Autori: Kasam Muhameti
Shteti Turk na ka përkrahur gjithmonë: para, gjatë luftës dhe pas saj. Turqia ka dhënë kontribut të madh për vendin tonë, dhe anasjelltas, shqiptarët dhanë kontribut për Turqinë.
Gjatë muajit prill 2013, BIK-ja, në bashkëpunim me Diyanet Işleri Başkanlığı,organizuan një vizitë në Bursa të Turqisë nga 30 imamë nga këshillat e BIK-së, me qëllim trajnimi. Në mesin e këtij grupi pata fatin dhe nderin të isha edhe unë (K.M.). kjo ndodhi për të parën herë për shumicën e kolegëve. Udhëtimi ishte planifikuar të bëhej me aeroplan . Nga aeroporti i Prishtinës “Adem Jashari” na përcollën Fatmir Iljazi-zyrtar i BIK-së dhe hfz. Idris Keskin- përfaqësues i Diyanetit në Prizren dhe imam në xhaminë e Sinan Pashës. Zumë vendet në
aeroplan dhe, sapo u stabilizua aeroplani gjatë fluturimit, shërbyesit na ofruan për të ngrënë.
Ajo që më bëri përshtypje që në fillim, para se të hanim, ishte se në secilën pako ishte vënë nga një tiketë, ku shkruante: “Vëmendje, ushqimi nuk përmban elemente të derrit”. .
U mahnitëm, ndërtesa ku qëndruam plot një muaj, ishte ngritur në një vend shumë të përshtatshëm në këtë qytet, me të gjitha objektet e tjera shtesë: shatërvani për abdest, mesxhidi, kuzhina, sallat për mësim, dhomat e gjumit, amfiteatri, uji i ngrohtë pandërprerë, parkingu etj.. Aty na priti me zemërgjërësi drejtori i kësaj qendre Jusuf Sarëkaja, i cili na njoftoi për punën që zhvillohet në qendër. Ai na mundësoi gjithashtu që të bënim vizita të ndryshme edhe nëpër disa qytete dhe fshatra të tjera dhe në objekte të vjetra me rëndësi historike, pastaj na shoqëronte dhe na takonte me shumë personalitete dhe imam të këtij qyteti, të cilët na ligjëronin për çështje të ndryshme të jetës fetare, për raportet me xhematin, si dhe na shpjegonin për përvojat dhe të arriturat e tyre. Drejtori na mundësoi po ashtu që të bënim vizita nëpër xhami dhe na takoi edhe me myftiun e Bursës Dr. Mehmet Emin Aj. Myftiu na priti në xhaminë “Edeb Ali” dhe na mbajti një ligjëratë. Ndërtimi i bukur i xhamive, rregulli që mbizotëronte gjithandej, pastaj përkujdesja ndaj objekteve të vjetra,… janë shumë gjëra që bien në sy dhe të lënë gojëhapur. Ngado pamë vizitorë të shumtë nga vende të ndryshme, që do të thotë se Turqinë e lakmon kushdo, myslimanë ose jomyslimanë. Pastërtia në përgjithësi në Bursa dhe në qytete të tjera të Turqisë është e dukshme, parqe të mbjella me lule e bar dhe të mirëmbajtura, dhe një pastërti mahnitëse në mjedise të xhamive. P.sh. nuk lejohet hyrja në xhami këmbëzbathur ose me çorape të papastra! Nëpër hyrje të xhamive ka çorape të reja dhe aty shkruan: “Ju lutemi, mos hyni këmbëzbathur dhe me çorape të papastra, merrni këtë, nëse keni nevojë”.
Turqia-mike e fortë e Kosovës
Shteti Turk na ka përkrahur gjithmonë: para, gjatë luftës dhe pas saj. Ai po ndjek me kujdes të madh edhe zhvillimet e shtetit tonë, që nga shpallja e Pavarësisë. Na ndihmoi dhe po na ndihmon përsëri. Tashmë është e ditur se ajo është forcuar në shumë aspekte dhe po zhvillohet përditë e më shumë. Një shtet i ri – Kosova, medoemos duhet të dijë se si është ndërtuar një shtet i vjetër-Turqia.Turqia po dëshmon se është një mike e vërtetë e vendit tonë-Kosovës dhe, si duket, këtë miqësi po e forcon më shumë. Për të mos thënë obligim, shteti turk ka arsye që të ketë miqësi me ne, për të na ndihmuar e për të na përkrahur, ngase edhe populli ynë, që nga themelimi i Perandorisë Osmane, po dhe në formimin e Turqisë së re ka dhënë kontribut të madh. Ka nga ata shqiptarë, të cilët kishin pozita të larta, dhe nga ata që kanë luftuar dhe kanë dhënë jetën për themelimin e shtetit të Turqisë. Sot, nga konsiderata që ka Turqia ndaj vendit tonë, do të shohim se pranë varrit të Ertugrul Gaziut (1188-1281) në qytetin Sogyt, në mesin e “Nga një grushti dheu” (të vendosur nëpër kuti speciale), është edhe një grusht dheu nga Kosova që shkruan: “Kosova. Kjo është edhe një simbolikë e vendeve që ishin pjesë e Perandorisë Osmane.
Jeta fetare e organizuar shumë mirë
Mësuam se në Turqi çdo gjë funksionon ashtu si duhet dhe gjërat zhvillohen paralelisht. Përveçqë feja mësohet në shkolla fetare, gjithashtu disa lëndë fetare mësohen edhe në shkolla fillore dhe të mesme shtetërore. Në punë dhe aktivitete të ndryshme, pamë se një numër i madh femrash janë të inkuadruara kudo. Mbulesës së trupit dhe moralit i kushtohet rëndësi e madhe nga shumica e popullsisë- qofshin meshkuj ose femra. Mëherët, po edhe kohët e fundit shtrohen disa çëshje e pyetje banale, si: Pse myslimanët kanë mbetur mbrapa? Pse nuk po zbulojnë asgjë? e të tjera. Ata që pyesin kështu, le të tregojnë
p.sh. pse Turqia sot është shumë më përpara të tjerëve dhe gjithçka tashmë është në gjendje të bëjë dhe të prodhojë vetë?! Ose, cila fe në botë zbuloi ose zbulon?! Po kinezëve, a thua cila fe u zbuloi diçka që sot kanë pushtuar tregun, pothuajse në të gjitha vendet e botës?! Prandaj, duhet kuptuar edhe feja islame ndryshe (ata që i japin përparësi ndonjë feje tjetër ), se edhe Islami të mëson, të këshillon, kurse njeriut Allahu ia ka dhënë mendjen: për të menduar, logjikuar, studiuar, gjykuar, zbuluar etj.. Asnjë fe në botë, dhe Islamin kurrsesi, nuk ka nevojë ta shantazhojmë me teori boshe të kësaj bote. Aspektet jetësore njeriu i arrin me intelektin e tij-mbarë ose mbrapsht. Kurse sa për fenë islame, duhet ta dimë ç’na mësoi e ç’na mëson. Duhet kuptuar qartë se, për të përparuar një popull, një vend, siç është Turqia, kjo varet nga shumë kushte e rrethana: pozita gjeografike, klima, zhvillimet politike e ekonomike. Prandaj Turqia, edhe për fatin tonë të mirë, i ka të gjitha: detin, ujin, tokën, fushën, bjeshkën. Në fakt, ajo të gjitha këto i ka arritur posepo duke e respektuar fenë, pastaj me luftë, me punë dhe me shkollë. Pra, me punë dhe sakrificë arrihet gjithçka. Është një popull që e do veten dhe punën. Turqia, veç të tjerash, është edhe shtyllë e fortë për Islamin dhe myslimanët e mbarë botës. Shpresojmë se ajo do të jetë një pasqyrë e mirë për gjithkënd edhe në të ardhmen. Kur jemi duke bërë fjalë për këtë çështje, na pëshpërit në mendje diçka tjetër: Kohët e fundit po bëhet pak zhurmë edhe rreth propozimit të Qeverisë Turke për korrigjimin e disa detajeve historike që kanë të bëjnë me ne dhe Turqinë. Unë me këtë rast mund të them vetëm kaq:
Turqia ka dhënë kontribut të madh për vendin tonë, dhe anasjelltas, shqiptarët dhanë
kontribut për Turqinë.
Duhet të kemi parasysh se një numër i madh shqiptarësh në periudha të ndryshme kohore gjetën strehë në Turqi dhe nga ata që kemi takuar ne, do të shohim se i kanë kushtet jetësore shumë të mira, zhvillojnë biznese të ndryshme. Pastaj emri i Mehmet Akif Ersojit që ishte me prejardhje shqiptare-nga Peja (1873-1936), është numër një në Turqi dhe puna e kontributi i tij. Me sytë tanë e pamë se në Fakultetin Islam në Bursa është një dhomë speciale dhe quhet “Salloni i Mehmet Akif Ersojit”, ku janë të ekspozuara edhe veprat e tij. Ato, aty ruhen me kujdes dhe janë të mbyllura me dry. Ose nënkryetari i Bursës na ftoi në një darkë dhe na mbajti një fjalim në gjuhën shqipe- ishte me prejardhje nga Kamenica, etj…
Ky artikull është botuar në revistën “DITURIA ISLAME”, Nr. 275, Qershor, 2013. Rrugëtim
(Fotoja është realizuar më 16.09.2013. Një dhuratë modeste për mbështetje të vazhdueshme të Dijanetit Turk ndaj nesh. Në foto me Idris Keskin, atëherë përgjegjës i zyres së Dijanet-it në Prizren).
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.