Opoja.net

Ibrahim Skenderi, krijues e piktor i spikatur

Opoja Personazhe

Ibrahim Skenderi u lind më 1948 në Brrut të Opojës së Sharrit. Katër klasë të fillorës i kryen në fshatin e lindjes, kurse prej klasës së pestë deri në të shtatën udhëton rreth dhjetë kilometra në ditë deri në Bresanë. Ndërkaq klasën e tetë e vazhdon në shkollën e sapothemeluar tetëvjeçare në Bellobrad.
Pas kryerjes së fillorës Ibrahimi regjistrohet në Shkollën Normale të Prizrenit. E donte profesionin e mësuesisë. Atë dashuri e kishte dhuratë nga shembulli përsonal i mësuesëve të tij. Nga mësuesit për të cilët thotë se ishin më të mirët në botë dhe pangurim i quan Lapidarë të Dritës dhe nuk lë pa i përmendur: Raif S. Aliun, Elez Shaban Shalën, Nexhmidin Ramadanin dhe Shani Nuri Shabanin, me të cilin sot e kësaj dite kanë marëdhënie shumë miqësore.
Ibrahimi qysh i ri tregoi interesim për vizatim dhe për thurje vargjesh. Kështu ai bie në sy të arsimtarëve Jashar Muçaj(Kabashi), Hasan Ibri dhe Rexhep Kryeziu të cilët i japin kurajo për punë. Sa i përket motivimit, element që Ibrahimi e çmon më së shumti për ngritjen e talentëve, i kujtohet një rast shumë i veçantë dhe rrëfehet: “Isha nxënës i klasës së pestë. Pas dite në shtëpi vizatoja motive nga më të ndryshmet. Një ditë vizatimet ia tregova një tezaku të gjyshit që vinte shpesh tek ne. E thirrnim La Mon. Ai, kur i pa vizatimet bëri sikur u mahnit dhe më porositi t’ia vizatojë Nasradinin hipur mbi gomar. Unë porosinë e mora si shumë serioze dhe e kreva si obligim dhe më besoni kjo më dha krahë në punën e mëtutjeshme…”
Ibrahimi ndonëse lë përshtypjen e një personi shumë të kulturuar, të urtë, pedant dhe të heshtur është shpirttrazuar, parimor e këmbëngulës dhe di edhe të rebelohet për një ideal të caktuar. I tillë u tregua edhe si nxënës i Normalës. Më 1968, në vitin kur shënohej 500 vjetori i vdekjes së Heroit Kombëtar Skenderbeut, vet angazhohet në aktivitete si në folklor dhe në orkestrën e mandolinave, por kërkon edhe nga profesori i historisë Maliq Osi t’iu flasë për Skenderbeun, meqenëse në shkollë nuk mësohej historia kombëtare shqiptare. Këtu bie në konflikt hakmarrës me profesorin, gjë që e shfrytëzoi në një rast kur më 25 maj 1968 Ibrahimi me dy bashkëvendas nga shkolla e muzikës i ndihmojnë ish shkollës së tyre fillore në një koncert garues në Dragash. Zënë vendin e parë dhe festojnë edhe me këngë, natyrisht edhe patriotike. Me këtë rast dënohet me një muaj burg drejtori i shkollës fillore “Sezai Surroi”, z. Rexhep Kryeziu, kurse Ibrahim Skenderi sipas një orkestrimi udbashësh komunalë dhe të Normalës, dërgohet dhunshëm në shërbimin ushtarak vetëm një muaj para diplomimit. Sipas kësaj ai do ta humbte jo vetëm diplomën por edhe klasën e pestë, sikur të mos ishte z. Riza Alaj drejtor i Normalës dhe ish kujdetar klase i Ibrahimit, i cili i mundëson hyrjen në provime të diplomës një muaj para shokëve, pikërisht gjatë mbajtjes së provimeve shtetërore (profesionale) për mësuesit me mbi dy vjet përvojë në arsim.
Pas kthimit nga shërbimi ushtarak, menjëherë fillon punën si mësues, por, dashuria për artin e shtytë të regjistrojë degën e Artit Figurativ në Shkollën e Lartë të Prishtinës të cilën e kryen pa shkëputje nga puna. Për afër tri decenje ishte kuadri i vetëm profesional nga kjo lëmi, prandaj edhe i ra barrë që për 15 vjet të jap artin figurativ edhe në Gjimnazin “Emin Duraku” të Dragashit. Pastaj çdo shfaqje, program festiv apo pjesë teatrale të ketë për skenograf Ibrahim Skenderin.
Përveç katër piktorëve shumë të suksesshëm të dalë nga duart e tij, Ibrahimi kontributin më të madh e dha në vitet e mbijetesës kombëtare në Kosovë 1990-1999. Ishte redaktor dhe ilustrator në Revistat “Buletini”, “Sharri”, “Penda”dhe në revistën për fëmijë “Fidani” që botohet në Prizren. Punoi qinda ilustrime e ballina revistash, mbi 60 ballina librash dhe të gjitha ato sikur thotë vetë “Për riza t’Zotit dhe për inat të okupatorit”.
Megjithatë në planin privat, u dallua si krijues letrar për fëmijë. Ka të botuar 17 tituj librash autorial, prej tyre: 3 monografi, 3 vëllime me poezi për të rritur, 3 drama për fëmijë, 3 poema për fëmijë, 4 vëllime me poezi për fëmijë dhe 1 libër me tregime për fëmijë.
Ibrahimi, sot në moshën 65 vjeçare ruan ritmin e krijimtarisë letrare.
Ibrahim Skenderi është anëtar aktiv i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe anëtar i Karvanit të Shkrimtarëve për Fëmijë “Agim Deva” të Kosovës.
Jeton në Brrut./Opoja.Net/

Tri klasë model për parafillorët në shkollat e komunës së Dragashit

Opoja.net

Nga e enjtja pritet mot më i butë, temperaturat do të shënojnë ngritje deri në 11°C

Opoja.net

Lista prej 278 fermerëve perfitues të subvencioneve nga komuna e Dragashit

Opoja.net
Agjencia e Lajmeve
www.opoja.net