Në fshatin Breznë ka nisur ndërtimi i impiantit për përpunimin e ujërave të zeza, një projekt i shumëpritur që pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e kushteve të jetesës së banorëve lokalë.
Ky investim strategjik jo vetëm që do të përmirësojë ndjeshëm kushtet higjeno-sanitare në zonë, por gjithashtu pritet të kontribuojë në mbrojtjen e mjedisit, përmirësimin e shëndetit publik dhe zhvillimin e potencialit turistik të rajonit.
Kryetari i Komunës, Bexhet Xheladini, përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook, theksoi se ky projekt është dëshmi e përkushtimit të qeverisjes lokale për zhvillimin e qëndrueshëm të zonave rurale dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve.
“Hap pas hapi, premtimet tona po bëhen realitet. Brezna po bëhet me një impiant modern për përpunimin e ujërave të zeza, që do të sjellë përfitime të drejtpërdrejta për komunitetin,” – thuhet në postimin e tij.
Realizimi i këtij projekti përfaqëson një tjetër hap konkret drejt përmirësimit të infrastrukturës bazë në zonat rurale dhe përforcon vizionin për një zhvillim të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.