Hapen korridoret ajrore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë

Opoja.net Opoja.net Kosova

Është mbajtur në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” ceremonia zyrtare pas hapjes së korridoreve ndërmjet ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, që zvogëlojnë kohën e udhëtimit për 8-12 minuta, transmeton Anadolu.

Siç njofton Zyra e Kryeministrit, kryeministri Albin Kurti e konsideroi këtë hap progresiv, efikas dhe përgjegjës ndaj mjedisit.

“Duke shkurtuar trajektoren e fluturimeve për dhe nga Kosova, koha e udhëtimit ulet për 8-12 minuta. Reduktimi i kohës së fluturimit përkthehet në ulje të konsiderueshme të konsumit të karburantit, duke minimizuar kështu emetimin e dioksidit të karbonit”, u deklarua ai.

Kryeministri kosovar tha se me korridoret e reja ajrore, krahas përfitimeve mjedisore dhe infrastrukturore, përfitues janë edhe mërgata kosovare me rritjen e mundësive për çmime më të përballueshme të biletave dhe për destinacione të reja për dhe nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”.

Në këtë drejtim, kryeministri përmendi investimin thelbësor të Qeverisë së Republikës së Kosovës me 34 milionë euro, projektin e zgjatjes së pistës që përfshin ngritjen e sistemit instrumental të aterimit dhe sistemeve të radiokomunikimeve në aeroportin e Prishtinës.

Nga ky investim fluturimet për Prishtinë mund të aterojnë edhe në kushtet të cilat janë me dukshmëri më të ulët, dhe duke qenë që aeroporti i Prishtinës shërben edhe si aeroport alternativ për aeroportet e rajonit në rastet kur ato e kanë të pamundur që të operojnë në kushtet e dukshmërisë së zvogëluar, rrjedhimisht kjo ndikon edhe në rritjen e numrit të udhëtarëve në aeroportin e Prishtinës.

Në ambientet e aeroportit, në këtë ceremoni, përveç kryeministrit Kurti dhe ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, të pranishëm ishin edhe ambasadori i Gjermanisë, Jörn Rohde, ambasadori i Shqipërisë, Petrit Malaj, ambasadori i Austrisë, George Schnetzer, drejtori i Agjencisë së Shërbimeve të Aviacionit Ajror, Samir Bllacaku, dhe zëvendësambasadorë të shteteve partnere ndërkombëtare.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-