E pranon se e goditi dy-tri herë, por e mohon fajësinë se e mbyti kunatën

Prizren- Në Gjykatën Themelore në Prizren, të premten, e akuzuara Nazire Abdyli është deklaruar e pafajshme lidhur me akuzën se ka vrarë kunatën e saj, S.D. në fshatin Kuk të Dragashit, derisa i dëmtuari Selam Abdyli ka deklaruar se motra e tij nuk është trajtuar mirë.

Prizren- Në Gjykatën Themelore në Prizren, të premten, e akuzuara Nazire Abdyli është deklaruar e pafajshme lidhur me akuzën se ka vrarë kunatën e saj, S.D. në fshatin Kuk të Dragashit, derisa i dëmtuari Selam Abdyli ka deklaruar se motra e tij nuk është trajtuar mirë.

Opoja.net Opoja.net Opoja

Këtë deklaratë, Abdyli e ka dhënë pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Ervehe Gashi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Veprën unë e kam pranu që më ka ra prej duarve, por me rreh unë nuk e kam rreh shumë veç dy herë. I kam ra qetu dy herë lëndime të lehta, për mos me u çu ajo prej vendit.. Po e pranoj që e kam rreh që i kam ra dy-tri herë, a jo për me pranu që e kam myt ose që i kam ra në kry”, ka thënë e akuzuara Abdyli.

Po ashtu, në këtë seancë në cilësi të dëshmitarit është dëgjuar dëshmitari Selam Abdyli, i cili duke u përgjigjur në pyetjet e të akuzuarës Abdyli ka treguar se motra e tij, tanimë e ndjera S.D. ka jetuar bashkë me viktimën dhe se viktimës S.D. gjithmonë i ka munguar ushqimi dhe pastërtia.

Ai ka pohuar se e akuzuara Abdyli i kishte kërkuar ndihmë për t’u kujdesur për motrën e tij 2-3 muaj para se të ndodhte rasti.

Ndër të tjera, dëshmitari Abdyli ka treguar se pas luftës gjendja e saj shëndetësore ka qenë e dobët dhe asnjëherë nuk është vizituar te mjeku.

Tutje, ai tha se ka prishur raportet me familjen e të akuzuarës pasi e motra e tij kishte jetuar në kushte të vështira.

Seanca e radhës për këtë rast është caktuar të mbahet më 18 tetor 2023.

Më 13 korrik 2023, Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda ka ngritur aktakuzë ndaj Nazire Abdylit, se më 23 dhjetor 2022, me dashje ka privuar nga jeta anëtaren e familjes-motrën e bashkëshortit me të cilën ka jetuar në ekonomi të përbashkët familjare, e mllefosur për shkak të papastërtisë së viktimës S.D, e cila ishte e shtrirë në dhomën e katit të dytë të shtëpisë së të akuzuarës Nazire Abdyli.

Sipas aktakuzës, e akuzuara Abdyli, me një dru të ahut në gjatësi prej 25 cm dhe trashësi 4×2.5 cm, me një pjesë të laminatit, me ngjyrë të bardhë, me gjatësi prej 87 cm dhe trashësi 4×1.2 cm dhe një copë dërrase të llamperisë në gjatësi prej 78 cm dhe trashësi prej 1.2×10 cm, e godet disa herë viktimën në të gjitha pjesët e trupit dhe së fundit në pjesën e majtë të fytyrës duke i shkaktuar gjakderdhje në tru dhe si pasojë e këtij lëndimi më 26 dhjetor 2022, vdes viktima S.D.

Për këto veprime, Abdyli po akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.3 të KRPK-së.

Ndryshe, më 21 janar 2023, “Betimi për Drejtësi” transmetoi emisionin “Vrasja në duart e shtetit” e S.D”, e cila u gjet pa shenja jete më 27 dhjetor 2022 në fshatin Kuk të Dragashit, ku tregohet se si shteti kishte dështuar të mbronte S.D edhe pse institucionet përkatëse ishin njoftuar për rrezikun në të cilin ajo ndodhej.

Për këtë, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) më 29 dhjetor 2022, ka publikuar raportin “Edhe S.D., vritet në duart e shtetit“, ku thuhet se ka pasur një zinxhir të dështimit për mbrojtjen e S.D. Pas raportit dhe emisionit, Avokati i Popullit, më 31 janar 2023, njoftoi se kanë nisur hetime sipas detyrës zyrtare për këtë rast.

Ndërkaq, “Betimi për Drejtësi” ka sjell hulumtimin për rastin e S.D dhe përgjegjësinë e shtetit në këtë rast.

E pandehura N.A gjatë seancës së paraburgimit e pranoi se e ka rrahur për vdekje viktimën.

“Po e kam rreh vallahin, e kam rreh, mas 3-4 dite ka vdekë. Po i dhashë ndihmë sa munda, po qaq munda, motër të burrit e kam pas, që 26 vjet u kanë në shpi teme, e kam ruajt, jam kujdes”, kishte thënë ajo.

E dyshuara N.A ishte arrestuar më 27 dhjetor 2022 dhe në prani të mbrojtësit të saj kishte pranuar se ka kryer vrasjen e tani të ndjerës S.D.

Ndryshe, S.D u gjet pa shenja jete në fshatin Kuk të Dragashit, ndërsa rasti fillimisht ishte hapur si vdekje e dyshimtë. /BetimipërDrejtësi

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-