bërë veti dalluese e disa popujve të tjerë ose e produkteve
të tyre. Të gjithë kemi dëgjuar për precizitetin dhe saktësinë perëndimore, e
cila shpesh krahasohet me mekanizmin e orës zvicerane. Muslimanët janë shumë të
saktë kur bëhet fjalë për pritjen e iftarit, por me të drejtë mund të pyesim, se
a jemi të saktë edhe p.sh. kur bëhet fjalë për dhënien me kohë të provimit, për
shlyerjen e borxhit, për përmbushjen e detyrimeve… Na mungon ndjenja e
rafinuar e muezinit për kohën, i cili çdo ditë është i vetëdijshëm për precizitetin,
saktësinë dhe domethënien e kohës.

Koha është tepër e çmuar

Për rëndësinë e një
viti, pyeteni studentin i cili e përsërit vitin e studimeve.

Për rëndësinë e një muaji,
pyeteni ushtarin i cili është në stërvitje.

Për rëndësinë e një
jave, pyeteni redaktorin e një gazete javore.

Për rëndësinë e një dite,
pyeteni punëtorin i cili punon punë të rënda për ta ushqyer familjen e tij të
madhe.

Për rëndësinë e një
ore, pyetni dy të dashuruar të cilët dëshirojnë ta shohin njëri-tjetrin.

Për rëndësinë e një
minute, pyeteni personin i cili e ka humbur një fluturim të rëndësishëm të
aeroplanit duke u vonuar vetëm një minutë.

Për rëndësinë e një
sekonde, pyeteni personin i cili për një sekondë i është shmangur aksidentit.

Për rëndësinë e një
të qindtës së sekondës (1/100), pyeteni personin i cili për një të qindtën e
sekondës nuk e ka fituar vendin e parë në lojërat olimpike.

Respektoni kohën

Ibn Abasi (r.a.),
transmeton se Muhamedi (savs), ka thënë: “Dy begati janë që njerëzit nuk i
shfrytëzojnë sa duhet, shëndeti dhe koha e lirë.”
(Buhariu)

Të dyja këto begati mund
të gjenden më shumë tek të rinjtë, të cilët kohën e tyre të lirë më me dëshirë
e investojnë në Facebook sesa në veten e tyre, duke u admiruar me miliarda dollarë
të pronarit të tij, i cili ka përfituar duke investuar dhe tregtuar me kohën e tjetërkujt.
A nuk është një formë skllavërie dhe poshtërimi nëse të tjerët e investojnë
kohën tonë të lirë?

Një person që është
skllav, ai nuk ka të drejta, përkatësisht, ai përfaqëson pronësinë e personit ose
grupit tjetër – zotërisë. Ai është i detyruar të kryejë punë dhe shërbime të
tjera për zotërinë e tij, dhe për këtë nuk është i autorizuar të marrë asnjë
kompensim. Personi që nuk e vlerëson kohën tonë, nuk na vlerëson as neve. Njeriu
nuk do të lëvizë asnjë hap në Ditën e Gjykimit, derisa të përgjigjet për begatinë
e kohës. Paraardhësit tanë të mirë e kishin zakon të thoshin se, e kanë të humbur
çdo ditë në të cilën nuk kanë bërë ndonjë vepër të mirë, ose në të cilën nuk kanë
mësuar diçka të re. Kohën nuk e vlerëson personi i cili është i pakujdesshëm.
Humbja e kohës është mos falënderim për begatitë e Allahut. Ibn Kajjimi (r.h.),
ka thënë: “Një nga shenjat se një njeri nuk e do Allahu dhe nuk
është i kënaqur me të, është nëse ai e humb kohën e tij.”

Mos e shani kohën

Shumë herë kemi
dëgjuar që dikush kishte një ditë të keqe, një muaj të pafat, një vit katastrofal
etj. Nëse dita, muaji, apo viti ishin vërtet të pafat, atëherë kjo fatkeqësi do
të aplikohej për të gjithë njerëzit. Sa është i rrezikshëm një pretendim i tillë
dhe të ngjashëm, ndoshta më së miri e ilustron hadithi kudsijj, të cilin nga Pejgamberi
(savs) e transmeton Ebu Hurejre (r.a.), në të cilin thuhet: ”Allahu i Madhërishëm thotë: Biri i Ademit më
fyen kur e shan kohën, e në fakt Unë jam koha, e ndërroj natën dhe ditën.”
(Buhariu)

Ashtë e njohur një
thënie: “Ne kërkojmë mangësi në kohë, kurse mangësia është në ne. Koha, me
të vërtetë, nuk ka mangësi dhe të meta tjera, përveç neve.”

Investoni kohën tuaj të lirë

Koha e lirë përkufizohet
si koha të cilën njeriu mund ta përdorë sipas dëshirave të tij, pasi që t’i
ketë realizuar më parë të gjitha nevojat dhe kërkesat e tij (gjumin, ushqimin,
higjienën personale…) dhe pasi që t’i ketë përmbushur të gjitha obligimet
(punën, mësimin, vizitën e të afërmve, përmbushjen e detyrimeve bashkëshortore,
etj). Koha e lirë gjithashtu është pjesë e jetës sonë, në të cilën ne nuk duhet
t’i neglizhojmë dhe t’i lëmë pas dore detyrat tona ndaj Allahut të Madhëruar
dhe ndaj njerëzve. Duke pasur parasysh këtë, shumë dijetarë islamë pohojnë se
muslimani nuk ka kohë të lirë në kuptimin e plotë të fjalës. Sa më komplekse të
jetë një bashkësi njerëzore, aq më pak ka kohë të lirë. (…)

Ne nuk duhet të
kënaqemi duke e harxhuar kohën ‘nga dita në ditë’. Kjo është jetë pa
perspektivë, pa shpresë, pa kuptim dhe pa bukuri. Në vend të kësaj, ne mund ta
shfrytëzojmë kohën dhe ta investojmë me kujdes për qëllime të dobishme. Dëshmia
e Hasan el-Basriut (r.h.), ndoshta më së miri e ilustron se çfarë qëndrimi ndaj
kohës kanë pasur disa nga bashkëkohësit e tij: “Unë kam jetuar me njerëz,
të cilët ishin më koprracë për kohën e tyre, sesa ju që jeni koprracë për
paratë tuaja!”

Produktiviteti edhe pas vdekjes

Muhamedi (savs), na
ka mësuar se, çdo moment i jetës sonë është mundësia më e mirë për të bërë
vepra të mira.

Një proverb thotë: “Vepra
më e mirë është ajo, për kryerjen e së cilës nxitohet.

Malik ibn Enesi (r.a.), transmeton se Muhamedi (savs), ka thënë:  “Nëse dikush prej jush ka marrë në dorë për të mbjellë një fidan, dhe në atë moment e vëren se është duke u bërë kiameti, le ta mbjellë fidanin para se të bëhet kiameti.” (Buhariu dhe Ahmedi)

preporod.com

Përkthim: Miftar Ajdini

(islampress)

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-