Ymridin Çengaj: Zemërtrimi i idealeve atedhetare

Opoja.net Opoja.net Opoja Personazhe

Ymridini është i lindur në fshatin Pllajnik të Sharrit më 17 gusht 1959. Është biri i Ismailit dhe Nazmijes. I martuar me Safije Kollonin nga Ulina (Kosava), me të cilën ka lënë tre fëmijë: Shpëtimin e Meritën (motër e vëlla binjak), të lindur më 1982, dhe Ismaili i lindur më 1995. Në vitin 1970, ata u shpërngulën në Prizren, në lagjen Tusus. Ymridini pati vetëm një vëlla: Shemsidinin. 

Është fëmija i tretë në familjen Çengaj: (Shemsidini, Ganimetja, Ymridini, Sadija, Shemsija). Shkollën fillore e kreu në Prizren, (në shkollën fillore “Mustafa Bakia”). Shërbimin ushtarak Ymridini e kreu më 1979-1980, në Zarë të Kroacisë. Ymridini ishte pedant. Ai vishej bukur dhe veçantë me gjatësinë e trupit afro 1.70 m, të binte në sy. Ka qenë shumë i fuqishëm.

Në pamje të parë dukej i buzëqeshur, i urtë, i qetë. Ka qenë i mirë për të mirin, por shumë i ashpër ndaj padrejtësisë. kishte qenë gjithmonë realist. Me pushtetin serbo-jugosllav përherë ka pasur probleme, sepse kurrë nuk i ka shkuar përshtati, prandaj edhe nuk u pranua të punojë askund.
Ka qenë dy herë në Zvicër, dhe dy herë në Itali, ku nuk ka mundur të gjejë punë, as herën e parë e as të dytën. Pastaj për herë të tretë shkoi në Itali ku qëndroi 5 muaj. Prandaj, Ymridini për të mbijetuar është marrë edhe me tregti. Në veçanti është marrë me blegtori, me ruajtjen e deleve. Edhe babai i tij, 27 vjet, ka punuar në Maqedoni me dele. Në vitin 1987-1988, ka shkuar edhe Ymridini në Maqedoni, së bashku me tëatin, ku ka punuar me dele.
Më 7 shkurt 1998, kur lagjja Tusus u rrethua, me mbi 300 policë serbë, kur u bastisen dhe u arrestuan Xhevat Berisha dhe Hajrim Çengaj, u bastis edhe shtëpia e Ymridinit, me ç ‘rast policët serbë i rrahën anëtarët e familjes së tij. Ymridinin edhe më parë e kanë kërkuar shpeshherë për armë, por nuk iu ka rënë në dorë.

Militanti i UÇK-së

Ymredini në radhët e UÇK-së, është inkuadruar nga momenti kur UÇK-ja doli haptazi në Vërri. Pra, Ymridini ishte ndër ushtarët e parë, që iu bashkua si vullnetar radhëve të UÇK-së në këtë trevë, dhe më nuk është larguar asnjëherë nga radhët e saj, deri në rënien e tij heroike. Siç duket vetë krajatat jetësore e kanë bërë atë të ndërgjegjshëm për të bashkëluftuar për liri. Kështu çdo detyrë që i është dhënë, jo vetëm që e ka kryer me nder, por ka qenë shembull edhe për të tjerë. Për këtë dëshmojnë edhe vetë komandantët e tij të luftës, Naser Berisha si dhe Hajrim Çengaj, ku i dyti ishte mbikëqyrës i Batalionit të Dytë, ku ka qenë ushtar edhe vetë Ymridini.
Është karakteristike se Ymridini e ka njohur terrenin si të Vrrinit, ashtu edhe të Opojës. Duke ju falënderuar njohjes së mirë të terrenit ai edhe pas ofensivës së Vrrinit, bashkë me disa shokë të tjerë ai e vazhdon veprimtarinë e vet në malet e Vrrinit e të Opojës.
Pas ofensivës së Vrrinit, ku ishte pjesëmarrës, nuk u largua për në Shqipëri. Fillimisht ka qëndruar te miqtë e vet në Prizren, tek Sefer Kolloni, në brendi të qytetit, kurse pastaj bashkë me shokun e vet Atnan Krasniqin doli dhe mblodhi armët e mbetura nëpër male, për të bërë të mundshme luftimet e mëtejme. Këtë e dëshmojnë edhe Nazim Shabanaj dhe Salajdin Shabanaj, nga fshati Lybeqevë.
Ndërkohë Ymridini ndihmon edhe një të plagosur, duke e strehuar atë në Pllajnik, teHatimÇengaj, prej nga pastaj e kanë dërguar në Maqedoni.Me detyrë lufte, kalon pak kohë në Shqipëri, por kthehet menjëherë. Më 28 dhjetor 1998, Ymridini shkon në Reti të Rahovecit për t’iu bashkuar radhëve të UÇK-së. Për të shkuar në Reti, Ymridinin e ka njoftuar Eqrem Hoxha nga Randobrava, që jetonte në rrugën që tani quhet “Xhevat Berisha”, në Tusus.
Atje emërohet komandant skuadre në brigadën 125. Edhe Eqremi ishte ushtar i UÇK-së, e më vonë edhe i UÇPMB-së, ku në verë të vitit 2000, ra dëshmor në Luginën e Preshevës. Edhe gjatë luftës Ymridini i luftonte vazhdimisht thashethemet dhe dinte ta ruante sekretin ushtarak. Kështu në një rast, një të diele në mbrëmje, erdhi te shtëpia në Prizren. Aty ishte edhe e motra e tij, e cila nga meraku për të vëllain e pyeti se a jeni shumë ushtarë? Kurse Ymridini u përgjigj: Jemi mjaft, edhe pse fillimisht ishin vetëm 30 vetë.
Duke qenë shok lufte dhe jete me Alajdinin që gjatë luftës në Reti, e fejon vajzën e tij të vetme, me Alajdinin. Të gjithë ushtarët pos urimeve edhe qitën pushkë gëzimi. Gjatë luftimeve Ymridini shkonte përpara, duke mos e lënë që para tij të dalë Alajdini. I thoshte ti vetëm ruajmë shpinën. Në brigadën 125 Ymridini solli shumë armë dhe pothuajse ka qenë ushtari më i mirë i kësaj zone. Ka qenë komandant skuadre.
Më 2 mars 1999 nga Retia kthehen në Vrri 30 ushtarë të brigadës 125. Qëllimi ishte që të përgatiteshin për rifillimin e luftimeve në zonën e Vërrinit. Për këtë pushteti serb u alarmua, prandaj organizoi aksion ushtarak në shkallë të gjerë kundër tyre. Kështu në ofensivën e dytë, më 11 mars 1999, në Vrri bien dëshmorë nëntë ushtarë të UÇK-së, e në mesin e tyre bien edhe Ymridini me Alajdinin.

Ra ballë për ballë në frontin e luftës për liri

Ymridini fillimisht u plagos në këmbë, kurse Alajdini e ndihmon, duke e bartur në shpinë. Shoku i tyre, Nysret Krasniqi, ushtar, thotë se një moment para se të vriten, komandanti i tyre, Hoxha (Samidin Xhezairi), u ka thënë të tërhiqen e të mos shkojnë më në drejtim të pozicioneve të serbëve. Por, Ymridini, Alajdini, Hysen Rexhepi dhe disa ushtarë të tjerë, që nuk janë më sot në mesin tonë, megjithatë shkuan drejtpërdrejte në drejtim të pozicioneve armike, dhe në luftime të ashpra me ta, ranë.
Ushtar Sedati familjes i tregon për herë të parë për vrasjen e Ymridinit. Së pari i tregon vajzës së mikut të Ymridinit. Ajo sapo i tregon babait të saj, ai shkon menjëherë në spital, pastaj shkojnë axha i kujt e kështu me radhë. Ymridini kishte marrë shumë plumba në gjoks.
Trupin e Ymridinit së bashku me të vrarët tjerë, fillimisht e dërgon policia serbe në morgun e spitalit të Prizrenit. Nga aty, trupat e ushtarëve të vrarë, me ndërmjetësimin e OSBE-së, nxirren nga spitali dhe dërgohen në Pagarushë, zonë e kontrolluar nga UÇK-ja, për t’i varrosur me nderime ushtarake. Varrimi i Ymridinit dhe të tjerëve u bë në mbrëmjen e 17 marsit 1999.
Në varrim kanë marrë pjesë e shoqja Shemsa dhe vajza Merita. Atë natë ato qëndruan në Studenqan (Therandë), ku u pritën ngrohtësisht nga banorët e asaj ane. Ushtarët e UÇK-së për çështje sigurie nuk i lejuan anëtarët e familjeve të dëshmorëve të ktheheshin natën vonë. Më vonë, gjatë luftimeve që zhvilloheshin në Tusus, forcat serbe në shenjë hakmarrjeje, Ymridinit ja dogjën edhe shtëpinë.
Ymridini shquhej me një guxim të pa shoq. Ai ndodhej kudo që e kërkonte nevoja dhe aksioni. Nga koha kur ai ishte mobilizuar nën uniformën e lavdishme të UCK-së në shpirtin e tij si me një forcë magjike, ishte zgjuar një dëshirë e zjarrtë, pasion i fuqishëm e një krenari e brendshme, se erërat e historisë kishin sjellë tek ai kumtin për ti dalë zot atdheut. I mëkuar me ide përparimtare e vizione largpamëse afria me realitetin i dukej e dukshme e domethënëse.
Ai mori pjesë në shumë aksione që kishte zhvilluar. Ai kudo shquhej jo vetëm me përgatitje ushtarake por edhe me një vullnet të çeliktë ideor e kombëtar. I tillë ishte deri në çastet e rënies deri në lamtumirën e fundit për tu rikthyer në kopshtin e atdheut përherë i buzëqeshur dhe përherë i mbetur në moshë të re…
Rivarrimi është bërë pas çlirimit, më 15 shtator 1999, në Landovicë, së bashku me dëshmorët e tjerë të Brigadës 125. Djali i vëllait të Ymridinit, Bashkim Çengaj, ishte mobilizuar në Kukës dhe marrë pjesë në luftimet që janë bërë në Gorozhup. Pas çlirimit, ai nuk u ndal me kaq, por u inkuadrua edhe në radhët e UÇPMB-së, për çlirimin e kësaj pjese të robëruar.

Autor: Bedri Halimi

Foto, piktura: Bajram Gërdellaj

(Opoja.net)

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-