Kryetari i Komunës së Dragashit takohet me ekspertin izraelit për të diskutuar zhvillimin ekonomik dhe turistik të komunës

Opoja.net Opoja.net Opoja

Kryetari i Komunës së Dragashit, z.Bexhet Xheladini, së bashku me zyrtarë të ekzekutivit lokal pritën sot në një takim konsulentin dhe ekspertin ndërkombëtar izraelit, Dr.Yehuda Hamovitz.
Kryetari Xheladini u shpreh falënderues dhe mirënjohës që një përfaqësues i shtetit të Izraelit për herë të parë viziton komunën tonë. Ai e prezantoi profesorin Hamovitz me një historik shkurtër të Komunës së Dragashit.

Kryetari i Komunës dhe përfaqësuesit e Qeverisë Lokale në Dragash thanë se e mirëpresin çfarëdo investimi nga investitorë të ndryshëm izraelitë të cilët do të ndihmonin në zhvillimin ekonomik të komunës sonë. Disa nga kërkesat specifike që u theksuan ishin: gjetja e donatorëve për ndërtimin e Fabrikës së ujit, investime në stadiumin e qytetit dhe infrastrukturën përcjellëse, ndërtimi i një biblioteke me standarde evropiane, hapja e fabrikave për prodhimin dhe përpunimin e produkteve të ndryshme të cilat do ta rrisnin punësimin dhe do ta ndalnin ikjen e qytetarëve nga vendi, ndërtimi e qendrave turistike, zhvillimi i turizmit veror dhe dimëror, investime në zhvillimin e një sistemi efikas të menaxhimit të mbeturinave të ngurta dhe ruajtjes së ambientit, blerja e kamionëve dhe pajisjeve teknike për shërbimin e zjarrfikësve, sigurimi i dy minibusëve për transportin e nxënësve, investime në fushën e bujqësisë dhe blegtorisë, investime në arsim, shëndetësi, infrastrukturë, parqe dhe kënde për lojëra të fëmijëve.

Dr.Yehuda Hamovitz shprehu gatishmërinë e tij për të ndihmuar dhe siguruar mbështetjen e shtetit izraelit për Komunën e Dragashit. Ai tha se gjendet në komunën tonë me kërkesë të Ambasadës së Kosovës, e cila është e vendosur në Izrael dhe e cila është e interesuar që komuna jonë të ndihmohet nga shteti i Izraelit. Ai theksoi se duhet të shfrytëzohen të gjitha mundësitë dhe resurset që ka kjo komunë në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe turistik.

Në fund të takimit ai falënderoi Kryetarin e komunës dhe kërkoi nga ai që të përgatisë kërkesën e detajuar me të gjitha nevojat që ka komuna jonë, duke përfshirë dhe mjetet financiare që nevojiten.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-