“Duke nderuar të gjithë burrat dhe gratë që bënë sakrifica të mëdha për të ndërtuar një të ardhme më të mirë, ne udhëheqësit e popullit tonë të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj deklarate, shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe demokratik” tha Hashim Thaçi, me 17 shkurt 2008, saktësisht në ora 15:40 minuta.
Fjalët e kryeministrit të atëhershëm të Kosovës, me të cilat ai shpalli pavarësinë e Kosovës u pritën me duartrokitje të madhe në sallën e Kuvendit të Kosovës dhe u transmetuan anembanë botës.
Kosova shpalli pavarësinë aq shumë të pritur. Qindra mijëra shqiptarë nga mbarë bota, kishin ardhur për të qenë dëshmitar dhe për ta përjetuar këtë çast historik.
Pranimi i parë zyrtarë i mëvetësisë së Kosovës erdhi nga Costa Rica, disa orë pas shpalljes, me17 shkurt 2008. Të nesërmen, ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Turqia, Franca, Mbretëria e Bashkuar, Afganistani dhe Shqipëria, ato të cilat e njohën Kosovën si shtet të pavarur.
Shtatë vite më vonë, Kosova është shtet i njohur nga 110 prej 193 shteteve anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), në mesin e të cilave janë 23 shtete të Bashkimit Evropian.
Por, a është Kosova sot, shtatë vite pas shpalljes së pavarësisë, shteti të cilin e kishin ëndërruar dhe dëshiruar qytetarët e saj?
“Jo! As për së afërmi” – thotë për Anadolu Agency, pensionisti Burhan Kavaja, ish drejtor i kombinatit Trepça, në kohët kur kjo ndërmarrje ishte njëri prej gjigantëve më të mëdhenj jo vetëm në ish Jugosllavi por edhe në suaza evropiane. Ai është shumë i zhgënjyer me procesin e shtet-ndërtimit të Kosovës.
“Pikërisht korrupsioni, keqpërdorimi, mos shtet-formimi i duhur dhe me ata që as afër s’kanë qenë që me e krijua një shtet të mirëfilltë çfarë kemi pritur. Fatkeqësisht, tregues i dëshpërimit të madh është kjo dukuria e migrimit që, njerëzit edhe kur po e kanë një bazë të vogël materiale, duke mos pasur perspektiv po ikin”, thotë Kavaja.
Sipas tij fatkeqësia më e madhe e kosovarëve është që, shtetin e udhëheqin ata që kanë pretenduar se kanë qenë produkt i luftës, në të vërtet, ata kanë rezultuar të jenë shtresa ma e korruptuar që nuk mbahet në mend ndonjëherë, në historinë e Kosovës. Ai përmend se shqiptarët e Kosovës kanë mbijetuar me shekuj të okupimeve, vrasjeve, shkatërrimeve dhe prapëseprapë kanë qëndruar në vatrat e veta, mirëpo, sipas tij, atë që pushtuesit nuk arritën ta bëjnë me shekuj, garnitura aktuale e politikanëve dhe udhëheqësve të Kosovës e bëri për 15 vjet.
“Serbia sundoi 100 vjet, arriti me mbajt nën thundrat e veta Kosovën, këta as 15 vjet dhe e shpartalluan popullin. Duhet të aktivizohen njerëzit të cilët kanë vizion, dije dhe profesionalizëm”, konstaton ish drejtori i Trepçës, duke shtuar se duke ju dhënë hapësirë profesionistëve të vërtet e jo të paditurve, ky shtet mund të rimëkëmbët dhe të fillojë të ec përpara.
“Kosova ka pasur mbi 80 mijë kuadro profesionale të cilët deri në fund të viteve të 80-ta e kanë mbajtur teknikën dhe teknologjinë, me energjetikë e gjithat, në duart e veta, pa ndihmën e kurrkujt. Pse nuk aktivizohen ato kuadro ose nuk i angazhojnë. Këta po veprojnë njësoj sikurse UNMIK-u… UNMIK-u së pari i shpartalloj kuadrot e dijshme, duke thënë se ata janë këtu për dijeni dhe nuk jeni ju për një gjë të tillë… I formuan ‘okejmanat’, të cilët thoshin vetëm ‘okej, okej’ dhe qe ku jemi”, thotë i zhgënjyer Burhan Kavaja, eksperti i cili dikur ka qenë udhëheqësi kryesor i Trepçës, gjigantit ekonomik i cili dikur kishte mbi 20 mijë të punësuar dhe ishte bartës i zhvillimit ekonomik të Kosovës.
Ibrahim Fetaj nga Drenasi, përkundër vlerësimit të tij se Kosova sot nuk është shteti që të gjithë e kanë ëndërruar pas pavarësimit, ai është optimist se shteti po shkon në rrugë të mbarë dhe se gjërat do të rregullohen. “Kemi mendu se do të jetë më efikase në shërbime ndaj qytetarëve, do të funksionoj rendi edhe ligji dhe do të ketë zhvillim më të mirë ekonomik edhe pse e dimë se ka qenë plotësisht e shkatëruar nga lufta, ka pasur dëme të mëdha, mirëpo shpresojmë në një të ardhme më të mirë”, tha Fetaj.
Për dallim nga dy të parët, Nazmi Hoti nga fshati Ribari i Madh i komunës së Lipjanit është plotësisht i zhgënjyer në atë se si është sot Kosova.
“Jo! Shteti që ne e kemi paramenduar para shtatë vitesh nuk është… Shkak janë varfëria, papunësia dhe gjërat që nuk kemi menduar që kemi me i pas 7 vjet pas pavarësimit” ,thotë Hoti.
Duke e rikujtuar 17 shkurtin e vitit 2008, për një çast në fytyrën e Nazmiut shihet një shkëndijë e gëzimit dhe krenarisë, por ajo nuk zgjati shumë. “Atë ditë, gëzim më të madh nuk kam pasur. S’di si me u shpreh më shumë, mirëpo tash pas 7 vjetësh, me ardhur puna me ik populli prej këtu është tmerr”, evokon kujtimet e atij momenti historik që, sipas Hotit, fatkeqësisht nuk shkuan rrugës së zhvillimit dhe të prosperitetit çfarë e kishin ëndërruar qytetarët e shtetit më të ri në Evropë.
Si arsye të ikjes së qytetarëve nga Kosova, Hoti e konsideron varfërinë dhe papunësinë e madhe. Një nga ata që e kanë ndier në lëkurën e vet, këtë krizë, është edhe bashkëbiseduesi ynë.
“Unë jam vet i gjashti, as nuk jam i punësuar nuk kam asgjë dhe ja më duhet të iki për një jetë më të mirë me shku në vendet tjera ja me mbet kështu i varfër”, thotë Hoti dhe apelon tek qeveritarët që të fillojnë të punojnë seriozisht në hapjen e vendeve të punës për punësimin e rinisë, në mënyrë që të ndalet ky trend i ikjeve nga Kosova, shtet ky i cili të martën, me 17 shkurt, shënon 7 vjetorin e pavarësisë.
(Koment nga TRT)
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.