Dragash, 5 mars – Ambasadori i Anglisë në Kosovë, Jan Cliff, të enjten, ka vizituar komunën e Dragashit. Me këtë rast, kryetari i Komunës, Salim Jenuzi, e ka informuar ambasadorin anglez me gjendjen aktuale politike, si dhe angazhimet e strukturave lokale për përmirësimin e kushteve të jetesës për banorët e të dy komuniteteve.
“Jemi ndër komunat që kemi krijuar ambient të përshtatshëm për mbarë popullatën e kësaj komune, pavarësisht nga përkatësia etnike. Kemi disa probleme me arsimin paralel, më të cilin qëllimisht nuk jemi dashur të merremi, ngase, kohëve të fundit, edhe ata që e kanë krijuar atë, janë duke iu bashkëngjitur atyre që punojnë në sistemin arsimor të Kosovës.
Ndërsa sa i përket institucioneve tjera lokale, pjesëtarët e komunitetit pakicë, janë të përfshirë konform strukturës së popullatës që jetojnë në këtë komunë. Përmirësimi i jetës së qytetarëve të të dy komuniteteve, ka qenë në vazhdimësi fokusim i yni. Pas marrjes së propozimeve për realizimin e projekteve, ne, pos mjeteve buxhetore të Komunës, do të kërkojmë edhe ndihmën e Qeverisë së Kosovës. Jemi të bindur se, siç na ka ndihmuar deri më tani në realizimin e disa projekteve në fshatrat kufitare me Shqipërinë e Maqedoninë, do të na ndihmojë edhe në të ardhmen”, ka thënë kryetari i Komunës, Salim Jenuzi.
Ndërkaq, ambasadori anglez, Jan Cliff, pasi është informuar nga kryetari Jenuzi me historikun e kësaj komune, ka nënvizuar se “kam menduar se Komuna e Dragashit ka një territor të vogël, por me atë që dëgjova jam befasuar për të mirë. Jam mahnitur me potencialet e mëdha blegtorale e turistike, andaj shpresoj se me angazhime të përbashkëta mundemi që të gjitha këto potenciale t’i vëmë në shërbim të qytetarëve. Ne, e kemi njohur Kosovën e pavarur. Ju porosisë që nëse ia doni të mirën këtij vendi, edhe ju në nivelin lokal duhet të angazhohen për krijimin e një klime mirëbesimi ndërmjet komuniteteve që jetojnë këtu, ngase vetëm kështu mund të shpresoni në përkrahjen tonë”, ka thënë Cliff.
(Opoja.net)
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.