Hiqat dhe llumrat e tipit të Meleqëve!

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Opinione

​Lidhur me shpifjet, gësnjeshtrat dhe shfryrjen e mllefit primitivist të Hajriz Meleqit ndaj grupit profesional-shkencor prej 9 vetave (doktorë të shkencave), veçanërisht ndaj meje dhe Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, për hir të opinionit jam i shtrënguar që të jap një përgjigje të shkurtër:

​1. Një maksimë e moçme thotë: „Të merresh me hiqin, atëherë hiqi bëhet dikushi“ dhe pason sentenca tjetër „Mos e shprish…se ndotet mjedisi“! Por unë kurrë as që u mora me hiqin e as e shprisha…(!), anipse tash e një dekadë, nga mospërparimi në prof. Inordinar (2009), shpifte dhe më akuzonte ku mbërrinte „patrioti“ i mendërmethënshëm, H. Meleqi. Pse atëherë, „atdhetari“ e shau grupin prej 9 shkencëtarësh (ku isha edhe unë nëshkrues), kur në prononcimin e tyre „Koha për llogaridhënie për demarkacionin“ (e botoi edhe redaksia e portalit Opoja.net) me asnjë germë nuk përmendet emri i tij? Së dyti, pse më shau mua si kryetar të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës kur jam nënshkrues i prononcimit vetëm si individ në mesin e grupit shkencor-profesional dhe ku Akademia nuk kishte asnjë lidhje me atë reagim? Së treti, kush i dha të drejtë „patriotit“ zhurmëmadh dhe spekulantit Meleqi, të vetëmandatohet për të shpërndarë cilësime dhe etiketime për njerëzit si “patriotë” ose “tradhtarë, varësisht nga shija e tij. Së katërti, nga e mori tagrin “atdhetari” dhe mashtruesi Meleqi ta vlerësojë dhe ta denoncojë institucionin më të lartë të shkencave dhe të arteve, Akademinë tonë, duke e cilësuar si “Akademi të Shkencave të Serbisë”?!
​2. Të merresh me tipat e Hajrizëve është vërtetë e pakuptimët dhe bjerrakohë. E kuptoj situatën se për qarqet lokale dhe krahinore secili pjesëtar i tyre me një arsimim sado të vogël ka një domethënie dhe me të drejtë duhet të mbështetet e respektohet. Por Hajriz Meleqi në qarqet e njëmendëta profesionale-shkencore dhe akademike nuk çmohet më tepër se një „gotë ajran“! Si personalitet gjithashtu! Unë e mbështeta në doktoratë dhe në pranim në Fakultet përkundër shumë kundërshtimeve të kolegëve të mi dhe në fund u angazhova që të shpëtojë nga ndjekja penale dhe përjashtimi nga Universiteti për shkak të keqpërdorimeve të rënda (shitja e teksteve të paautorizuara studentëve dhe fitimet financiare antiligjore dhe antiakademike), por kotë e ndihmon fukaranë në karakter; abuzuesi kërkonte gjithnjë favore pa asnjë meritë!
​3. Mediokrit dhe llumrat e tillë i sjellin dëme jo vetëm institucioneve shkencore dhe edukative, por edhe shoqërisë dhe kombit në emër të të cilit po rrahin gjoks, aktualisht në lidhje me agjendat e politikave të sajuara ditore të grupeve të interesit se kufijtë tanë duhet të shkojnë deri te „molla e kuqe“, përfshirë edhe Nishin e Bellapallankën! Që izolohet Kosova, getoizohen brezat e reja, pengohen investimet e jashtme, rriten konfliktet brendashqiptare dhe ato me bashkësinë ndërkombëtare, me SHBA-të, NATO-n, BE-në, dhe lëndohet imazhi i Kosovës në botë – patriotët e rrejshëm, si Bulliqët e Meleqët, me oligarkët e pushtetit politik, nuk i japin pesë para! Ndërkaq, e vërteta dhe shkenca janë diçka krejt tjetër, të cilat injorantët nuk i mësojnë dot! Britmat e palaçove të tipit të Bulliqëve dhe Meleqëve për kufirin deri te „molla e kuqe“ çojnë ujë vetëm në mullirin serbo-rus! Kufijtë mbesin ata që i kanë përvijuar dhuna dhe forca ushtarake në kohët dhe rrethanat e caktuara, gjithsesi në dëmin e shqiptarëve në tërë Ballkanin!
​4. Mbështetja ime për këtë njeri konsistonte në faktin se e shihja një interes joshës që të bëhej hulumtimi i trevës së Opojës, me të cilën e kam edhe një lidhje emocionale: i kam shkelur të gjitha ato fshatra në kohën e regjistrimit të popullsisë në vitin 1981 dhe në vitet e 90-ta kur e drejtoja një parti politike, e kam ngrënë bukën e këtyre njerëzve dhe e kam provuar mikpritjen e tyre bujare. Nga kjo trevë kam shumë miq, shokë dhe ish-studentë, me të cilët dhe mburrem. Disa prej tyre i kam drejtuar edhe në tema të diplomave dhe në për grada shkencore. Ndër ta ka sot shkencëtarë dhe hulumtues perspektivë, me të cilin duhet të mburret edhe treva e Opojës dhe gjithë Kosova. Nuk pendohem që e ndihmova edhe „atdhetarin“ kokëbosh Meleqin, pikërisht për shkak të trevës se Opojës, me shumë specifika. Më vinte tëpër keq kur më përkulej, sepse ishim një moshë. Në një moment në vitin 2004 më preku shumë kur hyri në zyre duke qarë me lot nga mospërfillja që i kishin bërë kolegët e mi në vijën profesionale-shkencore dhe akademike; nuk pajtoheshin që ai të pranohej në Fakultet dhe në Universitet dhe në asnjë mënyrë për lëndët shkencore.
​5. Me spekulantët dhe diletantët në shkencë dhe profesion nuk duhet të mburret askush! Meleqi është një shembull tipik i manipulantit dhe keqpërdorësit: me 95% të shkrimeve në revistën lokale „Sharr“, me 7 prej tyre vetëm në një numër të kësaj fletushke, 5 të tjera në një tjetër numër, me 2-3 në një faqe në internet, të paguara me para, me „dispencat“ klandestine vetëm për të marrë të holla nga studentët, – donte ta mashtronte edhe Komisionin recensues! Prandaj, reagimit tim të parë ia bashkangjita recensionin si dokument të kohës që të shihej se sa objektiv ka qenë Komisioni në vlerësim dhe çfarë privilegje i ofroi këtij njeriu me zgjedhjen Prof. Asist. në moshën 58 vjeçare (2004), pa asnjë ditë pune në Universitet, dhe pastaj me rizgjedhjen (2009) në thirrje të njëjtë; thirrje më të lartë nuk meritonte. E futën në udhëheqje të Shoqatës së Gjeografëve të Kosovës, por për shkak të mungesës së autoritetit dhe paaftësisë profesionale të tij dështoi aktiviteti i Shoqatës! Edhe me Shoqatë donte të abuzonte; abuzimi është pjesë e sjelljes tij! Dhe përfundoi nga hiqi në hiq, nga sharllatanizmi në sharllatanizëm!

Hivzi ISLAMI

18.01.2018

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-