24 vjet nga çlirimi i Prizrenit

24 vjet më parë në Prizren hynë trupat paqeruajtëse të këmbësorisë së NATO-s dhe nisi largimi i forcave serbe.

24 vjet më parë në Prizren hynë trupat paqeruajtëse të këmbësorisë së NATO-s dhe nisi largimi i forcave serbe.

Opoja.net Opoja.net Kosova

12 qershori 1999 është më i veçanti në historinë e re të qytetit historik dhe në kujtesën e njerëzve, që përjetuan këtë ngjarje madhështore e të paharrueshme.

Kjo ditë shënoi fundin e spastrimit etnik dhe të krimeve të Serbisë edhe në këtë pjesë të vendit, që pagoi bukur shumë për lirinë e shumëpritur.

Kjo shënoi hapjen e një kapitulli të ri, një epokë të re të zhvillimit, përparimit dhe dinjitetit e barazisë qytetare.

Lufta heroike çlirimtare dhe ndërhyrja ushtarake e miqve euro-atlantikë, rezultoi me çlirimin e Kosovës, ndërsa ndër të parët që përjetoi gëzimin e lirisë dhe daljen nga “ngujimi” tremujor ishte Prizreni.

Kjo ndodhi në qytetin, që fillimisht “pa e përjetoi” dhembjen nga largimi i dhunshëm i popullatës shqiptare drejt Shqipërisë,  e pastaj përjetoi gëzimin e papërshkruar të hyrjes së KFOR-it dhe të UÇK-së, duke shndërruar këtë datë në një festë krenarie, që zgjati për disa ditë, përkundër dhembjes për humbjen e shumë njerëzve e të dashurve.

Me marrëveshjen e Kumanovës, ndërmjet zyrtarëve serbë dhe autoriteteve të NATO-s, Serbia detyrohej  t’i  tërheq të gjitha forcat e saja policore dhe ushtarake nga Kosova.

Pos forcave të NATO-së, në Prizren depërtuan edhe pjesëtarët e UÇK-së, të cilët erdhën nga tri drejtime për mbërritur në qendrën e qytetit “Shatërvan”.

Rol në çlirimin e Prizrenit kishte operacioni ushtarak, të cilin e udhëhoqi  Ekrem Rexha – Komandant “Drini”. Me përdorimin e metodave të veçanta të taktikës luftarake, UÇK arriti të parandalojë: masakrimin e popullatës shqiptare, shkatërrimin e qytetit dhe pengimin e krijimit të enklavave serbe, të cilat siç është thënë ishin paraparë në disa pjesë të këtij qyteti.

Operacione ushtarake për çlirim zhvilluan edhe ushtarët nën komandën e Nehat Bashës, komandant i Brigadës 125, pastaj Samedin Xhezairit – komandant  Hoxhës, Zafir Berishës dhe njësiteve të tjera të UÇK-së.

Çlirimtarët e Prizrenit nga qytetarët u pritën me entuziazëm dhe dashamirësi me lot gëzimi dhe krenari. Kjo shënoi një epokë të re në qytet dhe Kosovë.

12 Qershori kujtohet përherë si Dita e Çlirimit të Prizrenit.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-