Një muaj burgim me kusht dhe 200 euro gjobë, ka shqiptuar Gjykata Themelore në Prizren, dega në Dragash, ndaj të akuzuarit për vjedhje, Adel Murati.
Sipas aktgjykimit të shpallur të enjten, nga gjykatësi Bekri Vehapi, dënimi me burgim ndaj të akuzuarit nuk do të ekzekutohet nëse ai në periudhën verifikuese prej një viti, nuk kryen vepër tjetër penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ai është i obliguar t’i paguajë edhe shpenzimet procedurale dhe atë 20 euro në emër të paushallit gjyqësor dhe 30 euro në emër të kompensimit të viktimave të krimit.
Aktgjykimi është shpallur, pasi që i akuzuari e ka pranuar fajësinë për këtë vepër penale, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Mehreme Hoxha.
“Unë kam marrë vetëm 150 litra naftë, të tjerat nuk e di kush i ka marrë. Jam penduar dhe kam dashur që vet të lajmërohem. Asnjëherë nuk kam qenë i dënuar me parë dhe kërkoj nga gjykata t’i marrë parasysh të gjitha rrethanat lehtësuese”, ka thënë i akuzuari.
Pranimin e fajësisë nuk e ka kundërshtuar as prokurorja Mehreme Hoxha, pasi që sipas saj , është bërë në baza vullnetare.
Sipas aktakuzës së ngritur më 22 janar 2019 nga Prokuroria Themelore në Prizren, i pandehuri Adel Murati akuzohet se më 24 gusht 2018, rreth orës 21:00, në afërsi të fshatit Baqke të Dragashit, me qellim të përvetësimit të kundërligjshëm për vete, ia merr pasurinë personit tjetër.
Në aktakuzë thuhet se e gjithë kjo ka ndodhur në atë mënyrë që derisa makineria e KFOR-it turk po qëndronte në vendpunishte, ku po hapej rruga në relacionin Baqke-Zlipotok, i pandehuri ka shfrytëzuar momentin kur punimet janë ndalur për rreth një jave dhe makineritë kanë qenë të pa mbikëqyrura.
Ai i është afruar ekskavatorit të KFOR-it dhe me anë të një gypi ka nxjerrë derivate nga rezervari i ekskavatorit, në sasi prej rreth 400 litër.
Me këto veprime, ai akuzohej se ka kryer veprën penale të vjedhjes nga neni 325, paragrafi 1 i Kodit Penal të Kosovës. /Betimipërdrejtësi
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.