Tre persona nga Dragashi janë konfirmuar deri më tani me virusin COVID-19. Njëri prej tyre është punonjës shëndetësor në repartin e hemodializës në Prizren, ku edhe dyshohet se është infektuar me koronavirus. Kryetari i Dragashit, Shaban Shabani, ka thënë për Express se kanë kërkuar testimin e familjarëve të punonjësit shëndetësor, mirëpo sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, kjo nuk është e arsyeshme pasi ata nuk kanë simptoma
Shabani tha se nga 3 personat e konfirmuar deri më tanio me COVID-19 nga kjo komunë, dy prej tyre janë çift bashkëshortor ndërsa tjetri është punonjës në spitalin e Prizrenit.
“Në Dragash deri më tani i kemi tri raste pozitive me virusin COVID-19. Dy persona janë çift dhe vijnë nga një fshat i Dragashit, ndërkaq personi i tretë është punonjës shëndetësor i repartit të hemodializës në spitalin e Prizrenit”, tha Shabani.
Ai tregoi se deri më tani janë testuar vetëm 19 persona nga Dragashi. Derisa shtoi se e sheh të arsyeshme që të kryhen më shumë testime në komunën e Dragashit. Madje, një gjë të tillë thotë të ua ketë kërkuar edhe zyrtarëve të IKSHPK’së.
“Nuk janë kryer mjaftueshëm testime, janë testuar disa familjarë të çiftit, por ka pasur nevojë të testohen edhe familjarët e punonjësit shëndetësor, por nuk janë testuar. IKSHP nuk po e sheh të arsyeshme t’i testojë, pasi po thonë se janë në kontakt të vazhduheshëm me ta dhe se nuk kanë simotoma, sipas vlerësimit të tyre”, ka thënë Shabani për Express.
Shabani tha se këto dy familje të cilat janë prekur nga COVID-29 po qëndrojnë të izoluara.
Ai tha se gjendja në Dragash është stabile dhe se qytetarët po i respektojnë masat e qeverisë.
Ndërkohë, numri total i personave të konfirmuar me COVID-19 në Kosovë kaa shkuar në 851.
Nga ta janë shëruar tashmë 381, ndërkaq kanë vdekur 25 persona.
Qeveria e Kosovës ka nisur aplikimin e masave lehtesuese në vend, pasi numri i të shëruarve nga koronavirusi është duke u rritur.
Nga sot janë lejuar të punojnë disa biznese, e po ashtu është zgjatur orari i daljes për qytetarët i cili deri më tani ka qenë një orë e gjysmë. Nga sot qytetarët lejohen të dalin dy herë në ditë, nga një orë e gjysmë, për të kryer obligimet e tyre.
Këto masa vlejnë deri më 18 maj, kur dhe do të fillojë faza e dytë e lehtësimit të masave.
Nga 18 maji do të fillojë hapja graduale e bizneseve tjera, derisa lëvizja e qytetarëve do të vazhdojë të jetë e njëtë.
Po ashtu, Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, po bëjnë apel tek qytetarët që gjatë daljeve të tyre, të kenë patjetër me vete masat mbrojtëse, si dorëzat dhe maskat, të respektojnë distancën soicale dhe të mbajnë higjienën personale./GazetaExpress/
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.