IKSHPK publikon këshilla të rëndësishme për t’u mbrojtur nga vala e të nxehtit

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK) ka dalë me një seri rekomandimesh të rëndësishme për qytetarët në lidhje me mbrojtjen nga vala e të nxehtit që po përfshin vendin këto ditë.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK) ka dalë me një seri rekomandimesh të rëndësishme për qytetarët në lidhje me mbrojtjen nga vala e të nxehtit që po përfshin vendin këto ditë.

Opoja.net Opoja.net Shëndeti

Temperaturat e larta që po zgjasin gjatë ditës dhe natës përbëjnë një rrezik serioz për shëndetin, sidomos për grupet më të cenueshme të popullatës.

Sipas IKSHPK-së, ekspozimi i zgjatur ndaj temperaturave ekstreme mund të shkaktojë stres të akumuluar në trup dhe të rrisë rrezikun për sëmundje ose edhe vdekje. Në veçanti, paaftësia e trupit për të eliminuar nxehtësinë e brendshme mund të çojë në rraskapitje apo goditje nga nxehtësia, duke i shtuar barrë zemrës dhe veshkave.

Po ashtu, nxehtësia ekstreme përkeqëson gjendjen shëndetësore të personave me sëmundje kronike si ato kardiovaskulare, mendore, respiratore dhe diabetin, si dhe mund të shkaktojë dëmtime të shpejta të veshkave.

Këshillat kryesore për qytetarët përfshijnë:

1. Qëndroni larg të nxehtit

  • Shmangni daljet dhe aktivitetet e rënda gjatë pjesës më të nxehtë të ditës.
  • Qëndroni në hije – temperatura në diell mund të jetë deri në 15°C më e lartë.
  • Kaloni disa orë në ditë në ambiente të freskëta.
  • Informohuni për paralajmërimet zyrtare mbi temperaturat e larta.

2. Mbajeni shtëpinë të freskët

  • Hapni dritaret në mbrëmje dhe natë për të ftohur ambientet.
  • Mbyllni dritaret gjatë ditës dhe përdorni perde apo material mbrojtës ndaj diellit.
  • Fikni pajisjet elektrike të panevojshme.
  • Përdorni ventilatorë vetëm në temperatura nën 40°C.
  • Nëse përdorni kondicioner, vendoseni në 27°C dhe përdorni një ventilator për kursim energjie dhe freski më të madhe.

3. Mbani trupin të freskët dhe të hidratuar

  • Vishuni me rroba të lehta, të lirshme dhe pambuku.
  • Bëni dush të freskët ose përdorni leckë të lagur për ftohje.
  • Pini ujë rregullisht, të paktën një gotë çdo orë dhe 2–3 litra në ditë.
  • Kontaktoni rregullisht personat e rrezikuar: të moshuar, të sëmurë kronikë dhe ata që jetojnë vetëm.

4. Mbroni foshnjat dhe fëmijët

  • Kurrë mos i lini fëmijët apo kafshët vetëm në veturë – rreziku për goditje nga nxehtësia është i menjëhershëm.
  • Shmangni ekspozimin në diell nga ora 10:00 deri në 17:00.
  • Mos e mbuloni karrocën e fëmijës me pëlhurë të thatë – përdorni të lagur dhe freskoni herë pas here.
  • Vishni fëmijët me rroba të lehta dhe të lirshme, përdorni kapele, syze dielli dhe krem mbrojtës UV.

IKSHPK apelon që qytetarët të zbatojnë me përpikëri këto këshilla si në nivel individual, familjar, por edhe institucional. Ndërhyrjet praktike mund të shpëtojnë jetë në situata të tilla me rrezik të lartë për shëndetin publik.

 

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.


Fjalë kyqe:
- Reklama-
- Reklama-