Krahas sexhdeve të namazit, sehvi sexhdes dhe sexhdes së leximit, në traditën e pejgamberit a.s ekzistonin edhe të ashtuquajturat sexhde falënderimi. Sexhdeja e falënderimit është e pëlqyer të bëhet kur na largohet ndonjë fatkeqësi apo kur na ndodh ndonjë e mirë apo na jepet ndonjë mirësi.
Transmetohet se i Dërguari i Allahut s.a.v.s këtë lloj sexhdeje e ka bërë kur i vinte ndonjë lajm i gëzueshëm. Kështu vepronin edhe sahabët e pejgamberit a. s duke marrë si shembull të Dërguarin e Allahut s.a.v.s.
Janë të njohura shumë situata kur Muhamedi a.s ka bërë këtë lloj sexhdeje. Do ta përmendim rastin kur atij i erdhi lajmi se banorët e Hemdhanit kanë pranuar Islamin, si dhe rastin kur Xhebraili e lajmëroi se Allahu i Madhërishëm porosit: “Kush të dërgon salavat ty, edhe Unë i dërgoj atij. Kush të përshëndet ty edhe Unë e përshëndes atë”, (Ahmedi).
Është e njohur se Aliu r.a bëri sexhde kur e gjati Dhu Sudejjin sepse ishte frikësuar për jetën e tij nga havarixhët. Sexhden e falënderimit e bënë edhe Ebu Bekri dhe Omeri kur morrin lajmin e vrasjes së Musejlemes, gjithashtu edhe Ka’ab in Maliku kur mori lajmin e pranimit të pendimit për shkak të mos marrjes pjesë në luftën e Tebukut. Ekzistojnë më shumë se 40 transmetime që flasin për atë se edhe sahabët tjerë dhe tabiinët kanë bërë sexhden e falënderimit.
Kjo sexhde bëhet ashtu siç bëhet sexhdeja e leximit dhe sexhdet tjera, mirëpo tek sexhdeja e falënderimit nuk kushtëzohet abdesi dhe kthimi nga Kibleja, edhe pse është shumë më mirë që njeriu nëse ka mundësi të jetë me abdes dhe të kthehet nga Kibleja.
Disa dijetarë thonë se këtë lloj sexhdeje është e lejuar ta bëjmë edhe në kohët kur ndalohet falja e namazit, për shkak se kjo sexhde nuk është namaz.
Sexhdeja e falënderimit është një lloj i veçantë i dhikrit dhe për këtë lloj vlejnë rregulla tjera. Shkohet njëherë në sexhde dhe në të lexohet ajo çka lexohet edhe në sexhdet tjera.
Sa i përket kohës në të cilën jetojmë, sexhden e falënderimit shpesh mund ta shohim edhe në ekranet televizive, ku në mënyrë publike dhe në stadiume e bëjnë sportistët muslimanë në momentet kur arrijnë ndonjë rezultat apo sukses të veçantë.
Përshtati: Arsim Dauti
(Islampress)
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.