Gratë nga Dragashi pjesmarrëse në panairin “Gratë në Biznes” në Prishtinë

Opoja.net Opoja.net Lajme Opoja

Gratë nga mbarë Kosova kanë prezantuar sot punën e tyre në qendër të Prishtinës me qëllim që prodhimet e tyre t’i bëjnë më të afërta për publikun.

Panairi i sivjetmë “Gratë në Biznes” është hapur sot në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë dhe për tri ditë rresht, qytetarët do ta kenë mundësi t’i shohin, prekin e blejnë prodhimet me të cilat ato e mbajnë veten dhe familjet e tyre.

Sevdije Ramadani ka udhëtuar shumë kilometra për të ardhur nga Dragashi në njërin nga sheshet kryesore të Prishtinës.

Ajo nuk përton t’ia shpjegojë secilit të interesuar, materialin që e ka hedhur në Pazar.

Sevdija drejton shoqatën ”Gora” e cila ofron punime të grave të komunitetit goran dhe thotë se është e lumtur që është ftuar në këtë panair.

“Është kënaqësi që kudo që po shkoj nëpër institucione kam përparësi, po më respektojnë shumë”, tha Ramadani.

Njëjtë si ajo, edhe Fahrije Selimi nga shoqata “Dera e Hapur”, thotë se panairet si ky i sotmi i ndihmojë gratë që ta promovojnë punën e tyre.

“Gratë punojnë punëdore dhe i mbajnë familjet e veta. Nëpër panaire kur dalim fitojmë pak mirëpo punëdorja shitet, e respektojnë punëdoren shumë, e kemi edhe lokalin tonë ku gratë i dërgojnë punimet e veta dhe i shesin. Dikush e mban familjen kurse dikush punon në mënyrë vullnetare”, u shpreh ajo.

Sipas Majlinda Mazelliut, Zëvendës Drejtoreshë e Organizatës Jo Qeveritare “Gratë në Biznes” ky panair është bërë me qëllim që të promovoj ndërmarrësinë e grave dhe fuqizimin ekonomik të tyre.

“Duke promovuar ndërmarrësinë e grave ne promovojmë gjysmën e forcës së Kosovës, krijojmë mundësinë për hapjen e vendeve të reja të punës, rritjen e pjesëmarrjes së grave në tregun e punës, inkurajojmë vajzat e reja që të bëhen ndërmarrëse”, tha Mazelliu

Hykmete Bajrami, ministre e Tregtisë dhe Industrisë tha se kjo ministri po mundohet t’i ndihmojë gratë që merren me biznes.

“Ne po mundohemi që të krijojmë masa favorizuese, aty ku është e ligjshme dhe aty ku është e mundshme që t’i favorizojmë gratë në biznes”, tha Bajrami.

Gratë që mbajnë familje me punëdoret e tyre ajo i ka quajtur “heroina” duke marrë parasysh angazhimin e tyre në familje dhe në biznes.

“Ju jeni heroinat e komunitetit të biznesit duke marrë parasysh të gjitha sakrificat dhe kufizimet që ju keni për të bërë biznes dhe të gjitha përgjegjësit tjera që ju presin në familjet e juaja “, u shpreh Bajrami.

Kurse sipas saj në Kuvend pritet që të bëhet edhe ratifikimi i ligjit për fondin për garanci kreditore, i cili do të ketë kapital 8 milion euro.

“Ligji për fondin për garanci kreditore në masë të madhe do të adresojë një nga barrierat kryesore të grave në biznes që është qasja në financa. Ky fond do të këtë një kapital fillestar prej tetë milionë euro do të mbulojë 50% të ekspozimit të rrezikut”, tha Bajrami.


© Opoja.net. Të gjithë të drejtat e mbrojtura.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-