Dr.sc. SELAMI SYLEJMANI SHPALLET ANËTAR NDERI I KOLEGJIT TË KIRURGËVE TË KOSOVËS

Opoja.net Opoja.net Opoja

Në Prishtinë po zhvillon punimet Kongresi i katërt Klinik i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës. Ky Kolegj, i themeluar si organizatë shkencore dhe avokuese për të udhëhequr avancimet në disiplinat e kirurgjisë në Kosovë në datat 26-29 shtator 2024, po e mban Kongresin me temën “Përparimet dhe inovacionet në Kirurgji”.

Në ceremoninë e hapjes së këtij Kongresi, organizatori (Kolegji i Kirurgëve të Kosovës në bashkëpunim me Shoqatat Kirurgjike të Kosovës), e kanë nderuar me mirënjohjen ANËTAR NDERI, bashkëvendësin tonë prof. dr. sc. Selami Sylejmani.

Kjo mirënjohje ju ndahet personaliteteve që kanë reputacion ndërkombëtar në fushën e kirurgjisë ose mjekësisë; personaliteteve që kanë kryer shërbime të shquara humane, veçanërisht në fushën e shkencës mjekësore dhe personaliteteve që kanë kontribuuar në zhvillimin e Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës.

Dr. sc. Selami Sylejmani, i lindur në fshatin Bresanë të Opojës, është një nga emrat më të spikatur të mjekësisë në Kosovë dhe rajon, i specializuar në lëmin e gjinekologjisë në Zagreb dhe Tiranë dhe një nga pionierët e ultrasonografisë në Kosovë. Përveç si profesionist e humanist i spikatur, dr. Selamiu është edhe atdhetar i devotshëm.
Gradën Doktor i shkencave mjekësore e ka arritur në vitin 2000 në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Tiranës ku ka mbrojtur tezën “Parashikimi i ovulacionit dhe vlerësimi i funksionit të vezoreve te gratë me anë të ultratingullit”.

Titullin akademik Profesor MD, PhD e ka arritur në Universitetin Publik “Fehmi Agani” në Gjakovë ndërsa titullin “Docent” në Universitetin Ndërkombëtar DIU Libertas, Zagreb, Kroaci.

Dr. Selamiu ka kryer specializime të ndryshme pasuniversitare në lëmin e ultrasonografisë në gjinekologji dhe obstetrikë në institucione të njohura kombëtare e ndërkombëtare. Është autor dhe bashkautor i mbi 200 punimeve shkencore të publikuara në revista prestigjioze me impakt ndërkombëtar, si dhe organizator dhe pjesëmarrës në dhjetra konferenca e aktivitete shkencore kombëtare e ndërkombëtare.

Është anëtar i Shoqatës së Mjekëve të Kosovës; Anëtar i Kryesisë së Shoqatës së Obstetërve dhe Gjinekologëve të Kosovës në kryesinë aktuale; Kryetar i Shoqatës së Kosovës për Aplikimin e Ultratingullit në Mjekësi në periudhën 2002 – 2007; Anëtar i Shoqatës së Mjekëve Privatë të Kosovës; Anëtar i Shoqatës së Mjekëve të Kroacisë (Hrvatski Lječnički Zbor); Anëtar i ISUOG-ut (International Society of Ultrasound in Obstetrics and Gynecology); Anëtar nderi i Shoqatës së Perinatologeve të Shqipërisë; Anëtar i Kryesisë së Shoqatës së Obstetërve dhe Gjinekologëve të Kosovës në kryesinë aktuale. Nga viti 2018, dr. Selamiu është drejtor i Shkollës Ndëruniversitare Ndërkombëtare Ian Donald, për Republikën e Kosovës.

Për punën dhe angazhimin e tij prej afro gjysmë shekulli në fushën e mjekësisë dhe humanizmit e atdhetarisë, është vlerësuar me qindra mirënjohje, certifikata e plaketa nderi nga institucione vendore e ndërkombëtare si dhe nga qindra pacientë të cilët falë përkujdesjes së doktor Selamiut janë bërë prindër madje edhe në rastet kur i kishin të shuara shpresat!

Doktor Selamiun e urojmë për këtë vlerësim të merituar duke i dëshiruar shëndet në radhë të parë, dhe suksese në veprimtarinë e tij shkencore e humane! (D. Reshiti)

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-