Opoja.net

Vendimi për shtesat e lehonave dhe fëmijëve, i mangët pa masa shtesë

Vendimi për shtesa për lehonat dhe fëmijët nuk është i rregulluar mirë thonë nga shoqëria civile. Sipas tyre ky vendim është ndihmë e mirë financiare, por pa masa shtesë është i mangët.

Leonida Molliqaj, drejtore ekzekutive në Qendrën për Informim, Kritikë dhe Aksion (QIKA), tha se politikat për pagesat për lehona është një ndihmë e mirë për familjet e reja, por nuk i fuqizon gratë në shoqëri.

58
Cilën kandidatë e shihni fituese në raundin e dytë të zgjedhjeve ?

Sipas, Molliqajt për kësi lloj vendimesh duhet të ketë edhe masa shtesë në mënyrë që t’iu rregullohet mirëqenia grave në një periudhë afatgjate.

“Politikat për pagesat për lehona është një ndihmë e mirë për familjet e reja në Kosovë, por mënyra sesi është prezantua nga Qeveria është problematike si qasje për shkak se Qeveria ka pretenduar se me anë të kësaj politike po fuqizon gratë, QIKA si organizatë e ka kundërshtuar këtë formë të Qeverisë. Na konsiderojmë që ndarja e pagesës vetëm për gratë që lindin është problematike pasi i ngujon edhe më tutje në shtëpi dhe i detyron edhe më shumë me u përball me punë të papaguar. Politikat e tilla pa masa shtesë si p.sh ndërtimi i çerdheve, plani konkret për punësimin grave, për shkollimin e grave, është i mangët, dhe është politikë që e rrit natalitetin që nënkupton politikë që e përdorë gruan si riprodhim”.

Ajo thotë se vendimi i Qeverisë mund të ndikojë që gratë të mos përfshihen në tregun e punës.

Tutje, Molliqaj thotë se duhet të bëhet pushimi prindëror, që të dy prindërit të kenë të drejtën të shfrytëzojnë pushimin për t’u përkujdesur për fëmijën.

“Ne besojmë që duhet të kemi pushim prindëror dhe jo të lehonisë. Ndihmesat financiare duhet të jenë të barabarta, dhe pagesat duhet të jenë për familjen… E vetmja formë për t’i nxjerr gratë prej varfërisë është punësimi. Kjo politikë nuk ka plan afatgjatë është politikë e përkohshme. Edhe nëse do të kishte më shumë të holla do të përfundonte si ndihmë, çfarë më pas ato vazhdojnë të qëndrojnë të shpija. Na po kërkojmë politika të punësimit.

“Përgjithësi gratë janë të papuna, një numër i vogël është të punësuara. Në vend që të kishte më shumë masa p.sh për hapjen e çerdheve që me ia ndihmuar grave. Në përgjithësi na e dimë që kur pushimi i lehonisë nuk ndahet në mënyrë të barabartë me burrin është pengesë për punësim”.

Sipas vendimit të Qeverisë, lehonat që kanë qenë të papuna në 12 muajt e fundit do të mbështeten me 170 euro në muaj për 6 muaj radhazi, ndërsa lehonat që figurojnë të punësuara në ndonjërin prej muajve në 12 muajt e fundit, do të mbështeten me 170 euro në muaj për 3 muaj radhazi

Në anën tjetër ekonomisti Imer Raçi, tha se janë shumë problematika që ka hasur sa i përket shtesave të fëmijëve, duke u nisur nga pamundësia për të aplikuar për shtesa edhe baballarët,  e deri tek shpenzimet e mirëmbajtjes.

“Aplikimi për shtesat e fëmijëve ka hasur në shumë probleme pasi që ju ka mundësuar aplikimi vetëm nënave dhe jo baballarëve. Ne  dimë që përqindja e grave të punësuara në Kosovë është 9% ndërsa e grave të papunësuara është 99%. Kjo është një shifër e lartë  e grave të papunësuara, e pastaj ato duhet të hapin llogari bankare që hapja e tyre menjëherë krijon shpenzime të mirëmbajtjes dhe ato nuk janë të ulëta në Kosovë”.

Tutje, ai tha se vendimi penalizon gratë që nuk janë të punësuara, pasi ka shumë banka që nuk u lejohet të hapin llogari bankare nëse nuk kanë kontratë të punës.

“Gjysma e shtesave shkon për mirëmbajtje bankare dhe përveç asaj, kjo e ka edhe një mangësi se në bankë nuk të hapin llogari pa kontratë të punës dhe vështirësi tjetër është se nëse shuma është 10 euro që është shumë simbolike ajo duhet të tërhiqet brenda bankave e që menjëherë krijon shpenzime tjera shtesë”.

Sipas tij nuk është një diskriminim në këtë ndarje të shtesave, por që do të ishte lehtësim nëse të dy prindërit do të mund të aplikonin,  raporton EO.

“Nuk do e quaja diskriminim, sepse gratë problemin kryesor e kanë tek punësimi dhe kjo ka ndodhur prej fillimit ku nuk i kanë arsimuar, ndërsa tek aplikimi i shtesave vetëm për nënat nuk do doja ta quaja një diskriminim por ndoshta një lehtësi më e madhe do ishte nëse edhe baballarët ta merrnin këtë shtesë”, theksoi tutje ai.

“Kjo shtesë sado që është e vogël dhe simbolike është një program pozitiv në atë aspektin si planprogram dhe ka qëllimin e ndihmës financiare, dhe është shumë  e vogël por duke shpresuar që në të ardhmen të ketë rritje”, përfundoi ai.

Nga 1 janari 2022, aplikimi do të hapet edhe për fëmijët që kanë lindur në vitin 2018 e tutje, dhe njësoj do të zgjerohen grupmoshat e fëmijëve që përfitojnë, çdo 6 muaj, derisa të mbulohen të gjitha moshat nën 16 vjeç. Për fëmijët 0-24 muaj, shtesat do të jenë 20 euro/muaj, kurse nga 24 muaj deri në 16 vjeç, nga 10 euro/muaj./FrontOnline

Agjencia e Lajmeve
www.opoja.net
Fokusi
Shiko
Zgjedhjet
Abonohu
Raporto