Opoja.net

Dyshime se komuna e Dragashit e kurdisi dhe fshehu konkursin: A u rehatua e afërmja e një zyrtari të LDK-së?

Në mes të majit 2022, Komuna e Dragashit shpalli kandidatin e përzgjedhur për anëtar të bordit të drejtorëve në ndërmarrjen “Eco-Regjioni”. Me më së shumti pikë nga konkursi doli Fitore Mejzini. Opozitarët komunalë dyshojnë se konkursi ishte i kurdisur, dhe pati punësim familjar e partiak.

Opozitarët thonë se dyshimet e tyre vijnë pasi të gjithë anëtarët e komisionit komunal i përkisnin LDK-së, parti së cilës i përket edhe kryetari i komunës Bexhet Xheladini.

Dyshimet e tyre u rritën edhe më shumë kur vendin e punës në ndërmarrjen publike e mori Fitore Mejzini, e cila është vajza e axhës së asambleistit të LDK-së në Kuvendin Komunal të Dragashit, Sefidin Mejzini.

Anëtarë të Komisionit Komunal të Aksionarëve të “Eco-Regjioni” ishin: Veton Halili, Shef i Kabinetit të Komunës; Naser Myrtezani, Shef i grupit të asambleistëve të LDK-së; si dhe Mehmet Spahiu, asambleist i LDK-së.

Kuvendarët opozitarë të Dragashit, përveç akuzave për nepotizëm, i thanë gazetës Nacionale se për këtë konkurs Komuna e Dragashit s’ka bërë shpallje publike, dhe kjo e bën konkursin të kundërligjshëm.

Lëvizja Vetëvendosje, dega në Dragash, thotë se konkursi është bërë për “rahatim e pozicionim të familjarëve të LDK-së”. 

“Ndoshta zonja [Fitore Mejzini] do të fitonte prapë, s’kemi asgjë personale me të. Mirëpo, pa pasë thirrje publike, konkursi duhet të ripërsëritet dhe të respektohen të gjitha procedurat ligjore për punësimin e shërbyesve civilë”, i tha gazetës Nacionale Asri Qusaj, sekretar i degës së LVV-së në Dragash.

Me akuza më të ashpra dhe me emra të përveçëm është PDK-ja e Dragashit.

Vehbi Nazifi, kryetar i degës së PDK-së atje, i përmendi gazetës Nacionale se shpallja do të duhej të bëhej në hyrje të ndërtesës së komunës, e po ashtu në uebfaqen e komunës. Ai potencon edhe përbërjen njëpartiake të komisionit komunal, me zyrtarë të LDK-së, dhe thotë se Veton Halili, si shef i kabinetit, s’mund të jetë pjesë e komisionit, pasi ai i përgjigjet vetëm kryetarit të komunës.

Ai bazohet në Ligjin mbi Shërbyesit Civilë, neni 10, pika 4, ku thuhet se Zyrtarët e emëruar në Zyrën e Kryetarit, Nënkryetarit dhe Kryesuesit, nuk mund të jenë pjesë e komiteteve e komisioneve të themeluara nga Kryetari e Kuvendit”. 

Në anën tjetër, Kryetari Xheladini thotë se akuzat për përbërjen e komisionit janë të pabaza. 

“Komisioni është votuar nga Kuvendi Komunal i Dragashit dhe është pranuar nga dy ministri, e Administratës Publike dhe ajo e Financave, çka tregon se ky komision është i ligjshëm, pasi dy ministritë kanë aprovuar vendimin e kuvendit komunal”, thotë ai.

Gazeta Nacionale posedon dy dokumente ku shihet se ministritë në fjalë kanë aprovuar vendimin e Kuvendit Komunal të Dragashit për konkursin në fjalë.

Kryetari Xheladini shton se ka pasur shpallje publike për këtë konkurs. Shpallja publike është bërë më datën 9 prill 2022, në gazetën Koha Ditore. Dhe, sipas Xheladinit, kjo përmbush kushtet ligjore për këtë konkurs.

“Shpallja ka mundur të jetë edhe në New York Times, mirëpo, shpallja s’ka qenë në hyrje [të ndërtesës] së komunës, dhe as në uebfaqen e komunës”, insiston Vehbi Nazifi.

Gazeta Nacionale ka parë se shpallja për hapjen e konkursit s’ka qenë në uebfaqen e Komunës së Dragashit, ndërsa ka qenë e pamundur të vërtetohet nëse shpallja është bërë në hyrje të komunës.

Mirëpo, çka bie në sy është se Koha Ditore është gazetë online, që për të pasur qasje, lexuesi duhet të paguajë paraprakisht. Pra, rrjedhimisht, qytetarët e Dragashit për të parë shpalljen për këtë konkurs, do të duhej të ishin parapagues në gazetën online.

Veton Halili është pyetur nga gazeta Nacionale rreth kësaj se a mendon se kjo ka mundur të penalizojë qytetarët e Dragashit për ta parë shpalljen publike për këtë konkurs.

“Për këtë informatë duhet të kontaktoni “Eco-Regjioni”, ishte përgjigjja e shkurtër e tij.

Ani pse shpallja e publikuar në gazetë është bërë në emër të “Komisionit Komunal të Aksionarëve në Ndërmarrjen Publike KRM ‘Ekoregjioni’, Dragash”, ku Veton Halili është anëtar i komisionit, dhe jo në emër të ndërmarrjes publike.

Bekim Saliu, analist i politikave nga Instituti Gap, i tha Nacionales se shpalljet publike si për nivelin qendror ashtu edhe për atë lokal shkojnë në procedura të njëjta.

“Komunat e kanë obligim të bëjnë shpalljet aty ku qytetarët kanë qasje të lehtë. Kur e dimë ne se Koha Ditore është me parapagim, atëherë mund të themi se një pjesë e qytetarëve nuk mund të ketë qasje në atë shpallje. Pra, disa qytetarë janë cunguar, pasi s’kanë pasë qasje në shpallje”, thotë ai.

Ai shton se komunat duhet t’i publikojnë shpalljet e konkurseve në uebfaqet e tyre. Nëse duan t’i publikojnë në medie tjera, kjo është prej vullnetit të mirë, mirëpo, obligim e kanë të bëjnë publikimin në faqen e komunës.

Përtej kësaj, Vehbi Nafizi beson se lidhjet familjare kanë mundësuar punësimin e Mejzinit, dhe se dyshimet e tij për këtë shtohen, pasi sipas tij, në këtë konkurs Mejzini është favorizuar që nga fillimi.

Gazeta Nacionale ka siguruar dokumentet e konkursit. Aty shihet se përveç Fitore Mejzinit kanë konkuruar edhe dy persona të tjerë, emrat e të cilëve redaksia i di, por s’do t’i publikojë.

Kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, i mohon akuzat për punësim familjar, anipse nuk e mohon se asamblisti dhe anëtarja e re e bordit kanë lidhje familjare, vetëm se nuk e di saktë se çka.

Akuza të opozitës ma. Opozita ka të drejtë me i ra teneqes”, tha kryetari i Dragashit, Xheladini, për gazetën Nacionale.

Mirëpo, kryetari tha se “Dëshirë e kryeshefit të ‘Eco-regjionit’ ka qenë që Komuna e Dragashit ka pasur çelësin të dërgojë një femër. Sepse bordi duhet të jetë 50% me 50%, por kjo nuk është për opinion”.

Kryetari Xheladini, po ashtu, tha se asnjë grua tjetër nuk ka konkuruar.

Vehbi Nazifi është i bindur se ky konkurs do të anulohet nga kryetari i komunës. Në të kundërtën, thotë se do të veprojnë duke e denoncuar rastin në institucionet përkatëse, dhe janë të bindur se do të fitojnë e do të anulohet ky vendim i komunës.

 

Gazeta Nacionale ka kontaktuar me Fitore Mejzinin dhe Sefidin Mejzinin për versionin e tyre, por asnjëri nga ta nuk është përgjigjur.

710

A mendoni se keni nevojë për të terhequr para nga trusti juaj ?

Agjencia e Lajmeve
www.opoja.net