Ish-i burgosuri politik nga Bresana Dr. Selami Sylejmani

Opoja.net Opoja.net Opoja Personazhe

ISH-I BURGOSURI POLITIK NGA BRESANA

Docent Dr. Sc. Selami Sylejmani , MD

Selami (Nijazi) Sylejmani u lind në Bresanë më: 09. 01. 1954. Rrjedh nga një familje autoritative e me edukatë të lartë.
Babai i tij ishte hoxhë, i cili ndërroi jetë më: 24. 08. 1979, në një fatkeqësi komunikacioni – ditën e xhuma, ditën e parë të festës së Fitër Bajramit, pasi ua fali Namazin e Bajramit xhematit të fshatit Skorobishtë, të komunës së Prizrenit.
Dr. Selamiu, shkollën fillore e mbaroi në vendlindje më 1968, ndërsa të mesmen për mjekësi e mbaroi më 1972. Qysh herët arriti të bëhet Teknik Medicinal.
Dr. Selamiu mbeti pa përkrahjen e babait, atëherë kur më së shumti i duhej për t’u zhvilluar, arsimuar e avancuar. Por, me intelektin e tij të jashtëzakonshëm: barrën familjare, kujdesin ndaj nënës së ndjerë – Xhevahire, njëkohësisht edhe përkrahjen e saj, së bashku me vëllezërit e tij Dr. Xhemilin e të ndjerin Hyrmetin; arriti që ta menaxhojë gjendjen e vështirë me tërë potencialin e tij. Mblodhi forcat, nuk u ndal.
Më: 01. 07. 1980 mbaroi Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë.
Meqë në mars të vitit 1981 u organizuan demonstratat e studentëve të Universitetit të Prishtinës, të cilët kërkonin kushte më të mira, madje edhe për avancim të Kushtetutës së vitit 1974, si dhe që Kosova të ketë status të barabartë me republikat tjera në ish-Jugosllavi, pra që edhe Kosova të jetë Republikë; edhe Dr. Selamiu, i brumosur me ndjenja patriotike e atdhedashurie përkrahtte hapur këtë qëndrim dhe iniciativë të studentëve.
Bazuar në evidencat e Gjykatës Themelore të Prizrenit – dega në Dragash, nr. 260 / 81, të datës 13. 04. 1981, Dr. Selami Sylejmani akuzohej për ‘veprimtari armiqësore’. Gjykimi i tij u bë me procedurë të shpejtë në Dragash, duke ia shqiptuar dënimin me 60 ditë burgosje. Më: 29. 04. 1981 nga organet e atëhershme jugosllave u arrestua, ndërsa për vuajtje të dënimit u dërgua në Burgun e Prizrenit.
Pas daljes nga burgu, do t’i përdorë të gjitha kapacitetet për avansim të më tejshëm shkencor. Ishte i pjekur dhe i vetëdijshëm se, me arsimim mund t’ia hapim sytë vendit dhe popullit tonë të robëruar.
Më: 18.05.1987 mbaroi studimet pasuniversitare: “Ultratingulli në Mjekësinë Klinike” në Zagreb – Ultrasonist në lëmin e Gjinekologjisë dhe Obsterikës.
Po ashtu në Zagreb, më: 29. 02. 1988 kryen specializimin në lëmin e Gjinekologjisë me Obstetrikë – Gjinekolog-Obstetër.
Me tezën e magjistraturës: Paraqitja ultrasonike e shtatzënive të hershme patologjike, posaçërisht në ‘blighted ovum.’, në Universitetin e Prishtinës – Fakulteti i Mjekësisë, më: 28. 04. 1995, fitoi gradën Magjistër i Shkencave Mjekësore.
Me tezën e Doktoratës: Parashikimi i ovulacionit dhe vlerësimi i funksionit të vezoreve te gratë me anë të ultratingullit, më: 02. 05. 2000 në Tiranë, fitoi gradën Doktor i shkencave mjekësore.
Titullin Docent, e arriti në Dubrovnik më: 03. 06. 2013, nga Senati i Universitetit Ndërkombëtar të Dubrovnikut (Dubrovnik International University – DIU).
Është (bashkë)autor i afro 200 punimeve shkencore .
Punoi në detyrën e: mësimdhënësit, të mjekut dhe të gjinekologut; në qytete të ndryshme të Kosovës, si në: Suharekë, Dragash, Prizren, Podujevë dhe Prishtinë.
Mësimdhënës ishte në: Shkollën e Mesme të Mjekësisë “Luciano Motroni” në Prizren, nga viti 1983 deri në vitin 2003.
Më 15 tetor të vitit 1991 pasi organi i përdhunshëm punëdrejtues i pushtetit Serb e largoi nga Spitali i Prizrenit, u detyrua të themelojë ordinancën private me emrin Polklinika “GINEKOS” në Prizren, ku edhe aktualisht punon si gjinekolog.
Ka punuar pa pagesë në Ambulancën “Nënë Tereza” në Prizren dhe në Spitalin “Nënë Tereza” në Prishtinë për 4 vite me radhë (1995-1999).
Ka organizuar, udhëhequr dhe ligjëruar në shumë vende e simpoziume, duke qenë edhe anëtar i disa shoqatave.
Përveç gjuhës shqipe, njeh edhe gjuhët: serbo-kroate dhe angleze. Për aktivitete të shumta, është nderuar me mirënjohje e certifikata.
Dr. Selami Sylejmani me familjarët e tij përjetuan edhe një plagë të rëndë dhe të pashërueshme për jetën e tyre, ngase më: 26. 05. 1999, me rastin e “Masakrës së Tusuzit”, në mënyrë të tmerrshme forcat e dhunshme serbe ua djegin shtëpinë e përbashkët të të tyre, ndërsa për fat të keq ua vrasin edhe vëllain e tyre më të vogël, Hyrmet Sylejmanin.
Dr. Selami Sylejmani ka një biografi tejet të begatë me veprimtari të gjerë, me të arritura të shumta.
Na bën krenar dhe nder neve – bashkëvendësve të tij (Bresanasve), Prizrenit, Prishtinës, tërë Kosovës e më gjerë. Është dorëdhënës, ua di hallin nevojtarëve. Ka bërë edhe shumë vepra të tjera bëmirësie, e që të gjitha edhe nuk i di…; për të cilat lusim Zotin e Madh që ta shpërblejë me të mirat e Tij në këtë botë dhe tjetrën.
Dr. Selamiut i dëshirojmë shëndet, rehati pranë familjes së tij e sukusese të më tejshme. Kurse lëndimet e rënda që ia shkaktuan atij dhe familjes së tij akterët e pushtetit barbar serb, lusim Zotin që t’ua jepë hakun e merituar në dynja e ahiret.
Është kënaqësi e imja që iu përkushtova Dr. Selami Sylejmanit, pra për të bërë një përshkrim dhe prezantim të shkurtër të veprimtarisë së tij patriotike, humane e shkencore.

Autor i shkrimit: Kasam Muhameti

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-