Opoja.net

Gjykata cakton ekspertizë financiare në rastin për korrupsion ndaj menaxherit të prokurimit në Dragash

Prizren: Në Gjykatën Themelore në Prizren, të hënën, është urdhëruar ekspertizë financiare për të konstatuar se a ka pasur shkelje lidhur me konfiskimin e garancisë së tenderimit në rastin ku Nuro Ismaili po akuzohet për korrupsion.

Ismaili ngarkohet se nënshkroi një kontratë me një operator për 25 mijë e 680 euro më të shtrenjtë si dhe dështoi të marrë sigurinë e tenderit prej 3 mijë eurosh dhe nënshkroi kontratën me operatorin pa i plotësuar të gjitha dokumentet.

Fillimisht në seancën e sotme, prokurori, Mehdi Sefa deklaroi se aktakuzën ndaj Nuro Ismailit e ka mbështetur në provën të cilën Auditori i Përgjithshëm kishte konstatuar se nuk është konfiskuar sigurimi i tenderit në shumën prej 3000 eurosh nga operatori ekonomik Avni Myrtezi, e që sipas kësaj, i është mundësuar operatorit të dytë të fitojë tenderin me një shumë më të lartë në krahasim me operatorin e parë ekonomik.

Tutje shtoi se duke marrë parasysh që mbrojtja çështjen e konfiskimit të  garancionit e konsideron çështje fakultative e prokuroria e konsideron si çështje obligative kjo pasi që auditori i përgjithshëm e ka konsideruar si shkelje e me qëllim që të vërtetohet ky fakt, i propozoi gjykatës që të angazhoj një ekspert të prokurimit me qëllim të sqaroj se a ka qenë obliguese konfiskimi i sigurisë së tenderit të operatorit ekonomik, i cili ishte tërhequr edhe pse ka qenë më i përshtatshëm për të fituar tenderin.

I akuzuari Nuro Ismaili u pajtua me propozimin e prokurorit dhe theksoi se eksperti duhet të deklarohet se a ka pasur shkelje të ligjit në procedurën e tenderimit dhe se a është shkelur dispozita ligjore lidhur me konfiskimin e garancisë së tenderimit.

Kryetarja e trupit gjykues, Raima Elezi, aprovoi propozimin e Prokurorit dhe për këtë do të lëshohet urdhëresë për sigurimin e raportit nga ana e ekspertit financiar, Agim Sheqiri.

Shqyrtimi kryesor është shtyrë në një afat të pacaktuar dhe i njëjti do të caktohet pas sigurimit të raportit financiar nga eksperti Agim Sheqiri.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 30 nëntor 2020, e të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, Nuro Ismaili po akuzohet se nga 18 marsi 2019 e deri më 28 qershor 2019, si person përgjegjës-menaxher i zyrës së prokurimit në Komunën e Dragashit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojë dobi pasurore për operatorin ekonomik “Avni Murtezi” B.I.

Ismaili ngarkohet se si menaxher në Zyrën e Prokurimit në kundërshtim me ligjin ka lidh kontratë për furnizim me pelet me një operator më të shtrenjtë për 25 mijë e 680 euro.

Po ashtu, ai ngarkohet se ka dështuar të konfiskojë sigurinë e tenderit i datës 5 maj 2019 në shumë prej 3 mijë euro për furnizim me dru dhe pelet nga Operatori ekonomik “Avni Murtezi”. Po ashtu, Ismajli ngarkohet se pa i plotësuar të gjitha dokumentet i lidhet kontrata me operatorin më të shtrenjtë për 25,680 euro duke dëmtuar buxhetin e Komunës.

Me këto veprime, Nuro Ismaili po akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 3, nën paragrafi 3.2 të Kodit Penal. Sipas nenit 414, paragrafit 1, dënimi parashihet të jetë me burgim prej një deri në tetë vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç̧ nëse nga gjykata vërtetohet se janë̈ fajtorë me vendim të formës së prerë. /Betimi për Drejtësi/

586

A mendoni se keni nevojë për të terhequr para nga trusti juaj ?

Agjencia e Lajmeve
www.opoja.net