EULEX: Nuk mund ta zëvendësojmë Policinë e Kosovës

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Kosova

Eulexi vlerëson se situata e sigurisë në veri të Kosovës është e brishtë.

Në një përgjigje për “Front Online” nga misioni kanë thënë se ata nuk mund ta zëvendësojnë Policinë e Kosovës, ani se kanë rritur dukshëm patrullimet atje.

“Situata e sigurisë në veri të Kosovës është e brishtë. Në veri të Kosovës ka një vakum sigurie pas dorëheqjes së pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. EULEX-i mund ta plotësojë vetëm pjesërisht këtë vakum dhe EULEX-i nuk mund ta zëvendësojë Policinë e Kosovës”, theksuan nga Eulex.

Eulexi sqaron se është vetëm reagues i dytë i sigurisë në Republikë.

“EULEX-i është reaguesi i dytë i sigurisë i Kosovës, që është pjesë e një mekanizmi reagues sigurie me tre shtresa ku Policia e Kosovës është reaguesi i parë i sigurisë, EULEX-i është i dyti dhe NATO/KFOR-i është i treti. Si reaguesi i dytë i sigurisë së Kosovës, EULEX-i mban një koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe me KFOR-in. Në rolin e saj si reagues i dytë i sigurisë, NFP-ja e EULEX-it do të angazhohet vetëm me kërkesë të qartë të Policisë së Kosovës”, pohojnë nga Eulex për “Front Online”.

Nga ky mision kanë treguar se e kanë rritur numrin e pjesëtarëve të tyre si rezultat i zhvillimeve të fundit.

Po ashtu kanë thënë se po i monitorojnë nga afër të gjitha zhvillimet që mund të ndikojnë në sigurinë e Kosovës.

“Njësia e Formuar e Policisë së EULEX-it përbëhet nga 105 policë polakë. Më 8 nëntor, një njësi policore e formuar rezervë e përbërë nga 23 xhandarë nga karabinierët italianë u dislokua përkohësisht në Kosovë për të përforcuar kapacitetet e Njësisë së Formuar Policore të EULEX-it. Më 17 nëntor, pesë policë shtesë nga Lituania iu bashkuan Njësisë së Formuar Policore të EULEX”.

“EULEX-i tashmë ka rritur ndjeshëm patrullat e lëvizshme të zbulimit të Njësisë së Formuar të Policisë dhe Njësisë së Formuar të Policisë Rezervë në veri të Kosovës në koordinim me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in në mënyrë që të monitorojë nga afër të gjitha zhvillimet. Që nga 16 nëntori, në komunat veriore po patrullojnë në këmbë edhe oficerët e njësisë policore të formuar të EULEX-it dhe njësisë policore të formuar rezervë. Përveç kësaj, EULEX-i monitoron situatën në pikat e përbashkëta të kalimit në Jarinjë dhe Bërnjak, duke përfshirë edhe praninë e Njësisë së Formuar të Policisë. Pjesëtarët e Njësisë së Formuar të Policisë dhe Njësisë Policore të Formuar Rezervë punojnë me turne dhe po kryejnë patrullime zbulimi 24/7”, thuhet tutje në përgjigjen e Eulex për “Front Online”.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-