ZEKATI I FITRIT – RREGULLA DHE DOBI

Merlinda Guraj Merlinda Guraj Artikuj Uncategorized
  1. Zekati i fitrit bën pjesë në adhurimet dhe veprat e mëdha që myslimanin e afrojnë tek Allahu, kjo për shkak të lidhshmërisë që e ka zekati i fitrit me agjërimin e Ramazanit, të cilin Allahu ia dedikoi vetes në shenjë nderimi dhe madhështie.
  2. Zekati i fitrit është lëmoshë që detyrohet të jepet me mbarimin e agjërimit të Ramazanit, dhe fjala ‘zekat’ iu shtua fjalës ‘fitër’, sepse ndërprerja e agjërimit u bë shkak që të jepet zekati.
  3. Zekati i fitrit u detyrua për dy shkaqe:

Shkaku i parë: Të jetë për agjëruesin pastrim nga gabimet dhe fjalët e ndyta. Vekia ibën el-Xherah tha: “Zekati i fitrit për muajin e Ramazanit është si dy sexhdet e harresës për namazin, i plotëson mangësitë në agjërim ashtu si e plotësojnë sexhdet mangësinë në namaz.”

Shkaku i dytë: Zekati i fitrit është ushqim për të ngratët në Ditën e Bajramit.

  1. Atë që e synon zekati i fitrit është të shpenzohet për të ngratët dhe të varfrit nevojtarë, që ata të mos ndiejnë nevojë për të lypur apo për t’ua shtrirë dorën të tjerëve për Bajram, kjo ditë është ditë feste dhe gëzimi, e t’ia shtrish dorën tjetrit për Bajram është përbuzje dhe nënçmim.

Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, tha: “I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, e detyroi dhënien e zekatit të fitrit si pastrim për agjëruesin nga gabimet dhe fjalët e ndyta dhe ushqim për të ngratët.”[1]

  1. “I shpëtuar është ai që pastrohet, që e përmend emrin e Zotit të vet dhe që fal namaz!” (El-A’la: 14-15); në këto vargje të sures El-A’la, ku thuhet se Allahu për qëllim e ka zekatin e fitrit.

Përcillet se Omer ibën Abdulazizi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ajetet i komentoi duke thënë: “E dha zekatin e fitrit, e më pas doli për në namaz (namazin e Bajramit).”

  1. Zekati i fitrit i obligohet çdo myslimani. Abdullah ibën Omeri, Allahu qoftë i kënaqur nga ata të dy, përcjell se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, nxjerrjen e zekatit të fitrit ia detyroi çdo myslimani, i lirë apo skllav, mashkull apo femër.[2]
  2. Nxjerrja e fitrave i detyrohet çdo myslimani, agjëroi apo nuk agjëroi, fëmijë apo i madh, madje edhe për fëmijën që është në djep dhe për gruan që gjatë muajit të Ramazanit nuk e agjëroi asnjë ditë për shkak të lehonisë.
  3. Për fëmijën që është në barkun e nënës zekati i fitrit nuk detyrohet të jepet, por pëlqehet dhe dijetarët janë unikë në mes tyre për këtë rregull.
  4. Nxjerrja e zekatit të fitrit detyrohet kur perëndon dielli në ditën e fundit të Ramazanit, andaj kush martohet apo i lind fëmijë apo e pranon Islamin para se të perëndojë dielli e ka për detyrë ta japë atë, e nëse ndodhin pas perëndimit të diellit atëherë nuk detyrohet.
  5. Kush vdes para se ta arrijë kohën e nxjerrjes së zekatit të fitrit, për të nuk jepen fitrat, kurse ai që vdes pasi të hyjë koha e nxjerrjes dhe ende nuk e ka nxjerrë zekatin e fitrit, për të e jepin trashëgimtarët e tij nga pasuria e tij, sepse ajo i është bërë detyrim dhe i ka mbetur si borxh.
  6. Zekati i fitrit nuk ka nisab[3], kriteri për ta dhënë zekatin e fitrit është që kush posedon ushqim më tepër sesa që është i mjaftueshëm për veten dhe familjen e tij, për në ditën dhe në natën e Bajramit, detyrohet ta japë zekatin e fitrit.
  7. Myslimani zekatin e fitrit e jep për veten dhe e jep për ata që është i detyruar të shpenzojë.[4] Pra, e jep për veten dhe për gruan, edhe nëse ajo ka pasuri, për fëmijët dhe prindërit e tij të varfër, dhe për vajzën e fejuar që ende nuk ka shkuar te burri i saj.
  8. Nëse fëmija ka pasuri, në këtë rast prindi nuk detyrohet që ta japë zekatin e fitrit për të.
  9. Kur burri e divorcon gruan dhe divorci është kthyes, d.m.th. është hera e parë apo e dyta që e ndan, zekatin e fitrit për gruan e jep burri i saj[5], kurse nëse divorci është i përhershëm, d.m.th. e ka divorcuar tri herë, atëherë gruaja e jep për veten e saj.
  10. Fëmija nuk e ka për detyrë që ta japë zekatin e fitrit për gruan e babait të tij të varfër (njerkën), ngase detyrshmëria e shpenzimit për gruan e babait nuk bie mbi të.
  11. Fëmija përderisa ka mundësi financiare, e jep vet zekatin e fitrit për veten e tij. Nëse edhe prindi i tij e jep për të, nuk është problem dhe nuk dëmton gjë, e në veçanti nëse prindi është mësuar që për çdo vit ta japë zekatin e fitrit për fëmijët, edhe pse janë të rritur dhe të punësuar, ai prapë dëshiron që ta vazhdojë këtë traditë të tij.
  12. Nëse dëshiron dikush që zekatin e fitrit ta japë për dikë që nuk e ka detyrim ta japë për të, patjetër e ka të marrë leje prej tij.
  13. Pronari i punëtorisë nuk detyrohet që ta japë zekatin e fitrit për shërbëtorin apo punëtorin e tij, mirëpo nëse e jep vullnetarisht për të, nuk është problem, vetëm se duhet ta lajmërojë atë paraprakisht që ta bëjë nijetin, ngase zekati i fitrit është adhurim dhe në adhurim patjetër duhet nijeti.
  14. Ai që vullnetarisht kujdeset për jetimin, nuk detyrohet ta japë zekatin e fitrit për jetimin, kurse nëse jetimi posedon pasuri të veten, zekatin e fitrit e jep vetë jetimi nga ajo pasuri, e nëse nuk posedon pasuri, atëherë detyrshmëria e zekatit të fitrit për jetimin bie mbi të afërmin e tij që fetarisht detyrohet të shpenzojë për të.
  15. Sasia e zekatit të fitrit është një sa’a[6] nga ushqimi. Argument është hadithi që e përcjell Ebu Seid el-Hudrij, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ku thotë: “Në kohën e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, zekatin e fitrit e jepnim një sa’a nga ushqimi.”[7]
  16. Me sa’a për qëllim këtu është një enë mase që e përcaktoi Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, dhe që është e barasvlershme me aq sa zënë katër grushta me të dyja duart e një burri shtatmesatar.
  17. Rëndesa dallon sipas sojit të ushqimit që sa’a mbushet me të. Kur të jepet një soj i ushqimit me rëndesë për zekat të fitrit, patjetër të vërtetohet se a është e barasvlershme me të njëjtin soj të ushqimit të matur me sa’a, si p.sh. orizi përafërsisht duhet të rëndojë diku tre kilogramë.
  18. Zekati i fitrit jepet nga çdo lloj ushqimi bazë dominues në vend, si: grurë, misër, oriz, fasule, thjerrëza, humus (qiqra), bathë, dhe ushqime të tjera të ngjashme me to që ushqehen njerëzit në atë vend. Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, zekatin e fitrit e përcaktoi të jetë një sa’a nga ushqimi dhe sahabët e nxirrnin një sa’a nga ushqimi që e përdornin vetë ata.
  19. Me ushqim bazë për qëllim janë ushqimet që i përdorin njerëzit dhe që janë bazë dhe dominuese në vazhdimësi, andaj nuk lejohet që si zekat të fitrit të jepet sheqer dhe çaj, edhe pse njerëzit kanë nevojë për to, sepse ato nuk janë nga ushqimet që janë bazë për njerëzit.
  20. Ushqimet që janë bazë dhe ushqyese për njerëzit lejohen të jepen edhe si të konservuara për zekat të fitrit, si batha e konservuar në kuti teneqeje, humusi, misri, bizelja, fasulja dhe të ngjashme me to.
  21. Produktet ushqimore të konservuara përmbajnë edhe gjëra të tjera shtesë, për këtë arsye duhet pasur kujdes që ky fakt të merret parasysh gjatë përcaktimit të rëndesës apo peshës.
  22. Zekati i fitrit lejohet që vullnetarisht të nxirret edhe më shumë se një sa’a dhe ajo tepricë do të llogaritet sadaka për të cilën do të shpërblehet ai që e jep.
  23. Nxjerrja e zekatit të fitrit në formën e të hollave nuk lejohet, sepse Ligjvënësi detyroi të nxirret si produkt ushqimor dhe jo të holla, dhe e përcaktoi edhe sojin e saj, prandaj nuk lejohet të jepet diçka tjetër jashtë asaj që është përcaktuar.[8]
  24. Zekati i fitrit nuk lejohet që të jepet në formën e të hollave dhe me to borxhliu t’i lajë borxhet, apo të operohet i sëmuri, apo të paguhet semestri për studentin dhe të ngjashme me to.

Ekzistojnë burime të tjera që nevojat e të varfërve mund të plotësohen, si zekati i pasurisë dhe lëmoshat e përgjithshme.

  1. Zekati i fitrit i ka dy kohë të nxjerrjes së tij: kohën e pëlqimit dhe kohën e lejimit.

Koha e pëlqimit është në mëngjes të Ditës së Bajramit, sepse Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, urdhëroi që zekati i fitrit të nxirret para se të dalin njerëzit për namazin e Bajramit.[9] Prandaj edhe preferohet që falja e namazit të Fitër Bajramit të vonohet me qëllim që të ketë hapësirë të nxjerrjes së zekatit të fitrit.

  1. Kurse koha e lejimit është një apo dy ditë para Bajramit. D.m.th. që koha e parë që lejohet të nxirret zekati i fitrit është nata e 28-të e Ramazanit, sepse shokët e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, e jepnin para Bajramit, një apo dy ditë, ndërsa muaji i Ramazanit është 29 apo 30 ditë.

Abdullah ibën Omeri, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, tha: “E jepnim zekatin e fitrit një apo dy ditë para Bajramit.”[10]

  1. Kush e nxjerr zekatin e fitrit para kohës së lejuar, d.m.th. para natës së 28-të të Ramazanit, ai vetëm se e ka nxjerrë para kohe dhe përsëri detyrohet ta japë atë.
  2. Zekati i fitrit lejohet t’i jepet atij që është besnik apo përfaqësuesit ligjor, si shoqatave bamirëse, që nga fillimi i muajit Ramazan, me kusht që fitrat t’i nxjerrin një apo dy ditë para Bajramit.
  3. Vonimi i nxjerrjes së zekatit të fitrit pasi të falet namazi i Bajramit është haram, ai që e vonon detyrohet që ta japë kaza-kompensim.
  4. Dijetarët janë të ndarë në mes tyre rreth meseles së nxjerrjes së zekatit të fitrit pas namazit të Bajramit. Shumica nga dijetarët janë të mendimit se nxjerrja e fitrave pas namazit të Bajramit urrehet edhe nëse ndodh pranohet si vepër.

Mirëpo më afër së vërtetës është se nuk lejohet të vonohet dhënia e fitrave pas namazit të  Bajramit bazuar në hadithin: “Kush e nxjerr zekatin e fitrit para namazit, llogaritet zekat i pranuar, a kush e jep pas namazit, llogaritet sadaka nga sadakatë.” [11]

Kur vonohet nxjerrja e fitrave humbet edhe kuptimi i vërtetë që synohet nga zekati i fitrit, plotësimi i nevojave të të varfërve në ditën e gëzimit, andaj kush e vonon pa arsye bën gjynah dhe detyrohet ta japë kaza.

  1. “Fukahatë[12] njëzëri janë të pajtimit se zekati i fitrit nuk bie poqë del koha e tij, sepse ai që detyrohet t’i japë fitrat e ka për borxh t’ua japë atyre që e meritojnë dhe ky borxh nuk lahet përveçse me dhënien e tij, sepse është hak i njeriut, kurse për hakun e Allahut, që vonohet nxjerrja e zekatit të fitrit pasi të kalojë koha e tij, duhet bërë kërkim falje dhe pendim, sepse prej hakut të Allahut është të jepet në kohën e vet.”[13]
  2. Kur ai që duhet ta japë zekatin e fitrit e angazhon dikë tjetër për ta dhënë në vend të tij, përgjegjësia i mbetet përderisa nuk vërtetohet që i besuari i tij e ka nxjerrë dhe e ka dhënë atë realisht.
  3. Shoqatat bamirëse lejohet që nga pasuria e tyre t’i blejnë ushqimet, të cilat jepen për zekat të fitrit, gjatë Ramazanit apo para tij, e pastaj ato ushqime t’ua shesin atyre që dëshirojnë ta japin zekatin e fitrit. Po ashtu, shoqatave u lejohet ta marrin përgjegjësinë dhe besueshmërinë që për të tjerët ta nxjerrin zekatin e fitrit, një apo dy ditë para Bajramit.
  4. Nuk u lejohet shoqatave që ta nxjerrin zekatin e fitrit për të tjerët para se të kërkohet prej tyre që ta bëjnë një gjë të tillë, e më pas t’i kërkojnë të hollat për fitrat e shpërndara.
  5. Zekati i fitrit u jepet të tetë grupeve të përmendura në Kuran që u jepet zekati i pasurisë. Ka edhe një mendim tjetër të dijetarëve se zekati i fitrit iu takon vetëm të varfërve dhe të mjerëve, dhe jo të tjerëve. Këtij mendimi i takon Ibën Tejmije dhe Ibën el-Kajimi, Allahu i mëshiroftë, nga dijetarët e vjetër, dhe Ibën Bazi, Allahu e mëshiroftë, nga dijetarët bashkëkohorë.
  6. Dhënësi i zekatit të fitrit, sipas mundësive, duhet të hulumtojë t’i gjejë të varfrit që e meritojnë, e nëse më vonë del në pah se ai që i mori fitrat është pasanik, kjo nuk e dëmton atë që i dha fitrat dhe zekati i fitrit i tij është i pranuar.
  7. Kur të vijë dikush dhe kërkon t’i jepet zekati i fitrit, të folurit, veshja dhe pamja e tij aludojnë se e meriton zekatin e fitrit, jepja atij. Ti gjyko sipas pamjes së jashtme, kurse Allahut i takon gjykimi sipas zemrave.
  8. Nuk lejohet që zekati i fitrit të jepet dhe investohet në ndërtimin e xhamive dhe projekteve bamirëse.
  9. Lejohet që fitrat e një personi t’i jepen një grupi të njerëzve dhe njashtu fitrat e një grupi t’i jepen një personi.
  10. Kur i varfri e merr nga tjetri zekatin e fitrit dhe i tepron, pra fitrat janë më tepër sesa nevoja e tij, i lejohet atij që atë tepricë, nëse është e plotë dhe e arrin sasinë e zekatit të fitrit, ta japë si zekat të fitrit për veten apo për dikë nga familja e tij që e ka për detyrë të shpenzojë për të.
  11. Dijetarët janë të pajtimit se nuk lejohet zekati i fitrit t’u jepet atyre që njeriu e ka për detyrë të shpenzojë për ta, sikurse prindërve dhe fëmijëve.
  12. Zekati i fitrit lejohet që t’u jepet akrabave të varfër, madje nëse u jepet atyre është më e mirë sesa t’u jepet atyre që janë më të largët, sepse dhënia për akrabatë llogaritet sadaka dhe respektim i lidhjeve farefisnore.
  13. Zekati i fitrit jepet për myslimanët e varfër të vendit, pavarësisht se pasuria e atij që i jep fitrat a gjendet në atë vend apo jo, dhe lejohet që fitrat të transferohen në vende të tjera për të varfrit e tyre nëse ka nevojë, sipas mendimit më të saktë të dijetarëve.
  14. Zekati i fitrit nuk lejohet që t’u jepet jomyslimanëve.
  15. Një ndër gabimet që bëhen është nxjerrja e produkteve ushqimore jokualitative dhe jo të mira për zekat të fitrit. Allahu është i Miri dhe nuk pranon veçse të mirën.

Dr. Muhamed el-Munexhid

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

(Pjesë e librit Sezonet e adhurimit – i përkthyer në shqip)

 

[1] Ebu Davud (1371) me zinxhir të mirë.

[2] Buhariu dhe Muslimi.

[3] Nisab është sasia e caktuar e pasurisë me Sheriat, kështu që kur arrihet kjo sasi – nisabi, hyn në fuqi obligimi për dhënien e zekatit. (sh.p)

[4] Ka edhe mendim tjetër të dijetarëve që e cekin zekatin e fitrit e jep secili për veten e tij dhe nuk detyrohet që burri ta jepë për të tjerët, e nëse vullnetarisht e bën këtë, kjo është vepër e mirë nga ana e tij. (Burimi: https://islamqa.info/ar/99353). (sh.p.)

[5] Përderisa gruaja është në iddet (ditët e pritjes), ajo ende është grua e burrit të saj, dhe burri e ka për detyrë të shpenzojë për të, e këtu përfshihet edhe dhënia e zekati të fitrit për të, përderisa është në ditët e pritjes. Disa nga dijetarët e kanë mendimin se burri në këtë periudhë nuk duhet ta jepë zekatin e fitrit për gruan e tij të divorcuar dhe ajo vetë duhet ta japë atë. Ky është medh’hebi i Ebu Hanifes, Allahu e mëshiroftë, dhe këtë mendim e ka shejh Uthejmini, Allahu e mëshiroftë. Mirëpo ajo më e mira është që ta japë burri gjatë kësaj periudhe që për çdo rast e largon përgjegjësinë e vet, duke e pasur parasysh se zekati i Fitrit nuk kushton shumë dhe është pak dhe nuk e rëndon atë. (Burimi: https://islamqa.info/ar/99585). (sh.p.)

[6] Sa’a është një sasi matëse e barabartë me katër ‘mud’ dhe një ‘mud’ është i barabartë me një grusht me të dyja duart e një burri shtatmesatar. (sh.p)

[7] Buhariu dhe Muslimi.

[8] Ky është mendimi i imam Malikut, Shafiut dhe Ahmedit, Allahu i mëshiroftë, duke u bazuar në atë që edhe në kohën e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ka pasur dinar dhe dërhem, mirëpo nuk i ka urdhëruar të jepin të holla, por ushqim i cili është bazë dhe dominues që e përdorin njerëzit në atë vend. Imam Ebu Hanife, Allahu e mëshiroftë, e ka mendimin se lejohet dhënia e zekatit të Fitrit edhe të holla përveç ushqimit. Është edhe një mendim tjetër, mendimi i Ibën Tejmijes, Allahu e mëshiroftë, i cili thotë që lejohet të jepet zekati i Fitrit në formë të të hollave në raste nevoje apo dobie të qartë, përndryshe detyrohet të jepet ushqim. (Burimi: http://fatwa.islamweb.net/fatwa/index.php?page=showfatwa&Option=FatwaId&Id=140294). (sh.p.)

[9] Buhariu dhe Muslimi.

[10] Buhariu (1511).

[11] Ebu Davud (1371), shejh Albani e vlerësoi hadithin si të mirë.

[12] Dijetarët e jurispondencës islame. (sh.p.)

[13] El-Meusua el-fikhije (23/341).

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-