Respektimi i të drejtave dhe dinjitetit të punëtorëve në Islam

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Artikuj

Dr. Usame bin Abdullah Hajjât

Nën hijen e drejtësisë që Islami propagandon, shpirtrat gjejnë qetësi, zhduken shkaqet e armiqësisë dhe urrejtjes, dhe tërë jeta e njeriut bëhet më e bukur dhe më e qetë. Allahu urdhëron çdo formë të drejtësisë dhe ndalon çdo formë të padrejtësisë dhe dhunës. Allahu i Lartësuar thotë: “Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, bamirësinë dhe ndihmën për të afërmit…” (en-Nahl, 90)

Një nga shembujt më të bukur të drejtësisë në Islam është pa dyshim respektimi i të drejtave dhe dinjitetit të klasës punëtore. Islami e sheh punëtorin si një individ të shoqërisë, që ka ndjenja dhe të drejta të caktuara. Së pari, Islami kërkon që punëtorit ose qiramarrësit t’i jepet plotësisht shpërblimi për punën e kryer me korrektësi, në përputhje me marrëveshjen ndërmjet tij dhe punëdhënësit. Për më tepër, i Dërguari i Allahut (savs) ka thënë:
“Jepini punëtorit pagën e tij para se t’i thahet djersa në ballë.” Kush vepron ndryshe nga kjo, do të përballet me një dënim të rëndë në Ditën e Gjykimit, sipas gjykimit të të Dërguarit të Allahut (savs), i cili ka thënë: “Allahu i Lartësuar ka porositur: ‘Unë në Ditën e Gjykimit do të gjykohem me tre persona, dhe kushdo me të cilin Unë gjykohem, ai është i humbur: 1. me njeriun që, duke u betuar në Emrin Tim, premton diçka dhe nuk e përmbush; 2. me njeriun që shet një njeri të lirë dhe përfiton nga kjo; dhe 3. me njeriun që nuk ia jep pagën e merituar punëtorit të vet.”

Në disa transmetime përmendet tregimi i tre burrave që ishin mbyllur në një shpellë dhe që u shpëtuan nga Allahu për shkak të veprave të tyre të mira, të cilat i përmendën në lutjet e tyre, duke kërkuar ndihmën e Allahut në atë situatë të pashpresë. Njëri prej tyre tregoi se kishte pasur punëtorë, dhe njëri prej tyre ishte larguar pa e marrë pagesën e vet. Ai e kishte investuar atë pagë, dhe kishte fituar pasuri të madhe, të cilën më pas ia dorëzoi tërësisht bashkë me kapitalin, kur ai u kthye për ta marrë pagën e tij. Për këtë vepër, ai e meritoi mëshirën e Allahut. Këtë mund ta bëjnë vetëm ata që besojnë në Allahun dhe që kanë cilësi të larta morale. Përveç kësaj, ata sillen me butësi ndaj punëtorëve, nuk i ngarkojnë përtej mundësive të tyre dhe nuk i akuzojnë për gjëra që nuk i kanë bërë, me qëllim që t’ua mohojnë ndonjë të drejtë të garantuar me marrëveshje.

Nga ana tjetër, punëtori është i obliguar t’i respektojë detyrimet e marra dhe ta kryejë punën plotësisht. Ai është përgjegjës për atë që i është besuar dhe nuk duhet të sajojë justifikime të rreme për ndonjë mangësi. Ky qëndrim e sjell begatinë e Allahut në atë që ai fiton për vete dhe për familjen e tij. https://saff.ba//

Përshtati në shqip: Miftar Ajdini

(Islampress)9

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-