Vuçiq: Shqiptarët po përpiqen që fshehurazi ta pushtojnë veriun e Kosovës

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Kosova

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se shqiptarët po përpiqen, sipas tij, fshehurazi ta marrin veriun e Kosovës.

Pas njoftimit nga Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, se Policia e Kosovës po e kontrollon Liqenin e Ujmanit, Vuçiq ka thënë se ky “pushtim në heshtje” po ndodh me mbështetjen e fuqive më të mëdha evropiane dhe vendeve të QUINT-it.

Sipas tij, kjo që është njoftuar të enjten është shkelje e Marrëveshjes së Brukselit, shkroi agjencia serbe e lajmeve, Tanjug.

“Sot ministri i tyre i Brendshëm njoftoi se kontrollojnë plotësisht liqenin e Gazivodës, që do të nënkuptonte shkelje e re e Marrëveshjes së Brukselit, sipas së cilës policia në veri duhet t’i takojë Drejtorisë së Veriut, pra serbët duhet të jenë aty, por atyre nuk u interesojnë për këtë në të vërtetë”, ka deklaruar Vuçiq.

Sveçla njoftoi të enjten se Policia e Kosovës ka nisur me patrullimin e hapësirës së liqenit të Ujmanit. Ai ka thënë se ky patrullim po bëhet për herë të parë që nga paslufta.

“Për herë të parë që nga paslufta, pas krijimit të njësitit për patrullim ujor, Policia e Kosovës sot filloi me patrullimin e rregullt të vijës kufitare mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, si dhe gjithë hapësirës së Liqenit të Ujmanit”, ka shkruar Sveçla.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-