Atë që Zoti (xh.sh.), e ka shkruar për ne dhe nuk ndryshon e quajmë kader. Në këtë botë kemi lindur dhe marrim frymë me të. Çdo gjë që hamë, pimë, shikojmë, ndjejmë, mendojmë dhe bëjmë është shfaqja e atij kaderi.
Kaderi për ne është çështje besimi. Ne besojmë se Allahu Teala me emrin e Tij el-Hakim ka shkruar kaderin e çdo gjëje. Çdo krijesë, duke filluar nga njeriu e deri te ndonjë gur çakëlli, ekziston me atë kader dhe e vazhdon ekzistencën e tij duke iu dorëzuar atij kaderi. Askush nuk bën, nuk mund të bëjë në fakt, ndonjë gjë jashtë kaderit që ka shkruar Allahu Teala. Kur ne i besojmë kaderit bëhemi besimtarë. Për këtë arsye, nënshtrimi që shfaqim ndaj kaderit që na ka shkruar Zoti (xh.sh.), nuk është një nënshtrim i verbër. Ne i dorëzohemi kaderit dhe shpresojmë që të kemi fund të mirë. Gjithashtu shqetësohemi edhe për të ardhmen e atyre që kanë mangësi në nënshtrimin ndaj kaderit.
Kur dhe ku do të takohemi me jetën? Ku do të marrë fund jeta jonë? Këto dhe pyetje të tjera të ngjashme me to janë prej çështjeve më të njohura të kaderit. Fakti që Muhamedi (s.a.s.), është pejgamberi ynë, është një çështje kaderi. Edhe kaderi i umetit të Musait (a.s.), ishte që t’i besonin atij. Të gjithë e gjejnë kaderin e tyre ose kaderi i gjen të gjithë. Ne kështu besojmë.
Nëse kaderi është emri i fatit të pandryshueshëm që Zoti (xh.sh.), ka shkruar për ne, që në të vërtetë ashtu është, edhe njëra prej gjërave që është kaderi ynë është e vërteta se ne jemi vëllezër me të gjithë bijtë e Ademit që janë bërë besimtarë duke e thënë shehadetin si ne. Ky është vullneti i Allahut Teala. Allahu Teala urdhëron që njerëzit, edhe pse mund t’i kenë të ndryshëm prindërit e ngjyrat e lëkurës, të bëhen vëllezër nën çatinë e besimit. Vullneti i Allahut është kaderi ynë. Siç ka dëshiruar të na krijojë me ngjyra të ndryshme lëkure, ka dëshiruar që edhe besimi të na bashkojë krahas këtyre ngjyrave të ndryshme. Ky në të njëjtën kohë është limiti i çadrës gjithëpërfshirëse të Islamit të cilin na e ka zgjedhur për fe.
Myslimanët duhet të bëhen vëllezër duke i lënë pas të gjitha ndryshimet njerëzore e etnike. Ky është një urdhër i Kuranit siç është edhe urdhri për të shkuar në xhami për namazin e mëngjesit. Cilëtdo qofshin argumentet ku bazohet matja e të qenët mysliman me shkuarjen në xhami, te të njëjtat argumente mbështetet edhe aplikimi i vëllazërisë së myslimanit me myslimanin si një praktikë e Islamit. Ajetet e Kuranit Fisnik dhe hadithet e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), që urdhërojnë namazin, agjërimin dhe haxhin, urdhërojnë edhe vëllazërinë. Edhe ndërmjet fjalive të hytbes së lamtumirës gjenden detaje që e përforcojnë këtë vëllazëri.
Edhe pse vëllazëria dhe gjërat që kërkon ajo janë ngushtuar në ndjenja që mund të qëndrojnë të fshehta në zemër ndërkohë që ibadetit të namazit i kanë dhënë shumë forma që mund të preken edhe me dorë dhe mund të filmohen me kamera duke filluar që nga sixhadeja e deri te sexhdja, prapë se prapë vëllazërinë nuk do ta bëjnë dot një pjesë të besimit dhe të vërtetës së Islamit prej të cilës mund të heqim dorë. Për shembull, edhe kaderi nuk është një urdhër që mund të preket me dorë si namazi, por ai formon më të paktën një të gjashtën e besimit tonë. Meqë Allahu është Ai që urdhëron, ne nuk kemi të drejtë t’i kushtojmë vëmendje madhësisë fizike/materiale. Aq sa duhet t’i mbushim xhamitë me qëllim për të falur namazin, po aq jemi të detyruar t’i mbushim edhe zemrat me ndjenjën e vëllazërisë. Ky është një urdhër i besimit tonë. Kur ta bëjmë këtë, duhet ta bëjmë pa marrë parasysh dallimet tona etnike. Ne nuk duhet të na bashkojnë nënat apo tokat, por besimi. Ky është dallimi i të qenët besimtar. Rreziku që formohet nga zbrazja e xhamive duhet të na frikësojë njëlloj sa rreziku që formohet nga humbja e ndjenjave të vëllazërisë prej zemrave tona.
Ne si besimtarë nuk mund të bëjmë diferencime në vëllazëri nisur nga gabimet e njëri-tjetrit siç nuk mund ta pranojmë gjendjen etnike si faktor ndikues. Logjika themelore e vëllazërisë është e formuar mbi besimin. Përderisa besimi të mos jetë i zhdukur tërësisht, nuk mund të zhduket dhe nuk mund të pranohet si e tillë edhe vëllazëria jonë që është e bazuar te besimi.
Islami që i Dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, e shfaqi në Medine, është një Islam i tillë. Aq sa e brengosin xhamitë e trishtuara në ditët e sotme cilindo besimtar, po aq duhet ta brengosë edhe tabloja e dy besimtarëve që nuk e kanë konsoliduar dot vëllazërinë ndërmjet tyre, sepse Islami është feja e atyre njerëzve që kanë ndjenja në zemër. Ne si besimtarë që e kemi humbur ndjesinë shpirtërore, vazhdimisht e zgjasim rrugën për të arritur te kënaqësia e Allahut Teala.
Kaderi për të cilin na ka urdhëruar Allahu është që të bëhemi vëllezër. Kjo vëllazëri nuk duhet të jetë në fjalë apo letra, por në praktikë. Tashmë duhet të bëjmë projekte të mëdha për vëllazërimin e grupeve siç bëjmë projekte për të ndërtuar xhami madhështore. Dhe këtë duhet ta konsiderojmë si pjesë të fesë.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.