Kosova për tri vjet importoi afro 80 milionë euro energji elektrike nga kompani serbe

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Kosova

Ish-kryeshefi i kompanisë KOSTT, Fadil Ismajli, në Komisionin Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, është pyetur për importimin e 55 milionë euro energji nga kompania IFT Grup e Vuk Vukamoviqit, dhe 20 milionë tjera nga Roadnap Grup e Qeverisë së Serbisë.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armen Muja, anëtarë i Komisionit, ka pyetur Ismajlin për këtë import.

Ismajli ka thënë se KOSTT nuk e ka kompetencë për të importuar energji elektrike. Por, ai ka bërë të ditur se Kosova në periudhën 2006-2008 më së shumti energji ka importuar nga IFT Grup nga Serbia.

Sipas tij, në bazë komunikimeve me KEK-un, i është thënë se kjo kompani ishte ofertuesja më e lirë.

“IFT që e dimë kush qëndron prapa, e di që ofertat në KEK gjithmonë ka qenë më e volitshme. Shtrohet pyetja pse? Ka pas kompani që kanë ofertuar, por gjithmonë IFT ka dalë më e lira, sepse ajo i ka keqpërdorë hidrocentralet e Bosnjës që janë në pjesën e Republika Sërpska, dhe duke qenë hidrocentrale ata munden me ofru energjinë modulare kurdo që ti e kërkon”, theksoi ai.

Deputeti Muja ka thënë se Kosova gjatë kësaj periudhe kishte importuar 118 milionë euro energji elektrike.

“Në mesin e partnerëve kah kemi importuar energji elektrike, nga 118 milionë euro, 55 milionë i kemi importuar nga IFT Grup nga Vuk Vukamoviq, 20 milionë euro nga Roadnap Grup e Qeverisë së Serbisë, 2 milionë euro nga IPIES dhe 2.6 milionë euro nga GENI-DOO Beograd”, ka thënë Muja.

Pas interesimit të deputetëve, ai ka paraqitur rolin e KOSTT-it në tregtimin e energjisë, për çka ka thënë se i njëjti nuk është në kompetencën KOSTT-it, mirëpo në cilësinë e operatorit të tregut vetëm i përcakton rregullat e palëve se si të sillen në treg.

Megjithatë, ai bëri të ditur se Kosova në periudhën 2006-2008 më së shumti ka importuar energji nga IFT Grup nga Serbia. Sipas tij, në bazë të komunikimeve që ka pasuar në atë kohë me KEK-un, i është thënë se kjo kompani është ofertuesja më e lirë.

Deputeti tjetër i LVV-së, Mefail Bajqinovci, pyeti ish-kryeshefin e KOSTT se a ka qenë pronar i kompanisë Contel, e cila sipas tij ka fituar tender në KOSTT.

“Zotëri Ismajli ju keni qenë pronar i kompanisë Contel, po flas për vitin 2006-2008. A keni fituar tender edhe pse është bartë prona tek shoku i juaj Vegim Gashi. Kjo kompani a ka fituar tenderë për vitin 2006-2008 në KOSTT”, pyeti ai.

Mirëpo, Ismajli tha se ka qenë partner në kompaninë Contel vetëm para luftës në Kosovë. Pasi, sipas tij në periudhën 2000 ka vazhduar kontributin në KEK.

Megjithatë, ai konfirmoi se kjo kompani ka fituar tender në KOSTT, mirëpo në partneritet me një kompani tjetër e cila ka qenë bartëse e projektit.

“Është e vërtet se unë për një periudhë para luftës kam pas për një kohë të shkurtër, kam qenë partner në firmën Contel. Por mënyra siç ju e thatë tingëllon ndryshe, kam qenë paraluftës. Pas luftës unë nuk kam qenë më dhe secili ka shkuar rrugëve të veta, unë jam kthyer në KEK në kompaninë amë, aty ku kam qenë prej vitit 1983-1990. Contel ka qenë aty në partneritet me kompaninë e cila ka qenë bartëse e projektit”, tha ai./KSP

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-