Ka dështuar të mbahet seanca fillestare e së martës në Gjykatën Themelore në Prizren ndaj menaxherit të zyrës së prokurimit në Komunën e Dragashtit, Nuro Ismaili, i cili po akuzohet për korrupsion.
Shkak për mos mbajtjen e kësaj seance fillestare ishte mungesa e të akuzuarit Nuro Ismaili, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjykatësja Raima Elezi konstatoi se në këtë seancë nuk është prezent i akuzuari Ismaili, për të cilin tha se gjykata ka prova se është ftuar në mënyrë të rregullt.
Pas kësaj, përfaqësuesi i Komunës së Dragashit, Islam Rexhepllar njoftoi gjykatën se të akuzuarit Ismaili para dy dite i ka vdekur babi.
Gjithashtu, Rexhepllar shtoi se edhe vet i akuzuari Ismaili ka probleme shëndetësore.
Pas kësaj, gjykatësja Elezi mori aktvendim që seanca e sotme të shtyhet për 28 janar të vitit 2021, në ora 09:00.
Sipas aktakuzës së përpiluar më 30 nëntor 2020, e të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, Nuro Ismaili po akuzohet se nga 18 marsi 2019 e deri më 28 qershor 2019, si person përgjegjës-menaxher i zyrës së prokurimit në Komunën e Dragashit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitoj dobi pasurore për operatorin ekonomik “Avni Murtezi” B.I.
“Në cilësinë e menaxherit në zyrën e prokurimit vepron në kundërshtim me ligjin e prokurimit publik nr.04/L-042 konkretisht neni 57 par.1 ashtu që dështon të konfiskon sigurinë e tenderit i dt. 05.05. 2019 në shumë prej 3000 (tre mijë) euro për furnizim me dru dhe pelet nga Operatori ekonomik “Avni Murtezi” B.I. i cili nuk arrin të siguroj një vërtetim nga ATK që ka paguar tatimin dhe nga Gjykata Ekonomike që nuk është gjykuar si person juridik, dhe kështu lidhet kontrata me operatorin më të shtrenjtë për 25,680 euro duke dëmtuar buxhetin e Komunës”, thuhet në dispozitivin e aktit akuzues.
Me këto veprime, Nuro Ismaili po akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 3, nën paragrafi 3.2 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.