Drejtuesit e Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG), të kryesuar nga presidenti, Davide Tizzano dhe sekretari i përgjithshëm, Iakovos Filippoussis, të shoqëruar nga drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës, presidenti Ismet Krasniqi e sekretari i përgjithshëm Besim Aliti, janë pritur sot nga ministri për Kulturë, Rini e Sport, Hajrullah Çeku dhe zëvendësministrja, Daulina Osmani.
Drejtuesit e ICMG-së, ndodhen në Kosovë për të mbajtur mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv, organizim ky që i është besuar KOK-ut.
Ministri Çeku ka falënderuar udhëheqësit e ICMG-së për vizitën dhe organizimin dhënë KOK-un, me ç’rast i ka njohur me sukseset dhe sfidat e sportit të Kosovës, me theks të veçantë reformat që po i bënë MKRS në zhvillimin dhe avancimin e mëtutjeshëm të sportit tonë.
Nga ana e tij, presidenti Tizzano, duke falënderuar ministrin Çeku për pritjen, vlerësoi lart pritjen dhe organizimin e KOK-ut, duke shtuar se ky është vetëm fillimi i një bashkëpunimi të tillë. I pari i lëvizjes mesdhetare foli edhe për përgatitjet që po bëjnë për organizimin e Lojërave Mesdhetare në rërë Heraklion 2022 dhe Lojërave Mesdhetare Taranto 2026.
Presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, falënderoi ministrin për pritjen dhe ICMG-në për besimin e dhënë në organizimin e mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv, derisa shprehu gatishmërinë që në një të ardhme, falë investimeve në infrastrukturë, Kosova bashkë me shtetet fqinje të organizojnë ndonjë edicion të Lojërave Mesdhetare.
Ardhjen e ICMG-së e vlerësuan lartë edhe zëvendësministrja Osmani dhe sekretari i përgjithshëm i KOK-ut, Aliti.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.