Në Liqenin piktoresk të Breznes janë zhvilluar aktivitetet e radhës në kuadër të manifestimit “Ditët e Mërgatës”, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve lokale, bashkatdhetarë dhe qytetarë të Komunës së Dragashit.
Në hapjen e programit artistik, kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, së bashku me pjesëtarë të Kabinetit të tij, ka përshëndetur të pranishmit, duke vlerësuar rolin dhe kontributin e mërgatës shqiptare ndër vite.
Xheladini tha se Ditët e Mërgatës janë një mundësi për të forcuar lidhjet mes vendlindjes dhe bashkatdhetarëve, duke theksuar se pavarësisht largësisë, mërgata mbetet pjesë e pandashme e jetës, historisë dhe së ardhmes së Kosovës.
“Ju nuk jeni vetëm mysafirë të verës. Ju jeni pjesë e pandashme e jetës sonë, e historisë sonë dhe e së ardhmes sonë”, ka deklaruar Xheladini, duke shprehur mirënjohje për kontributin e mërgatës në periudha të ndryshme historike.
Ai ka përmendur rolin e bashkatdhetarëve në mbështetjen e familjeve në Kosovë, ruajtjen e arsimit dhe institucioneve gjatë viteve të vështira, si dhe kontributin në proceset që çuan drejt lirisë së vendit.
Gjatë fjalimit, kryetari i Dragashit ka vlerësuar edhe rëndësinë e aktiviteteve kulturore, sportive dhe tradicionale, të cilat sipas tij ndihmojnë në ruajtjen e identitetit dhe afrimin e brezave.
Ai ka theksuar se Komuna e Dragashit do të vazhdojë të punojë për zhvillimin e infrastrukturës, arsimit, kulturës, sportit dhe shërbimeve publike, duke ftuar mërgatën që të jetë pjesë aktive e zhvillimit të vendlindjes.
Manifestimi “Ditët e Mërgatës” në Brezne po zhvillohet në një atmosferë festive, me aktivitete të ndryshme kulturore, sportive dhe argëtuese, duke bashkuar qytetarët dhe bashkatdhetarët që rikthehen në vendlindje gjatë sezonit veror.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

