Vlera e ditës së Arafatit: Pse agjërimi në këtë ditë i fshinë mëkatet e dy viteve?

Opoja.net Opoja.net Artikuj

Nesër është dita e Arafatit, dita më e zgjedhur e vitit.

Rreth vlerës dhe domethënies së kësaj dite ekzistojnë shumë histori dhe qëndrime të dijetarëve. Këtu do t’i referohemi dhe do t’i kujtojmë vetëm tre çështje lidhur me këtë ditë.

Çfarë është Arafati dhe dita e Arafatit?

Dita e Arafatit është dita e 9-të e muajit Dhul-Hixheh, muaji i 12-të sipas kalendarit Hixhri. Është dita në të cilën haxhilerët mblidhen në Arafat, ndërsa Arafati është vend i famshëm, kodrinë në afërsi të Mekës.

Emri Arafat vjen nga folja arefe (të njohësh). Ky vend e mori këtë emër sepse, sipas mendimit të parë, ishte vendi ku u takuan Ademi dhe Havaja pasi u zbritën nga Xheneti. Sipas mendimit të dytë, emrin e mori kur Xhibrili, alejhis-selam u takua dhe ia mësoi Ibrahimit, alejhis-selam rregullat e haxhit dhe e pyeti: ‘Hel ‘arefte – a e kuptove?’. Një mendim tjetër është se Arafati e mori emrin e tij sepse është një vend i mrekullueshëm dhe i shenjtë që është zbukuruar për robërit e All-llahut, sepse në Taxhu-l-Arus (një nga fjalorët më të rëndësishëm arabë) thuhet se Arafat gjithashtu domethënë, të zbukurohet. Gjithashtu, ekziston një mendim tjetër ku thuhet se ky emërtim ka të bëjë me atë se njerëzit nga pjesë të ndryshme të botës atë ditë njihen me njëri-tjetrin, dhe gjithashtu, është një ditë kur njerëzit, skllevërit, i paraqiten All-llahut me veprat dhe adhurimet e tyre, siç thuhet nga Er-Ragib në El-Mufredat.

Çështja e parë: Vlera e ditës së Arafatit

I Dërguari i All-llahut salAll-llahu alejhi ue sel-lem në hadithin të cilin e shënon Muslimi thotë: Agjërimi në ditën e Arafatit i fshinë mëkatet e këtij dhe vitit të kaluar. Ebu Davudi e shënon transmetimin e Ukbe Ibën Amirit në të cilin i Dërguari i All-llahut salAll-llahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: Dita e Arafatit, dita e ofrimit të kurbanit dhe ditët e tekbiri teshrikut janë festa jonë dhe këto janë ditë të ngrënies dhe pijes.

Muslimi transmeton nga Aisheja radijAll-llahu anha, se i Dërguari i All-llahut salAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: Nuk ka ditë në të cilën All-llahu i Madhëruar liron nga zjarri më shumë robë se sa në ditën e Arafatit.

Çështja e dytë: Pse agjërimi në ditën e Arafatit i fshin mëkatet për dy vjet?  

Ibën Kajjimi ka thënë: “Në qoftë se dikush pyet pse agjërimi i ditës së Ashures i fshinë mëkatet për një vjet, ndërsa agjërimi i ditës së Arafatit për dy vjet, do t’i theksojmë dy mendime: E para është se dita e Arafatit ndodhë në muaj të shenjtë, ndërsa edhe muaji paraprak dhe ai që vijon janë gjithashtu muaj të shenjtë, që nuk është rasti me Ashuren. E dyta është se agjërimi i ditës së Arafatit është specifikë e ummetit tonë, ndërsa Ashureja është e trashëguar nga pejgamberët paraprak, ashtu që me bereqetin e të dërguarit Muhammed salAll-llahu alejhi ue sel-lem, vlera e Arafatit është dyfishuar.

Çështja e tretë: Arafatati dhe fshirja e mëkateve

Imam Neveviu thotë: “Disa njerëz e parashtrojnë pyetjen vijuese; nëse një person merr abdes, ne e dimë se ai është kefaret për mëkatet midis dy abdeseve, mëkate të cilat do t’i fshijë namazi, po ashtu, kur ne rregullisht falim namaz, mëkatet do t’i fshijë namazi i xhumasë. E njëjta gjë është rasti me agjërimin e Ramazanit, agjërimi i ditës së Ashurasë, i fshinë mëkatet e një viti, agjërimi i Arafatit i fshinë mëkatet e dy viteve.

Përgjigjja jonë është se dijetarët kanë thënë se çdo vepër e theksuar është vepër që fshinë mëkate. Në rast se njeriu i eviton mëkatet e mëdha, ndërsa i falen mëkatet e vogla, atëherë do t’i shënohen vepra të mira dhe do t’i rriten gradat. Në rast se ka pasur mëkate të mëdha, për shkak të veprave të tij të mira, do t’i fshihen mëkatet e vogla; shpresojmë që këto vepra do t’i zvogëlojnë mëkatet e mëdha dhe do t’ia lehtësojnë, ndërsa All-llahu e di më së miri.”

I Dërguari i All-llahut, lavdërimi dhe paqja e All-llahut qofshin për të, thotë: “Duaja më e mirë është duaja që bëhet në ditën e Arafatit, dhe duaja më e mirë që e kam thënë unë dhe pejgamberët para meje është: la ilahe il-lallahu, vahdehu la sherike lehu, lehul mulku ue lehul hamdu ue huve ala kul-li shejin kadir.”

Përkujdesu që mëkatet tua të perëndojnë (falen dhe shlyhen) me perëndimin e diellit të ditës së Arafatit.

Përshtati: Lutfi Muaremi

[Isl@mpress.ch]

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-