Gazeta Sinjali raportoi sot ekskluzivisht se Inspektorati Policor i Kosovës ka arrestuar zyrtarin policor, Kushtrim Piraj, në Dragash, i cili dyshohet se ka qenë i përfshirë në një konflikt bashkë me 3 qytetarë, të cilët e kanë sulmuar një person tjetër brenda stacionit policor. Katër të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë, teksa për “menaxhim të dobët të rastit” janë suspenduar dy eprorë.
Në mesin e të arrestuarve, Sinjali mëson se është edhe Shpëtim Piraj, vëllai i policit Kushtrim Piraj, ndërsa dy të dyshuarit e tjerë janë Leotrim Qengaj dhe Florim Qengaj.
FOTO: Kushtrim dhe Shpëtim Piraj
Katër të dyshuarit, përfshirë zyrtarin policor po hetohen për veprat penale “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Dëmtim prone”.
Incidenti ka ndodhur në ambientet e Stacionit Policor Dragash, ku ishte ishte shoqëruar një person i dyshuar. Zyrtarët policorë dhe i dyshuari janë sulmuar nga disa persona, në mesin e të cilëve edhe Piraj me tre të dyshuarit e tjerë.
Rastin e ka konfirmuar IPK dhe ka njoftuar se “për menaxhim të dobët të rastit dhe dështim në ofrimin e sigurisë së të dyshuarit,” janë suspenduar një Toger Policor-Shefi i Hetimeve të Stacionit dhe një Rreshter Policor-Shef i ndërrimit.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.