‘Zajednica’ përplas kryeministrin Kurti me opozitën në Kuvend

Opoja.net Opoja.net Kosova

Marrëveshja për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është arritur në vitin 2013, por nuk ka gjetur zbatim kurrë. E kohët e fundit është rritur presioni për themelimin e tij, por që po kundërshtohet fuqishëm nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, raporton Gazeta Sinjali.

Gjatë seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës, ka pasur polemika të ashpra ndërmjet pozitës dhe opozitës lidhur me këtë çështje.

Ka qenë kryeministri Kurti ai i cili ka paraqitur gjashtë pika si kushte për themelimin e Asociacionit , për të cilat ka thënë se kanë qenë të njoftuara edhe krerët e partive opozitare.

Kurti mes tjerash ka thënë se Asociacioni “duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës”.

Një tjetër kusht, sipas tij, është që Asociacioni nuk mund të jetë njëetnik.

“Duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të bartë asnjë pushtet publik apo ekzekutiv dhe duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave, sipas Kushtetutës dhe Ligjit për vetëqeverisje lokale”, është shprehur Kurti.

“Të drejtat e pakicave kombëtare dhe mekanizmat mbrojtës përkatës duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve, si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane”, ka thënë Kurti.

Kushti i katërt, sipas Kurtit, është që, para themelimit të Asociacionit, “strukturat ilegale të Serbisë në veri shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale”.

“Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet vetëm pas njohjes reciproke”, është kushti i pestë, sipas kryeministrit të Kosovës.

Duke numëruar kushtin e fundit, Kurti ka thënë se “presidenti serb [Aleksandar Vuçiq] duhet t’i tërheqë letrat e dërguara te pesë shtetet anëtare të BE-së dhe te të tjerat për mospranimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE”.

“Këto gjashtë kushte që i vendosa unë, janë kushte politike dhe kanë bazë në aspektin demokratik, universal dhe evropian të qeverisjes dhe politikëbërjes”, është shprehur Kurti.

Ndaj këtyre kushteve ka reaguar kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i cili përmes replikave polemizoi ashpër me kryeministrin e vendit. Ndër të tjera Abdixhiku tha se data 2 shkurt është dita kur kryeministri e ka pranuar formimin e Asociacionit.

Abdixhiku po ashtu ka kritikuar njërin prej kushteve të vendosura nga Kurti, përkatësisht atë për çarmatosjen e veriut.

Ai tha se kjo nuk është çështje për dialog me Serbinë, por është detyrë e Kurtit dhe organeve të rendit që ta bëjnë një gjë të tillë.

“Kjo datë e sotme e 2 shkurtit të viti 2023 është datë e pranimit të Asociacionit nga kryeministri i Kosovës. Nuk po them që është i mirë a keq. Unë po them se kryeministri i Kosovës tha që marrëveshja i vitit 2013, që është obligim ndërkombëtar është i bëshëm me disa kushte. Dhe kushti thelbësor është që ky Asociacion të jetë në përputhje me Kushtetutën Kosovës”, tha ai.

“Jo gjashtë, por 22 udhëzime i ke nga Gjykata Kushtetuese. Të gjitha i ke me një vend, thonë respektim i rendit, Kushtetutës së Kosovës”, vazhdoi tutje Abdixhiku.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, tha se nuk e di se a është rastësi apo sinkronizim mes Kurtit dhe Vuçiqit, që në kohën kur në Kuvendin e Serbisë po diskutohet për dialogun, kryeministri kosovar e jep lajmin për themelimin e Asociacionit.

“Ky moment duhet të jetë një koordinim i mirë mes dy liderëve, Kurtit dhe Vuçiqit, të cilët në të njëjtën ditë, në të njëjtin moment, po japin lajme të rëndësishme për drejtimin që do të marrë kjo marrëveshje”.

“Ajo që është e rëndësishme është ndryshimi radikal, drastik, që është ndryshim jashtëzakonisht i madh i diskursit të Kurtit”, tha ai.

Replikave të opozitës u është përgjigjur shefi i Qeverisë, i cili sërish tha se ‘Zajednica nuk kalon’.

“Unë e kam të qartë që ju keni qef me ua themelu Zajednicën, por Zajednica nuk kalon. Se Zajednicën e keni pranu ju, me 19 prill 2013 dhe 25 gusht 2015, qatje e keni bo Zajednicën, por ajo nuk bëhet. Ju nuk e keni zbatu, unë nuk ua zbatojë”, tha ai.

Sa i përket raportimit në Kuvend, Kurti ka shprehur gatishmërinë që të diskutojnë kurdo që dëshiron opozita.

“Kurdo që dëshironi unë jam i gatshëm. Sa i përket neneve, unë i kam takuar krerët opozitarë ndaras, por sa i përket diskutimit në Kuvend ju takon juve ta ftoni, a unë i kam ftuar krerët opozitare. Unë nuk dua të ndërmarr hapa që do ta dëmtonin Kosovën për çështjen e konfidencialitetit por Kuvendi i Kosovës është mbi të gjitha. T’ua bëj të qartë edhe njëherë përveç Kushtetutës dhe ligjit janë edhe pesë kushte të tjera”, tha ai.

Tutje shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, i është drejtuar Kurtit se po diskutohet për qëndrimin e tij në raport me Asociacionin.

“Kryeministri sot na e dha një lajm që e fut Kosovën në një drejtim të ri e cila do ta themelojë asociacionin. Duket një koordinim i mirë mes dy liderëve, kryeministrit tonë dhe presidentit Vuçiq. Të gjitha çështjet tjera janë të parëndësishme ajo që është e rëndësishme është ndryshimi radikal në diskursin e kryeministrit dhe në drejtimin që po i bën Kosovës. Para pak çastesh deputeti i LVV na pyeti a jemi me Zajednicën, kësaj pyetjeje iu përgjigj kryeministri”, tha ai.

E për këtë, Kurti ka thënë se ndryshimin e tij e vlerësojnë qytetarët në zgjedhjet e ardhshme.

“I nderuari deputet Tahiri, ndryshimin tim e vlerësojnë qytetarët në zgjedhjet e vitit 2025. Ndërkohë unë ju falënderoj që kur e morët fjalën nuk e thatë asnjërin nga kushtet që duhet të hiqet. D.m.th, ju pajtoheni dhe për këtë ju falënderoj”, tha ai.

Tutje kreu i ekzekutivit ka kërkuar mbështetjen e deputetëve për t’i vendosur gjashtë kushtet që përmendi më herët për t’ia vendosur, siç thotë ai, atyre që kanë kërkuar Asociacionin.

“Këto gjashtë kushte nuk ua kam vënë juve, por po kërkoj mbështetjen tuaj për t’ua vënë atyre qe e kanë kërkuar Asociacionin. Meqë s’pati propozime konkrete, ju falënderoj qe u pajtuat me to”, ka thënë Kurti.

Kreu i ekzekutivit këmbënguli se është transparent sa i përket procesit të dialogut, pavarësisht kritikave të opozitës se është e kundërta.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-