Një evlija nga rrethinat e Bagdatit e kishte emrin Ibrahim b. Ahmed, llagabin e kishte Havvas, ndërsa nofkën Ebu Is’hak. Havvas ka kuptimin shportë e thurur prej gjetheve të hurmës.
Ibrahim Havas vdiq në vitin 903 në qytetin e Rejit. Ai përherë përsëriste se durimi është kushti i parë për çdo sukses. Ai që nuk duron, nuk do të ketë kurrë sukses.
Atë e konsideronin si sahabiun më të njohur për mbështetjen në Zotin. Megjithatë, ai përherë si në udhëtim, ashtu edhe në vendqëndrimin e tij mbante me vete një gjilpërë, një rrotë peri, një pagure dhe një thikë. Këto duhet t’i mbash përherë me vete, thoshte.
I pëlqente shumë të dilte dhe të udhëtonte. Gjatë udhëtimeve merrte edhe nxënësit e tij me vete. Rrëfehet se ka shkuar me dhjetra herë në Mekë. Njërën nga këto udhëtime e rrëfen njëri prej nxënësve të tij me këto fjalë:
“Bëmë nijet së bashku me Ibrahim Havasin të shkonim në haxh. Para se të niseshim, më tha:
– Njëri prej ne të dyve duhet të bëhet udhëheqësi i tjetrit në këtë udhëtim. Ai do të drejtojë gjatë gjithë udhëtimit.
– Bëhuni juve udhëheqësi im. – i thashë dhe ai pranoi. U nisëm për rrugë.
Rrugës bëmë konak që të pushonim ca. Më tha të ulem dhe filloi të shërbente vetë. Nxirrte ujë nga pusi. Mblodhi dru dhe ndezi zjarr. Gatoi gjellën dhe më dha për të ngrënë edhe mua. Dëshiroja që ta ndihmoja teksa i bënte gjithë këto, por nuk pranonte. Sado që unë ngulmoja ta ndihmoja, ai më bënte shenjë ta lija dhe të ulesha.
Pasi pushuam ca u nisëm për udhëtim. Na zuri një shi i rrëmbyeshëm. Hoqi njërën rrobë dhe e mbajti mbi kokën time, që të mos lagesha. Nisa të ndjehem shumë ngushtë nga gjithë ky shërbim i mësuesit tim. Në fakt duhesha unë t’i shërbeja atij, por ai nuk më dha asnjë mundësi që t’i shërbeja me argumentimin se ishte ai udhëheqësi i udhëtimit. Meqë nuk pata fatin t’i bëja as shërbimin më të vogël, nuk kishte minutë që nuk ndjeja pendesë që nuk kisha zgjedhur që të bëhesha unë udhëheqësi i udhëtimit.
Vazhduam rrugën për ditë me radhë në këtë mënyrë. Pas një udhëtimi të gjatë, më në fund mbërritëm në Mekë. Pasi kryem adhurimin e haxhit, u nisëm në rrugën e udhëtimit për në Bagdad. Ky udhëtim ishte mësimi më i paharrueshëm që kisha marrë në jetën time. Pasi u kthyem nga haxhi, Ibrahim Havasi më këshilloi me këto fjalë:
– Biri im! Kështu të shërbesh edhe ti kur të bëhesh udhëheqës. Udhëheqës nuk është ai që i vë të tjerët t’i shërbejnë atij, por ai që u shërben të tjerëve. Ai që u siguron miqve të tij lumturinë dhe qetësinë dhe i duron problemet që i krijojnë të tjerët.”
Rrëfehet se Ibrahim Havasi nuk i tregonte askujt nëse kishte vendosur të dilte për udhëtim. Kur nisej merrte me vete vetëm enën e ujit. Hamid el-Esved ka rrëfyer këtë ngjarje, që gjendet e regjistruar në tefsirin Ruhu’l-bejan:
“Një herë po qëndronim së bashku me Ibrahim Havasin brenda në xhami. Mori enën e ujit dhe doli jashtë. Unë u ngrita dhe i shkova nga pas. Pasi ecëm një copë here, u kthye nga unë dhe më tha:
- Ku po shkon kështu, o Hamid?!
- Po ju ndjek juve nga pas. – iu përgjigja unë.
- Unë jam nisur të shkoj për në Mekë, inshallah. – më tha.
- Dhe unë atëherë, inshallah. – i thashë.
U nisëm për në Mekë dhe rrugës takuam një djalosh të ri. Ai u bashkua me ne.
Djaloshi udhëtoi me ne një ditë e një natë. I riu nuk falte namaze. Këtë gjë ia tregova Ibrahim Havasit.
Pas një copë here Ibrahim Havasi ndaloi për të bërë një pushim. Nisi të hynte në bashkëbisedim me djaloshin dhe mes të tjerash e pyeti:
- O djalosh! Përse nuk e fal namazin? A nuk e di se namazi është një obligim më i fortë se sa haxhi?!
- O shejh! – iu përgjigj djaloshi. – Unë nuk e kam detyrim namazin!
- A nuk je mysliman ti? – e pyeti Ibrahim Havasi.
- Jo. – iu përgjigj ai.
- Cila është feja jote? – e pyeti Ibrahim Havasi.
- Unë jam i krishterë. – u përgjigj djaloshi. – Por kam arritur nivelin e besimtarit që i mbështetet vetëm Zotit sipas besimit tim. Uni më mbushi mendjen se unë e kam arritur këtë nivel dhe dola në shkretëtirë, aty ku nuk ka krijesë tjetër përvec Zotit. Vendosa që të zhytesha në meditim.
Ibrahim Havasi u ngrit dhe nisi të ecte, ndërkohë që më tha mua:
- Lejoje të vijë bashkë me ty!
Djaloshi vazhdoi të ecte rrugës bashkë me ne. Në fund fare mbërritëm në kufirin e haremit. Ibrahim Havasi u ngrit, hoqi rrobat dhe i lau mirë e mirë me ujë. Pastaj u ul dhe e pyeti djaloshin:
- Si të quajnë?
- Abdulmesih. – u përgjigj ai.
Ibrahim Havasi i tha:
– O Abdulmesih! Këtu fillon kufiri i zonës së Mekës. Allahu e ka vënë këtë kufi që të mos e kalojnë jomyslimanët sikurse je ti dhe për këtë në Librin e Tij ka thënë: “…Mushrikët janë të fëlliqur, prandaj prej këtij viti e tutje të mos i afrohen Mesxhidi Haramit…” (Tevbe, 28) Unë kisha për qëllim që të dilte në shesh ajo që ti mbaje përbrenda. Ti na e tregove atë. Mos e kalo kufirin e caktuar.
Pasi tha këto fjalë u ngrit dhe u nis. Hamid el-Esved iu vu nga pas. Ata e lanë aty djaloshin dhe hynë në Mekë.
Pastaj u nisën në drejtim të Arafatit. Ndërsa po rrinin në Arafat dalluan nga larg djaloshin e udhëtimit, i cili po vinte në drejtimin e tyre i veshur me dy copë peshqirë të mëdhenj.
Ai kishte veshur ihramin dhe ecte duke i parë njerëzit në fytyrë, në mënyrë që t’i dallonte se kush ishin. Në fund fare u afrua pranë nesh. Kur e pa Ibrahim Havasin u përkul para tij dhe ia puthi duart.
- O Abdulmesih! – i tha Ibrahim Havasi. – Çfarë ka ngjarë me ty?
- Mos! – i tha djaloshi me sytë e përlotur. – Unë tani nuk jam më robi i Mesihut, por i Allahut, tani e tutje emri im do të jetë Abdullah.
- Pa më trego si ngjau. – i tha Ibrahim Havasi. Djaloshi filloi të na tregonte:
- Pasi u ndava prej jush, qëndrova ashtu i ulur dhe nisa të mendoja. Në atë moment pranë meje kaloi një karvan me haxhilerë. Ishin veshur të gjithë me rroba të bardha. U ngrita në këmbë në shenjë respekti. Pikërisht në këtë moment në zemër ndjeva një ndjenjë të re. Dashuria ime për ju nisi të më shtohej. E ndjeja veten a thua se kisha veshur ihramin dhe gjendesha në Qabe. Në çast të gjithë besimet humbën rëndësinë e tyre në sytë e mi përpara fesë islame. Vendosa të bëhesha mysliman, mora gusl dhe vesha ihramin. Pastaj u vura në kërkimin tuaj.
Ibrahim Havasi u kthye nga unë dhe më tha:
- O Hamid! Shih se cila është begatia e besnikërisë ndaj fesë! E pe se si e pranoi ai Islamin?
Djaloshi që prej asaj dite e kaloi jetën së bashku me ne dhe vdiq duke qenë njëri nga të dashurit tonë.
Ismail Haki Burseviu ka nxjerrë këto përfundime nga kjo histori:
1. Ashtu sikurse një mushrik i zhytur në shirk nuk mund të hyjë në haremin e Qabesë, ashtu edhe një pretendues që mbron vetëm pretendimin e tij nuk mund të hyjë në haremin e zemrës.
2. Ky djalosh pati shijuar momentet e qëndrimit së bashku me besimtarët e devotshëm. Ai pati shoqëruar me ditë me radhë një njeri të ditur siç ishte Ibrahim Havasi. Allahu nuk ia çoi dëm këtë udhëtim me të, por ia shndërroi në një kapital besimi.
3. Besnikëria që kishte djaloshi ndaj shpirtit të tij e shtyu atë drejt besimit tek Allahu dhe e nxiti të refuzonte të pavërtetën dhe të gënjeshtërtën.
4. Ata që janë në kërkim të së vërtetës dhe të së drejtës përfitojnë nga njerëzit e mirë, nëpërmjet tyre gjejnë Zotin dhe nuk i përgënjeshtrojnë argumentet e Zotit.
Zoti na mundësoftë të gjithëve të arrijmë nivelin e sinqeritetit dhe besnikërisë ndaj fesë dhe na bëftë nga ata që i mbështeten vetëm Zotit dhe u shërbejnë myslimanëve!
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.