Dragash, 9 tetor 2026 – Në Dragash është hapur edicioni i pestë i Panairit të Produkteve Vendore “EXPO SHARRI”, një ngjarje që synon promovimin e prodhuesve vendorë, ruajtjen e traditës dhe zhvillimin e ekonomisë lokale.
Në hapjen e panairit morën pjesë kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, kryesuesi i Kuvendit Komunal, Resul Fetahu, pjesëtarë të kabinetit komunal, si dhe zëvendësministri i Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Jeton Mehmeti.
Gjatë këtij panairi, fermerët, blegtorët, artizanët dhe sipërmarrësit vendorë prezantojnë produktet e tyre, duke promovuar vlerat tradicionale, cilësinë dhe potencialin ekonomik të trevës së Opojës dhe të Dragashit.
Kryetari Xheladini theksoi se Komuna e Dragashit do të vazhdojë të mbështesë nismat që krijojnë mundësi të reja për prodhuesit vendorë dhe kontribuojnë në promovimin e potencialeve ekonomike të komunës.
Ai falënderoi Shoqatën e Afaristëve “Sharri”, organizatorët, ekspozuesit dhe të gjithë pjesëmarrësit për kontributin në realizimin e këtij edicioni, si dhe shprehu mirënjohje për zëvendësministrin Jeton Mehmeti për pjesëmarrjen në këtë ngjarje.
- Panairi “EXPO SHARRI” synon të shërbejë si një hapësirë e rëndësishme për promovimin e produkteve vendore, krijimin e mundësive të reja për bashkëpunim dhe rritjen e njohjes së produkteve të Dragashit në tregun e Kosovës dhe më gjerë.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

