Me poshtë mund ta lexoni shkrimin e plotë të Kryetarit të Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, lidhur me reagimin e degës së PDK-së mbi çështjen e Radio Sharrit:
KUNDËRREAGIM LIDHUR ME REAGIMIN E PDK-SË NË DRAGASH MBI ÇËSHTJEN E RADIO SHARRIT
Të nderuar dhe shumë të respektuar qytetarë të Komunës së Dragashit,
Me keqardhje kemi vërejtur një reagim të pavend nga Dega e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Dragash, e cila në vend që të përqendrohet në përmbajtjen dhe rolin e saj opozitar në Kuvendin Komunal, po përpiqet të shpërqendrojë opinionin publik përmes akuzave të pabaza dhe manipulimit të fakteve.
Për hir të transparencës dhe respektit ndaj qytetarëve, ndjej obligim të sqaroj disa çështje:
RADIO SHARRI NUK DUHET TË JETË PENG I URDHËRAVE NGA JASHTË
Komuna e Dragashit asnjëherë nuk e ka sulmuar lirinë e medias. Bashkëpunimi ynë me Radio Sharrin ka qenë i hapur dhe korrekt, për aq kohë sa ky medium ka respektuar rolin e tij si medium informues. Kemi bërë vërejtje të arsyeshme për mostransmetimin e disa seancave solemne me rëndësi publike, siç ishte Dita e Çlirimit dhe ceremonia e binjakëzimit me Komunën e Mavrovo-Rostushës, ngjarje të cilat nuk kanë lidhje me politikën ditore, por me interesin publik.
Ne kemi ndërprerë përkohësisht bashkëpunimin, derisa të sigurohemi se veprimet e këtij mediumi nuk ndikohen nga interesa jashtë radios. Ky nuk është presion, por përgjegjësi për të ruajtur objektivitetin.
Akuzat për mungesë të transparencës janë krejtësisht të kota dhe kontradiktore, për shkak se është pikërisht Radio Sharri dhe jo Komuna, e cila ka shfaqur mungesë të transparencës duke mos transmetuar drejtpërdrejt disa ngjarje të rëndësishme komunale dhe me interes publik.
DITËN E SEANCËS PDK KA BËRË PËRPJEKJE TË HAPURA PËR TË BLLOKUAR PUNËN E KUVENDIT
Pavarësisht përpjekjes për ta shitur veten si mbrojtëse të fjalës së lirë, PDK-ja në Dragash duhet të tregojë përgjegjësi për bojkotimin e seancës më të rëndësishme të vitit, atë ku u miratua Korniza Afatmesme Buxhetore (KAB) 2026-2028. Të mos marrësh pjesë në një debat kaq të rëndësishëm për qytetarët e Dragashit, është mosrespektim i vullnetit dhe besimit të tyre.
Sipas informatave të brendshme, brenda Degës së PDK-së ka pasur përçarje të theksuara dhe debat të ashpër për këtë vendim të gabuar për mosëpjesëmarrje në seancë. Kjo tregon qartë që bojkotimi ka qenë i planifikuar një ditë para seancës. Nuk ishte për parim, por për kalkulim politik të gabuar, i cili, fatkeqësisht për ta, nuk funksionoi.
NE MBESIM TË HAPUR PËR BASHËPUNIM ME TË GJITHË PËR TË MIRËN E QYTETARËVE
Komuna e Dragashit është shtëpia e të gjithë qytetarëve, pa dallim bindjeje politike. Ftojmë çdo subjekt politik, përfshirë edhe PDK-në, që energjinë e tyre ta kanalizonjë në propozime konkrete për mirëqenien e qytetarëve, e jo në akuza boshe e deklarata emocionale dhe politike, të motivuara nga qëllime elektorale.
Vendimet tona nuk kanë asnjë qëllim për të kufizuar lirinë e medias. Radio Sharri, ashtu si çdo media tjetër, ka të drejtë të plotë që të përcjellë aktivitetet publike të Komunës, mirëpo kjo në asnjë rast nuk do të thotë që Komuna e Dragashit të lejojë mostransmetimin e drejtpërdrejtë të seancave nga ana e Radio Sharrit.
Vendimet tona për bashkëpunim apo pezullim të bashkëpunimit me çdo institucion do të jenë gjithmonë të bazuara në ligj, profesionalizëm dhe paanshmëri.
Demokracia kërkon përgjegjësi, jo vetëm nga pushteti, por edhe nga opozita. Qytetarët e Dragashit meritojnë një debat të sinqertë dhe të bazuar në fakte, jo lojëra politike në kurriz të interesit të popullatës.
Me respekt,
Bexhet Xheladini
Kryetar i Komunës së Dragashit
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.