Në përgjithësi historia dhe jeta e kombeve është ndriçuar përmes fesë, diturisë dhe urtësisë së sjellë nga pejgamberët. Në këtë mënyrë, me kalimin e kohës njerëzimi ka siguruar përparimin e tij, duke zhvilluar shkencën, mendjen, vullnetin, punën, përpjekjen dhe përvojën e vet. Pasuritë botërore, si kultura, qytetërimi, arti dhe vlera të tjera janë prodhim i një pune të gjatë. Roli i unitetit dhe përpjekjes njerëzore është i padiskutueshëm në rritjen e këtyre sukseseve. Por fatkeqësish, në themel të padrejtësive dhe despotizmit është përsëri elementi njeri.
Duke u nisur nga kjo, arrijmë në konkluzionin se paqja, qetësia dhe stabiliteti botëror janë lidhur pazgjidhshmërisht me mendimin, vullnetin, veprimin dhe sjelljet e njerëzve. Për këtë arsye, qëllimi kryesor i dërgimit të pejgamberëve e librave hyjnorë ka qenë disiplinimi i sjelljeve të njeriut. Thënë ndryshe, synimi i përbashkët i çdo fushe dhe profesioni është edukimi i një njeriu dhe qytetari të mirë. Nga kjo pikëpamje, qëllimi kryesor i shërbimit fetar është ndihma për të besuar drejt, për të adhuruar saktë dhe për të përmirësuar sjelljet e njeriut.
Në fakt, qëllimi kryesor i fesë është sigurimi i lumturisë së njeriut në këtë botë dhe në botën tjetër. Në këtë kontekst, synimi i imamit është sigurimi i një potenciali të pasur xhemati. Në këtë këndvështrim, xhemati përbën një thesar të pashtershëm për imamin. Prezantimi, këshillimi, negocimi, afrimiteti dhe konsultimi me xhematin kanë rëndësi vitale për arritjen e qëllimit.
Kjo arrihet vetëm me ndërmjetësimin e imamit, sepse kuadrot fetarë janë në qendër të xhamisë, e cila konsiderohet si hapësirë e përbashkët sociale. Për këtë arsye, ata janë në kontakt të vazhdueshëm me njerëzit dhe, që ky kontakt t’i shërbejë qëllimit, duhet të realizohet vetëm përmes një komunikimi sa më produktiv. Feja urdhëron bashkimin Feja islame urdhëron për bashkim, unitet, solidaritet dhe kontribut social. Në asnjë mënyrë feja islame nuk e lejon përçarjen, ndarjen dhe grindjet. Kjo është e vlefshme brenda dhe jashtë xhamie. Sipas Kuranit, ndihma e ndërsjelltë konsiderohet themel i ekzistencës sonë dhe begati e çmuar dhuruar njeriut.
“Të gjithë mbahuni fort për litarin e Allahut (Kuranin) dhe mos u përçani! Kujtoni dhuntinë e Allahut për ju, sepse, kur ishit në armiqësi, Ai i pajtoi zemrat tuaja e, në sajë të dhuntisë së Tij u bëtë vëllezër. Dhe ju ishit buzë greminës së zjarrit, ndërsa Ai ju shpëtoi prej saj. Kështu, Allahu jua shpjegon shpalljet e Veta, që ju të drejtoheni në udhën e drejtë.” (Ali Imran, 103) Për nga aftësia, inteligjenca dhe mënyra e të menduarit, njerëzit mund të jenë të ndryshëm. Divergjencat në pikëpamje dhe mendime janë më se normale, duke qenë se njerëzit janë të natyrave të ndryshme, por këto divergjenca duhet të mbesin vetëm në domenin e mendimit. Divergjencat nuk duhen shndërruar në urrejtje, mëri dhe inat, duke shkelur kufijtë e respektit dhe mirëkuptimit reciprok, për më tepër kur jemi të gjithë udhëtarë të një rruge, që Allahu e quan në Kuran rruga e drejtë: “Kjo është rruga Ime e drejtë; prandaj ndiqeni e mos shkoni rrugëve të tjera, që ju shmangin nga rruga e Tij. Kjo është ajo që ju porosit Ai, për t’u ruajtur nga të këqijat.” (En’am, 153) Siç konstatohet lehtë, bashkimi dhe uniteti shprehin një rëndësi të madhe për jetën sociale. Ndihma reciproke nuk është e nevojshme vetëm për botën e njeriut, por edhe për atë të kafshëve dhe bimëve. Pejgamberi (a.s.), duke na kujtuar rëndësinë e unitetit, bashkimit, solidaritetit thotë: “Ju duhet të veproni bashkërisht. Ruajuni nga ndarjet dhe grupacionet, sepse shejtani është me atë që vepron vetëm dhe qëndron larg atyre që këshillohen me njëri- tjetrin…” (et-Taxh; Kitabu’l-Fiten, v. 5, fq. 308)
Bashkimi, uniteti, këshillimi, konsultimi dhe ndihma reciproke janë të vlefshme për çdo shoqëri dhe për çdo kohë. Xhamia dhe xhemati japin një kontribut të pazëvendësueshëm në realizimin dhe ruajtjen e vlerave të lartpërmenduara. Xhamia dhe xhemati Në kuptimin etimologjik, xhamia shpreh vendin që bashkon dhe mbledh njerëzit. Kurse imamët janë kuadrot fetarë që shërbejnë në këto vende. Në këtë mënyrë, detyra e tyre është e lidhur drejt-përdrejt me xhaminë. Kurse xhemati shpreh grupin e njerëzve që mblidhen së bashku për të kryer ritin e namazit në xhami. Islami nxit me këmbëngulje për kryerjen e ibadeteve kolektive. Përmes namazit me xhemat forcohen lidhjet shpirtërore midis njerëzve. Namazi me xhemat krijon mundësinë për t’u njohur, për t’u takuar dhe për t’u informuar rreth aktualitetit. Kjo siguron një mjedis të dashur, të respektuar dhe harmonik.
Pejgamberi (a.s.), gjatë gjithë jetës e ka kryer namazin me xhemat. Madje edhe kur u sëmur rëndë, përpiqej të mos ndahej prej xhematit. Pejgamberi (a.s.), i këshillon besimtarët të falin namazin me xhemat edhe kur janë në udhëtim apo gjendje lufte. Kurse namazi i xhumasë dhe bajramit, është detyrim të falen me xhemat. Mospjesëmarrja në namazin me xhemat mund të përligjet vetëm në raste të tilla, si sëmundja, udhëtimi, errësira e natës, temperaturat tepër të larta ose tepër të ulëta, personi i moshuar që nuk është në gjendje të lëvizë dhe mungesa e sigurisë.
Megjithë këto arsye të forta për të mos shkuar në xhami, Ebu Hurejre transmeton një hadith shumë kuptimplotë për rëndësinë e kryerjes së namazit me xhemat. Një ditë, një i verbër vjen tek Pejgamberi (a.s.) dhe, duke i kërkuar leje për ta kryer namazin në shtëpi, i thotë: “O i Dërguari i Allahut! Unë nuk kam një njeri që të më shoqërojë për në xhami.” Pejgamberi (a.s.), i dha leje, por kur u nis të ikte, i tha: “ A e dëgjon ezanin?” “ Po”,- tha i vërbri. “Atëherë përgjigjjiu thirrjes.” (el-Xhezeri; Xhamiu’l Usul) Nga ana tjetër, Pejgamberi na lajmëron se namazi kolektiv është njëzet e shtatë herë më i vlefshëm se namazi individual. Që ky shërbim të arrijë synimet, duhet që kuadrot të jenë të arsimuar, të aftë dhe të zotërojnë përvojën e duhur për mirëfunksionimin e këtij shërbimi. Imamët duhet të njohin shumë mirë psikologjinë e xhematit, në mënyrë që të ketë një nivel të lartë dobishmërie.
Nga ana tjetër, imami duhet ta ndjekë nga afër aktualitetin në të cilin jeton vendi i tij, sepse kjo e ndihmon të jetë koherent dhe në sinkron të plotë me zhvillimin e sotëm. Për nga detyra dhe roli që ka, imami duhet të jetë gjithëpërfshirës, të mos bëjë dallim midis individëve të xhematit. Imami duhet të organizojë aktivitete të ndryshme kulurore, shkencore, sportive etj., me xhematin, sepse kjo ruan dinamizmin dhe rrit bashkëpunimin midis tyre. Vetëm duke i qëndruar afër dhe vlerësuar si duhet, xhemati mund të bëhet një fuqi potenciale e madhe.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.