​Nga nesër nis zbatimi i marrëveshjes për targat

Opoja.net Opoja.net Kosova

Shefi i EULEX-it Lars Gunnar-Wigemark ka thënë se nga nesër hyn në fuqi zbatimin e marrëveshjes për targat.

Ai në një postim në Twitter ka bërë të ditur se EULEX-i EULEX-i po vazhdon të patrullojë dhe vëzhgojë situatën në veriun e Kosovës së bashku me KFOR-in.

“EULEX-i po vazhdon të patrullojë dhe vëzhgojë situatën në veriun e Kosovës së bashku me NATO-n dhe me kërkesë të Policisë së Kosovës. Situata është e qëndrueshme dhe regjimi i ri i afisheve do të nisë nga të dyja palët që nga nesër më 4 tetor”, ka shkruar Gunnar-Wigemark.

Ndryshe, nga dita e djeshme ka filluar të zbatohet pika e parë e marrëveshjes së arritur në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së, e cila parasheh largimin e protestuesve serbë, si dhe zëvendësimin e njësive speciale me trupat e KFOR-it në pikat kufitare në veri.

Ndërsa pika e dytë parashikon që nga 4 tetori, do të nisë së zbatuari përkohësisht regjimi i letrave ngjitëse, në vend të heqjes së targave të makinave të regjistruara në Kosovë dhe Serbi, deri në gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme.

Pika e tretë parasheh që më 21 tetor do të nisë punën një ekip i përbërë nga zyrtarë të BE-së, Kosovës dhe Serbisë për të gjetur një zgjidhje të përhershme. Brenda gjashtë muajve, prej nisjes së takimit të parë, ky grup pune, do të prezantojë gjetjet për një zgjidhje të përhershme në formatin e dialogut të nivelit të lartë.

Gjendja në veri u tensionua pas 20 shtatorit kur Qeveria e Kosovës vendosi reciprocitet në targa të veturave të Serbisë, pasi një gjë të ngjashme Serbia e ka aplikuar për veturat nga Kosova për më shumë se dhjetë vjet.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-