Iu dha lamtumira e fundit humanistit Sejdi Halili

Opoja.net Opoja.net Opoja

Shkruan: Demir Reshiti

Të enjten më 15 prill 2021 i dhamë lamtumirën e fundit veprimtarit e humanistit Sejdi Halili nga fshati Zaplluxhe i komunës së Sharrit.
Sejdiu ndërroi jetë në moshën 75 vjeçare në Vjenë të Austrisë ndërsa u varros në vendlindjen e tij, ashtu si e kishte lënë amanet se gjallë ose vdekur do të kthehej për t’i pushuar eshtrat në vendin ku ka lindur.
Ndonëse kohën më të madhe të jetës (rreth gjysmë shekulli) e ka kaluar në kurbet, Sejdiu në asnjë moment nuk e ka harruar vendlindjen dhe të afërmit e tij për të cilët kishte respekt të madh dhe kujdesej që asgjë të mos ju mungonte.
Pothuajse tërë pasurinë e krijuar nga puna e tij e ndershme në kurbet e ka ndarë me njerëzit në nevojë, madje edhe për ata që nuk i ka njohur fare. Ka mjaftuar të dëgjoj se dikush ka një hall dhe dora e bujarisë e Sejdiut i është gjendur pranë!
Shpirti i tij prej një atdhetari të flaktë u dëshmua sa herë që atdheu ishte në rrezik e kishte nevojë për mbështetje. Kjo mbështetje u shumëfishua me rastin e aktivizimit të Fondit “Vendlindja thërret” në të cilin Sejdiu kontribuoi me shuma marramendëse të parave!
Duke qenë i përkushtuar për çështjen kombëtare, Sejdiu iu gëzua shumë çlirimit të Kosovës e sidomos shpalljes së Kosovës shtet të cilën e kishte përjetuar në mënyrë të veçantë.
Me të ndjerin kishim lidhje familjare (mbesa ime është e martuar për djalin e tij të madh, Nehatin) por para se të bëheshim miq, e kam njohur si një njeri i përkushtuar me tërë qenien e tij për familje, për vendlindje e për atdhe.
“Kam vetëm edhe një ëndërr e ajo është që t’i shoh shqiptarët e bashkuar në një shtet të vetëm”, më pati thënë disa herë Sejdiu, duke theksuar se do t’i ngelej peng në zemër nëse nuk do ta mbërrijë këtë ditë!
Ishte njeri me virtyte të larta njerëzore, humanist, patriot e veprimtar të palodhur për çështjen kombëtare, shembull më i mirë i një punëtori, atdhedashësi, familjari e humanisti të pa shoq.
Urtësia, ndershmëria, puna dhe kontributi i tij ka mbjellë paharrueshmërinë e tij për shumë breza të ardhshëm.
Zoti e mëshiroftë shpirtin e tij të bardhë!

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-