Yrjet Berisha – Krijues, studiues dhe punonjës i letërsisë, artit e kulturës Shqiptare

Opoja.net Opoja.net Opoja Personazhe

Yrjet Berisha përpos si profesor, studiues i letërsisë, mbledhës folklori, poet, prozator, dramaturg ai ishte edhe veprimtar i çështjes kombëtare.

Të dhëna biografike

Yrjet Berisha u lind më 1955 në Buçe të Sharrit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse gjimnazin në Prizren. Studioi në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe. Magjistroi dhe doktoroi në Universitetin e Prishtinës. Shkroi prozë, poezi, eseistikë, dramë.
Ka botuar këto vepra:
1. “Anatomia e vetmisë” (1994) – poezi;
2. “Vetë” (1994) – poezi;
3. “Edhe – Rastësi” (2000) – poezi;
4. “Orët” (2000) – dramë;
5. “Ulkiani” (2004) – roman.
Punimet e tij janë përkthyer në kroatisht, suedisht e rusisht, si në “Antologjia e letërsisë shqiptare të shekullit XX”, Sankt Petersburg, 1999, në gjuhën rumune iu botuan vjersha në revistën “Haemus”, nr. 3-4, (28-29), Bukuresht dhe më 2006 edhe në kinezisht. Ishte anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës dhe bashkëpunëtor i jashtëm shkencor i Institutit Albanologjik të Prishtinës.

Njohja

Për Yrjet Berishen kisha dëgjuar për herë të parë nga nipi im Agim Mullafetahu qysh në vitin 1990. Atëbotë kishin vërshuar shumë shkrime të ndryshme në gazetat që dilnin. Mua më duhej një informatë e cila ishte botuar në gazetën “Fjala”. Agimi më tha se Yrjet Berisha e blen rregullisht “Fjalën” dhe se i ruan me fanatizëm ato. Kishte shkuar për t’ia kërkuar gazetën. Pastaj vërtet Yrjeti ia kishte gjetur atë numër të gazetës “Fjala” të cilën ja kishte dhënë me premtimin paraprak të Agimit se do t’ia kthente pas fotokopjimit. Pastaj së bashku me Xhafer Kabashin e pata takuar për herë të parë Yrjetin. Më vonë takimet ishin më të shpeshta, nëpër orë letrare siç ishin ato në lokalet e SHKA “Agimi”, ku ai së bashku me Faik Beqajn kishin organizuar një orë letrare kushtuar Fan Nolit, meqenëse edhe Klubi Letrar në Prizren e mbante këtë emër. Më kujtohet se për veprimtarinë e Nolit, foli Yrjet Berisha, kurse disa aktorë amatorë të udhëhequr nga regjisorja dhe aktorja Luljeta Çeku bënë deklamimin e vargjeve të Fan Nolit. Programin e udhëhoqi për mrekulli profesori Faik Beqaj. Në këtë manifestim kulturor isha unë së bashku me dr. Xhevat Hasanin. Pastaj me Yrjetin mbajtëm edhe orë letrare në shtëpinë e Berat Batiut ku ishin të pranishëm Xhafer Kabashi, Xhevat Hasani, Enver Bahtiu, Abdullah Thaqi, Demir Reshiti, unë, Ilire Zajmi.
Yrjeti pastaj u bë edhe recenzent i disa librave letrarë të autorëve nga Opoja si Demir Reshiti, Abaz Çengaj, Ismet Lecaj, Ibrahim Skënderi, Rizan Krasniqi, Bedri Halimi, pastaj i librit të përbashkët të klubit letrar Luigj Gurakuqi me titull” Reshje nën Pikëllimë”, pastaj mori pjesë në disa orë letrare e organizuara pas luftës në Sharr, disa promovime librash etj.
Së fundi, Yjet Berisha ju bashkëngjit krijuesve të Shoqatës Kulturore Ymer Prizreni me të cilët shkuan bashkë për të mbajtur dy orë letrare në malësi të Tetovës në Maqedoni, në fshatrat Buzovcë dhe Veshallë. Këta ishin: Yrjet Berisha, Berat Bahtiu, Ibrahim Skënderi, Ismet Lecaj, Abaz Çengaj, Mirsad Kuteli dhe Bedri Halimi. Yrjeti u mahnit (dhe jo vetëm ai) me pritjen e banorëve të këtyre dy fshatrave të thella malore të malësisë së Tetovës.
Në raport me krijuesit opojanë, Yrjeti ka treguar gatishmëri bashkëpunimi dhe veçmas ndihmese.
Gjatë kohës kur revista Sharri fillimisht pati dalë me emrin Buletini, dhe kur vendosëm që emrin t’a ndërronim, nga shumë propozime që u dhanë atë kohë nga anëtarët e redaksisë dhe lexuesit, mbizotëroi mendimi që revista duhej ta mbante emrin “Sharri” dhe jo vetëm kaq! Yrjet Berisha ishte i pari që e kishte dhënë propozimin që kjo revistë ta ketë emrin “Sharri”, madje për ketë jepte edhe arsyetimin. Që nga koha e daljes së kësaj reviste me emrin “Buletini” dhe më vonë “Sharri”, Yrjet Berisha bashkëpunoi me këtë revistë duke botuar shkrime të ndryshme nga lëmi i etnografisë, folklorit, letërsisë, ku krahas poezive dhe krijimeve tjera letrare botoi edhe recensione, i dha intervistë kësaj reviste , shkroi për dasmën e Opojës dhe në veçanti që vlen për t’u përmendur, ai botoi për shumë numra me radhë vargje të lirikës popullore opojane, të cilën e kishte mbledhur me aq fanatizëm, dhe i cili material është i denjë për t’u botuar si libër në vete. Të shpresojmë se kjo do të bëhet së shpejti pas vdekjes së papritur e të hershme të tij.
Yrjeti ishte shumë parimor, madje mund të them parimor deri në ekstrem, sa që për hir të parimeve të tij ndonjëherë nxehej edhe me krijues dhe shokë të tij. Por, në shpirt ishte i pastër.

Bashkëpunimi me revistën SHARRI

Në revistën Sharri, Yrjet Berisha ka bashkëpunuar për një kohë të gjatë, ku gjatë bashkëpunimit të tij në këtë revistë ka botuar këto punime:
Në lëmin e folklorit ka botuar 3013 vargje të lirikës popullore, të cilat janë material i denjë për libër të veçantë.
Në lëmin e etnografisë ka botuar punimin “Dasma e Opojës“.
Nga lëmi i kritikës letrare ka bërë disa recensione për librat e ndryshëm letrar të autorëve opojanë, e të cilat janë botuar në revistë si vijon:
„Shpërbërja e atdheut“ (rreth librit “Trung i ndarë” të Demir Reshitit); “Pas heshtjes”- Ibrahim Skenderi; “Verdhomë bote” – Ismet Lecaj; “Ofshamë” – Demir Reshiti; “Mbi Varrin tim” – Abaz Çengaj; “Vetëdija” – Rizan Krasniqi;“Ditar Dradanie” – Bedri Halimi; Dokument për dritën e arsimit shqip (Tafil Krasniqi “Dritë në errësirë”); “Reshje nën pikëllimë” – grup autorësh. Pastaj studimin „Poetika e Beqir Musliut”;
Ka botuar 34 poezi në revistën Sharri.
Një fragment nga romani “Prizreni, mesjeta dhe krimi”;
Si dhe intervistën me titull; “Yrjet Berisha – krijues dhe studiues letrar”

Rrezikimi

Gjatë kohës kur UÇK-ja po vepronte në Vrri, komandantët e saj kishin nevojë për të pasur takim me mua. Unë isha në Opojë dhe bëja jetë gjysmë legale. Kisha pasur disa herë takime me shtabin e Vrrinit, por nevoja ishte urgjente që të takoheshim sërish. Remzi Ademaj dhe Xhevat Berisha nuk kishin se si të më lajmëronin. Kishin kërkuar nga veprimtarët Ferit Tafallari dhe Feti Hasani që të më lajmëronin disi, në mënyrë që të nesërmen të shkoja në Vrri gjatë natës. Feriti dhe Fetiu nuk mund të vinin me autobus në Opojë. Feriti shtëpinë e kishte në Tusus ku ishte UÇK-ja dhe ishte veprimtar, Feti Hasani përveç se ishte veprimtar, ishte dhe i afërm i imi dhe ish i burgosur politik, si dhe tërë vëllezërit i kishte të ndjekur së bashku me veten. Ata duke i ditur lidhjet e mia me Yrjet Berishën dhe bashkëpunimin tim në sferën e kulturës me të, kishin krijuar përshtypjen se Yrjeti është njeri i fjalës dhe se mund ta kryente këtë punë për të shkuar në Kuk e për të më lajmëruar. Alibinë Yrjeti e kishte të fortë, ngase edhe pse jetonte në Prizren ai ishte nga Opoja (nga fshati Buçe). Në momentin kur Ferit Tafallari e kishte takuar Yrjetin bashkë me Fetiun dhe ja kishin komunikuar kërkesën e tyre për ta kryer këtë punë, Yrjet Berisha ju kishte thënë se “nuk ka problem, unë mund të shkojë dhe ta lajmërojë Bedriun, por e kam një hall të vetëm. Nuk kam para as për autobus”. Atëherë Feriti i nxjerr nga xhepi 20 marka gjermane dhe ja jep Yrjetit. Yrjeti reagon duke i thënë Feritit: “Jo burrë, këto janë shumë, bileta e autobusit nuk kushton kaq për një shkuarje e ardhje në Opojë” dhe tentoi t’ia kthente me ngulm, ngase nuk donte t’i pranonte kurrsesi. Por këmbëngulësia e Feritit dhe Fetiut e detyroi Yrjetin të mos vazhdonte me kundërshtimin e kthimit të parave. Yrjeti menjëherë po atë ditë i kishte hipur autobusit dhe kishte shkuar në Shtëpinë e Bedri Halimit të cilit ja kishte lënë porosinë. Pastaj ishte kthyer për Prizren.
Bedriu po atë natë së bashku me Garip Osmanin kishin shkuar në Vrri për t’u takuar me Remzi Ademajn dhe Xhevat Berishën. Atje u takuan me Hajrim Çengajn, Feti Hasanin, Azem Ramadanin, Enver Batiun, Ferit Tafallarin etj. Aty morën vesh se komandant Petriti – Remzi Ademaj së bashku me Xhevat Berishën kishin shkuar për Shtab të Përgjithshëm për konsultime. Gjatë natës pritej kthimi i tyre, diku pas mesnate, duke biseduar, papritmas erdhi lajmi se komandant Petriti është vrarë në Nashec në një pritë të forcave serbe. Kjo na brengosi pa masë. Pastaj disa ushtarë, së bashku me Xhevat Berishën shkuan për ta marrë kufomën e Remziut. Kështu që në vend të takimit me Remziun mua m’u dashtë që të merrem me shkrimin e fjalimit për varrimin e tij të cilën gjë e kërkoi nga unë Xhevat Berisha. Në varrimin e komandat Petritit, fjalimin e lexoi komandant Drini. Ishte 15 gushti i vitit 1998.
Pra, Yrjet Berisha përpos si profesor, studiues i letërsisë, mbledhës folklori, poet, prozator ai ishte edhe veprimtar i çështjes kombëtare. Jo gjithkush mund t’i hynte një rreziku të tillë në ato momente të vështira për Kosovën dhe jo gjithkujt mund t’i besohej një gjë e tillë. Ishte koha kur UÇK-ja kishte pësuar goditje të rëndë pothuaj në çdo vend të Kosovës.
Lavdi veprës dhe jetës të Yrjet Berishës. I paharrueshëm qoftë kujtimi për të.

YRJET BERISHA
(Akrostik)

Yjet ishin shpërndarë në hapësirë
Retë e zeza kur mbulonin shkëlqimin
Jetës i hapje shtigje për njerëzit e mirë
Erëmima e shpirtit të mos ketë harrim
Testament dhe mision ky i vështirë

Bukën e jetës me dëshirë gatove
Emblemat për të vërtetën nuk ndryshojnë
Ritmin e rrugëtimit nuk e ngatërrove
Idealit ngurtësisht i qëndrojmë
Shqip në çdo kohë drejtësisht frymove
Amanetin e lirikës mik do ta vazhdojmë

Bedri Halimi

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-