Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti kritikon qeverinë për mungesën e dialogut social me SBASHK-un. Derisa thotë se kërkesat e sindikatave janë të arsyeshme për t’u përmbushur, bënë thirrje që sa më shpejtë të procedohet ligji i pagave.
Në një intervistë për KosovaPress, Hoti ndër të tjera flet edhe për pakon e re të qeverisë kundër inflacionit, për çka konsideron se është e vonuar dhe joadekuate.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës thotë se është krejtësisht e përballueshme për buxhetin e shtetit që të plotësojë kërkesën e SBASHK-ut, në vlerë prej 100 euro deri në ligjin e pagave.
“Mungesa e dialogut social tash e një kohë e ka sjellë këtë situatë…Besoj që kësaj radhë janë plotësisht të realizueshme për faktin që kërkesat e tyre nuk është shumë e madhe. Ajo që është më e rëndësishme që të hyrat buxhetore janë të mira, kryesisht për shkak të inflacionit të lartë, rritjes së të hyrave buxhetore nga tatimet, kështu që është krejtësisht e përballueshme për buxhetin e shtetit që të plotësoj këtë kërkesë. Kërkesa e sindikatës e arsyeshme për faktin që është vonuar ligji i pagave, pa asnjë arsye deri më tash… krejt çfarë është dashur të bëjë kjo qeveri është të rishikoj eventualisht, të diskutojë me sindikatat përkatëse, me grupet e ndryshme të interesit dhe ta procedojë këtë ligj në kuvend”, vijoi ish-kryeministri.
Ndërsa lidhur me pakon e re kundër inflacionit, Hoti tha se është e vonuar. Sipas tij, masë adekuatë për t’u përballë me këto probleme do të ishte rritja proporcionale e pagave, pensioneve, asistencës sociale.
“E vonuar dhe joadekuate. I vonuar sepse nga muaji mars kemi kërkuar si opozitë që të ndërmerren masat e nevojshme prej se ka filluar të rritet inflacioni, në muajt e parë të verës atëherë në maj, veçanti ku inflacioni shkoj shumë lartë sikurse edhe ne vende e tjera, pra kjo pako është tepër e vonuar dhe është joadekuate. Masë adekuatë për t’u përballë me këto probleme do të ishte rritja proporcionale e pagave, pensioneve, asistencës sociale, subvencionet për bujqësi dhe fusha të tjera në përputhje me normën e inflacionit.. Ka katër pesë muaj që familjet në Kosovë iu kanë rënë të ardhurat reale në 30-40% për shkak të rritjes së çmimeve”, tha ai.
Ndërkaq sa i përket implementimit të marrëveshjes në mes Kosovës dhe Serbisë për targat, respektivisht për reciprocitet, thotë se duhet të ruhet rendi dhe qetësia përmes institucioneve të Kosovës.
“Shpresojmë që do të koordinohen veprimet me partnerët tanë ndërkombëtar, të ruhet rendi dhe qetësia në atë pjesë të Kosovës, të mos ketë asnjëherë nevojë që të angazhohet KFOR-i në atë pjesë. Rendi dhe qetësia të ruhet dhe të vendoset përmes institucioneve të Kosovës, Policisë së Kosovës dhe organeve të tjera mbështetëse”, tha Hoti.
Ish-kryeministri i Kosovës foli edhe për tërheqjen e kursimeve prej 30% nga Trusti. Ai tha se qasja e Qeverisë kundër tërheqjes së mjeteve është e gabuar.
“Në fillim në parim kam qenë kundër kësaj ideje, nuk është ndërmarr asnjë veprim për të ndihmuar qytetarët në këtë kohë të krizës. Janë shpërndarë më herët nga 100 euro për familje, për persona të punësuar. Është ndihmë e njëhershme dhe kanë kuptim në rast se është kriza si në kohën e pandemisë që njerëzit humbin vendin e punës për një periudhë, janë të bllokuar, të izoluar në shtëpi për shkak të COVID-it dhe t’i i jep një ndihmë të njëhershme edhe sapo të kaloj ajo periudhë personat, familjet i kthehen jetës së zakonshme. Inflacioni nuk është një pasojë kosto e njëhershme për familjet por është një kosto e vazhdueshme, nëse iu ke dhënë njerëzve një herë 100 euro, ato nuk e mbulojnë as koston shtesë të shpenzimeve të familjes të një muaji, lerë më të vazhdohet në muajt e tjerë. Besoj që është gabim kjo qasje dhe pasojat jemi duke i vuajtur që të gjithë”, tha Hoti.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.