Një ngjarje shqetësuese ka ndodhur në një shkollë fillore në Prizren, ku dy nxënëse të mitura dyshohet se kanë kërcënuar një bashkëmoshatare, ndërsa gjatë kontrollit policor u janë gjetur armë të ftohta, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se rasti ka ndodhur në oborrin e shkollës fillore “Haziz Tola”, ku fillimisht është raportuar se dy nxënëse kishin kërcënuar një nxënëse tjetër.
Pas marrjes së informacionit, njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë identifikuar palët e përfshira.
Gjatë kontrollit, te njëra nga të dyshuarat, e moshës së mitur, është gjetur një boks hekuri, ndërsa te nxënësja tjetër policia ka gjetur dy thika.
Sinjali mëson se të dyshuarat dhe viktima janë intervistuar në prani të prindërve kujdestarë dhe përfaqësuesve të Qendrës për Punë Sociale.
Lidhur me rastin është njoftuar hetuesi policor dhe Prokurori i Shtetit, me udhëzimin e të cilit është iniciuar rasti për veprat penale “Sulm” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Rasti po trajtohet në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave janë në vazhdim.
Ngjarja ka ngritur shqetësime serioze për sigurinë në ambientet shkollore, pasi armët e ftohta janë gjetur tek nxënëse të moshës së mitur brenda hapësirave të shkollës.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

