Dita e gruas është festë jo-islame

Opoja.net Opoja.net Artikuj

Vëllezër dhe motra në Islam!

Tema e hutbes së sotme është: Dita e Gruas është festë jo-islame.

Të respektuarit e mi!

“8 marsi – Dita e Gruas”, është festa ndërkombëtare e cila po festohet në botë, madje edhe në botën muslimane, megjithëse ajo është më shumë poshtëruese për gruan sesa ditë e saj e vërtetë.

Ia kujtoj vetvetes dhe juve ajetin e 14, të sures Lukman, ku Allahu i Plotfuqishëm, thotë:

„Dhe, Ne, i kemi urdhëruar njeriun që t’i nderojë prindërit e vet. Nëna e ka bartur atë, duke duruar mundim pas mundimi, e ndarja e tij (nga gjiri) është brenda dy vitesh. (Dhe i kemi thënë njeriut): “Bëhu falenderues ndaj Meje dhe prindërve tu! Tek Unë do të ktheheni të gjithë.”

Ideja e 8 marsit, si Ditë e Gruas, i përket Clara Eisner Zetkin (Cetkin; 1857 – 1933), luftëtare gjermane me ndikim për të drejtat e grave. Ajo shumë është interesuar për politikën e grave, duke përfshirë luftën për barazi dhe të drejtën e votës për gratë. Ajo zhvilloi Lëvizjen e Grave Socialdemokrate në Gjermani, kurse në vitin 1907, u bë drejtuese e ‘Zyrës së Grave’ në SPD e sapoformuar.

Ajo e organizoi manifestimin e parë të “Ditës Ndërkombëtare të Gruas”, 8 marsin më 1911.

Clara Zetkin u bëri thirrje të gjitha grave në botë:

1. Për dashuri të lirë, pa kufi.

2. Për të drejtën e njëanshme të divorcit.

3. Për të drejtën e abortit.

4. Për shënimin e 8 marsit, si Dita e Gruas.

Përmes këtyre katër parimeve, ajo i fton edhe gratë muslimane, që t’i hedhin poshtë vlerat morale dhe tu bashkohen pasioneve të tyre. Prandaj, të gjitha gratë që e festojnë 8 marsin, pranojnë poshtërimin dhe degradimin e gruas, si qenie njerëzore, të cilës Allahu i Lartësuar, ia besoi rolin e nderuar të nënës, e cila lind, ushqen dhe edukon fëmijët e saj, e cila e ruan nderin e vet dhe nderin e familjarëve, dhe e cila, për këtë arsye, i ndan plotësisht me burrin e saj, të gjitha sevapet të cilat i fiton ai, në punët për të cilat ai është përgjegjës.

Allahu i Plotfuqishëm, ia dha gruas në Islam detyrën shenjtë të nënës dhe të asaj që edukon fëmijë, dhe në të mbolli dashuri të veçantë, e cila nuk është e veçantë për krijesat e tjera, kështu që ajo është shembull i dashurisë, ngrohtësisë dhe sakrificës. Pejgamberi (savs), fëmijëve që sillen mirë me nënat e tyre ua premtoi xhenetin: “Xheneti është nën këmbët e nënave.” (Ibni Maxhe)

Islami i dha gruas të drejtën e pronës private, pa e detyruar atë për mbajtjen e familjes, e cila është detyrë e burrit, e liroi nga xhemati, kështu që gruaja kur falet në shtëpinë e saj merr shpërblimin e xhematit, e liroi nga detyrimi i xhihadit, kështu që kur ajo e ruan nderin e saj, pasurinë e saj dhe i rrit fëmijët, derisa burri i saj është në xhihad, ajo e ndan me burrin sevapin e tij, ajo ka të drejtë që burri t’ia sigurojë një gji dhënëse për fëmijën, ka të drejtën e saj të garantuar në trashëgimi, ka të drejtën e pronës private, pa obligim për mbajtjen e familjes, që është detyrim i burrit, dhe ka të drejtën e mehrit (dhuratë e martesës) dhe ta disponojë atë ashtu si dëshiron.

Nëna në Islam ka avantazhin ndaj babait, jo një herë, por tri herë, siç thuhet në hadithin e Pejgamberit (savs):

Transmeton Ebu Hurejre (r.a.): “Erdhi një burrë te Pejgamberi (savs) dhe i tha: O i Dërguari i Allahut! Cili njeri meriton më shumë shoqërinë dhe kujdesin tim?’ Pejgamberi (savs) tha: “Nëna jote.” Pasi e përsëriti këtë tri herë tha: “Pastaj babai yt, pastaj ata që janë më të afërm.” (Buhariu dhe Muslimi)

Fëmija është i detyruar që të sillet mirë me prindërit e tij, edhe nëse ata janë jo-muslimanë.

Nga ana tjetër, Pejgamberi (savs), na mëson që të sillemi bukur ndaj grave tona, kështu që në hadithin që e transmeton nëna e muslimanëve, Aishja (r.a.), Pejgamberi (savs) ka thënë: “Më i miri nga ju është ai që është më i miri ndaj grave të tij, kurse unë jam më i miri nga ju, ndaj grave të mia!” (Tirmidhiu)

Pejgamberi (savs), ia premton xhenetin atij, i cili i rrit dhe edukon bukur tri vajzat e tij:

Transmetohet nga Ukbe ibn Amir (r.a.), se Pejgamberi (savs) ka thënë: “Kush ka tri vajza, dhe është i durueshëm me to, ju jep ushqim, pije dhe i veshë me mundin e tij, ato do të jenë për të perde nga zjarri në Ditën e Gjykimit.”(Bejhekiu)

Në një transmetim tjetër, thuhet se një shpërblim të tillë do ta fitojë edhe ai që i edukon dy vajza, dhe madje edhe ai që e edukon një vajzë.

Islami i caktoi gruas vend shumë të ndershëm, gruaja muslimane gjatë gjithë vitit i ka ditët e saj, në të cilat respektohet dhe i gëzon të gjitha të drejtat. Si muslimanë, nëse kemi mundësi, ne mund t’u sjellim lule nënave tona, grave, vajzave dhe nuseve tona çdo ditë, dhe kështu t’ua shprehim vëmendjen tonë.

8 Marsi është dita e degradimit të grave, në asnjë mënyrë, ajo nuk është dita e afirmimit të tyre. Ajo është një ditë në të cilën organizohen argëtime, përmbajtja themelore e të cilave janë haramet e ndryshme, dhe është një ditë në të cilën shitet, blihet ose dhurohet trupi i femrës në mënyrën më primitive.

Prandaj, motra të nderuara, përqafoni Islamin dhe hiqni dorë nga imitimi i jobesimtarëve, binduni burrave tuaj dhe kërkoni nga ata që të jenë të drejtë dhe të kujdesshëm ndaj jush!

Le të jemi të bindur ndaj nënave tona, le të sillemi bukur ndaj grave tona, le t’i edukojmë vajzat tona në burimet e pastra të Islamit, le të garojmë në të mirë dhe ta dëshirojmë xhenetin që na është premtuar!

I lutem Allahut të Plotfuqishëm, që të na forcojë në rrugën e Islamit,
– që t’i ndihmojë vëllezërit tanë në Palestinë, Siri dhe në çdo vend ku po kërcënohen të drejtat e tyre,
– që t’i mëshirojë prindërit dhe paraardhësit tanë,
– që fëmijët tanë t’i bëjë gëzim të syve dhe zemrave tona dhe prijës të umetit,
– që të na mëshirojë në Ditën e Gjykimit dhe,
– që të na nderojë në xhenet me shoqërinë e pejgamberëve, të sinqertëve, të shehidëve dhe të njerëzve të mirë! Amin!

Hatib: Nezim Halilović Muderris

Përkthim me përshtatje: Miftar Ajdini

(Islampress)

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-