Zvicra do të zbatojë nga data 12 tetor 2025 Sistemin e ri të Hyrjes/Daljes (EES) të Bashkimit Evropian, megjithëse nuk është anëtare e BE-së.
Ky sistem i ri synon forcimin e kontrolleve kufitare në zonën Shengen, duke regjistruar automatikisht të dhënat e hyrjes dhe daljes së udhëtarëve nga vendet jashtë BE-së dhe Shengenit.
Aeroportet e Gjenevës dhe Cyrihut do të jenë ndër të parat që do të implementojnë sistemin EES, fillimisht për një fazë gjashtëmujore, deri në pranverën e vitit 2026.
Sistemi do të zëvendësojë vulosjen manuale të pasaportave dhe do të mbledhë të dhëna biometrike dhe të udhëtimit, me qëllim rritjen e sigurisë, uljen e abuzimeve me vizat afatshkurtra dhe përshpejtimin e procedurave në kufi.
EES do të vlejë për të gjithë qytetarët nga vendet e treta që udhëtojnë në BE apo Zvicër për periudha të shkurtra deri në 90 ditë. Qytetarët e BE-së dhe rezidentët afatgjatë në zonën Shengen nuk preken nga ky sistem.
Ky ndryshim është pjesë e strategjisë së përbashkët evropiane për digjitalizimin e kontrolleve kufitare, e cila synon efikasitet më të lartë dhe mbrojtje më të fortë të kufijve të jashtëm të BE-së dhe Shengenit.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.